Veprat e Apostujve 13:24-52
Veprat e Apostujve 13:24-52 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Përpara se të vinte Jezui, Gjoni i kishte predikuar gjithë popullit të Izraelit të pendohej e të pagëzohej. Kur ishte në fund të shtegtimit të tij, Gjoni tha: “Kush mendoni se jam unë? Unë nuk jam ai që prisni, por ai po vjen pas meje dhe unë nuk jam i denjë as t'ia zgjidh sandalet”. Vëllezër, pasardhës të Abrahamit e ju të tjerë që druani Perëndinë, lajmi i këtij shpëtimi na është dërguar neve. Banorët e Jerusalemit e krerët e tyre nuk e njohën Jezuin dhe as nuk i kuptuan fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë. Ata i përmbushën fjalët e kësaj profecie duke e dënuar atë. Edhe pse nuk gjetën shkak për ta dënuar me vdekje, i kërkuan Pilatit ta vriste. Pasi përmbushën gjithçka që ishte shkruar për të, e zbritën nga druri i kryqit dhe e vunë në varr. Por Perëndia e ngjalli prej të vdekurve e për shumë ditë Jezui iu shfaq atyre që shkuan me të nga Galilea në Jerusalem. Tani ata janë dëshmitarët e tij para popullit. Ne po ju shpallim ungjillin, lajmin e mirë, se atë që u kishte premtuar etërve tanë, Perëndia e përmbushi për ne që jemi bijtë e tyre me ngjalljen e Jezuit. Edhe në psalmin e dytë shkruhet: ti je Biri im, të kam lindur sot. Perëndia e ngjalli prej të vdekurve, që ai të mos kthehej më në kalbje dhe për këtë ka thënë: Unë do t'ju jap juve premtimet e shenjta që i dhashë Davidit. Prandaj në një psalm tjetër ka thënë: nuk do të lejosh, që i Shenjti yt të shohë kalbjen. Davidi, në kohën e tij, i shërbeu shestimit të Perëndisë dhe vdiq e u varros pranë etërve të vet e u kalb. Por ai të cilin Perëndia e ngjalli, nuk u kalb. Prandaj, dijeni mirë, o vëllezër, se përmes këtij njeriu juve ju shpallet falja e të gjitha mëkateve, prej të cilave nuk mund të bëheshit të drejtë sipas ligjit të Moisiut. Përmes Jezuit bëhen të drejtë të gjithë ata që besojnë. Ruhuni, pra, që të mos ju ndodhë juve ajo që thanë profetët: shikoni o përbuzës, mrekullohuni e zhdukuni, se unë do të bëj një vepër të tillë në ditët tuaja, vepër që nuk do ta besonit kurrë, edhe po t'ua thoshte dikush». Kur Pali e Barnaba po dilnin, populli iu lut që t'u flisnin përsëri për këto gjëra të shtunën tjetër. Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë nga judenjtë dhe nga ata që ishin kthyer në besimin e judenjve shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët u folën e i porositën që të vazhdonin të qëndronin të fortë në hirin e Perëndisë. Të shtunën tjetër u mblodh gati tërë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit. Por kur judenjtë i panë turmat, u mbushën me smirë dhe duke thënë fjalë fyese, kundërshtonin ato që thoshte Pali. Atëherë Pali e Barnaba folën me guxim: «Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t'ju shpallej juve më parë. Meqë ju po e hidhni poshtë atë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e amshuar, tani ne do t'u drejtohemi kombeve. Në të vërtetë Zoti na ka urdhëruar kështu: të kam caktuar të jesh dritë për kombet, që të çosh shpëtimin deri në skajet e dheut». Kur e dëgjuan këtë, kombet u gëzuan dhe përlëvduan fjalën e Zotit. Ata që ishin caktuar për jetën e amshuar, besuan në Jezuin. Kështu fjala e Zotit përhapej në mbarë atë krahinë. Por judenjtë nxitën gratë e shoqërisë së lartë, që ishin të përkushtuara ndaj Perëndisë, si dhe parinë e qytetit, dhe kurdisën një përndjekje kundër Palit e Barnabës e i dëbuan nga krahina e tyre. Atëherë ata shkundën pluhurin nga këmbët si shenjë kundër tyre dhe shkuan në Ikon. Dishepujt ishin të mbushur plot me gëzim e me Shpirtin e shenjtë.
Veprat e Apostujve 13:24-52 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Para ardhjes së tij, Gjoni predikoi një pagëzim pendimi për gjithë popullin e Izraelit. Dhe, kur Gjoni po e përfundonte misionin e tij, tha: "Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam Krishti; por ja, pas meje vjen një, të cilit unë nuk jam i denjë t'i zgjidh sandalet e këmbëve". Vëllezër, bij të pasardhësve të Abrahamit, dhe ata prej jush që druajnë Perëndinë, juve ju është dërguar fjala e këtij shpëtimi. Sepse banorët e Jeruzalemit dhe krerët e tyre, duke mos e njohur këtë Jezus, duke e dënuar, kanë përmbushur fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë. Dhe, ndonëse nuk i gjetën asnjë faj që të meritonte vdekjen, i kërkuan Pilatit që ai të vritet. Dhe mbasi u kryen të gjitha gjërat që janë shkruar për të, atë e zbritën nga druri dhe e vunë në varr. Por Perëndia e ringjalli prej të vdekurve; dhe ai u pa për shumë ditë nga ata që ishin ngjitur me të nga Galileja në Jeruzalem, të cilët tani janë dëshmitarë të tij para popullit. Dhe ne po ju shpallim lajmin e mirë të premtimit që u qe bërë etërve, duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne, bij të tyre, duke ringjallur Jezusin, ashtu si dhe është shkruar në psalmin e dytë: "Ti je Biri im, sot më linde". Dhe mbasi e ka ringjallur prej të vdekurve për të mos e kthyer në kalbje, ai ka thënë kështu: "Unë do t'ju jap premtimet e sigurta të bëra Davidit". Për këtë ai thotë edhe në një psalm tjetër: "Ti nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbje". Sepse Davidi, mbasi zbatoi këshillën e Perëndisë në brezin e tij, vdiq dhe u bashkua me etërit e vet dhe pa kalbje, por ai, që e ka ringjallur Perëndia, nuk ka parë kalbje. Le ta dini, pra, o vëllezër, se nëpërmjet tij ju është shpallur falja e mëkateve, dhe se, me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajësohej me anë të ligjit të Moisiut. Kini kujdes, pra, që të mos ju ndodhë ajo që është thënë në profetët: "Shikoni, o përbuzës, mrekullohuni dhe do të treteni, sepse unë po kryej një vepër në ditët tuaja, një vepër, të cilën ju nuk do ta besonit, po t'jua tregonte dikush"''. Dhe kur judenjtë dolën nga sinagoga, johebrenjtë u lutën që të shtunën e ardhshme t'u flisnin përsëri për këto gjëra. Dhe, mbasi u shpërnda mbledhja, shumë nga judenjtë dhe nga proselitët e perëndishëm i ndiqnin Palin dhe Barnaban, të cilët, duke u folur atyre, i bindën të ngulmojnë në hir të Perëndisë. Të shtunën tjetër gati gjithë qyteti u mblodh për të dëgjuar fjalën e Perëndisë. Por judenjtë, duke parë turmën, u mbushën me smirë dhe u kundërviheshin thënieve të Palit, duke kundërshtuar dhe duke blasfemuar. Atëherë Pali dhe Barnaba, duke folur lirisht, thanë: ''Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t'ju shpallej ju më së pari; por, ngaqë ju e hidhni poshtë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e përjetshme, ja, ne po u drejtohemi johebrenjve. Sepse kështu na ka urdhëruar Zoti: "Unë të vura si dritë të johebrenjve, që ti ta çosh shpëtimin deri në skajin e dheut"''. Johebrenjtë, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe të gjithë sa ishin të paracaktuar për jetën e pasosur besuan. Dhe fjala e Zotit përhapej në mbarë atë vend. Por judenjtë i nxitën disa gra të perëndishme të shtresës së lartë, si dhe parinë e qytetit, dhe ngjallën një përndjekje kundër Palit dhe Barnabas dhe i dëbuan jashtë kufijve të tyre. Atëherë ata, mbasi shkundën pluhurin e këmbëve të tyre kundër tyre, shkuan në Ikon. Dhe dishepujt ishin mbushur me gëzim dhe me Frymën e Shenjtë.