Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 12:1-11

Veprat e Apostujve 12:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në atë kohë, mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga besimtarët e kishave. Jakobin, vëllanë e Gjonit, ai e vrau me shpatë. Kur pa se kjo gjë u pëlqeu judenjve, urdhëroi të kapnin edhe Pjetrin. Ishin ditët e festës së Bukëve të ndorme. Pasi e kapi, Herodi e futi në burg dhe ua dorëzoi katër grupeve me nga katër ushtarë që ta ruanin, me qëllim që pas Pashkës ta nxirrte para popullit. Ndërsa Pjetri ishte në burg, kisha i lutej Perëndisë me gjithë zemër për të. Natën, përpara se Herodi ta nxirrte Pjetrin para popullit, Pjetri, i lidhur me dy zinxhirë, po flinte mes dy ushtarëve, ndërsa rojat para derës ruanin burgun. Papritur u shfaq një engjëll i Zotit dhe qelinë e ndriçoi një dritë. Ai e preku Pjetrin në brinjë e i tha: «Ngrihu shpejt!». Dhe menjëherë zinxhirët i ranë nga duart. Pastaj engjëlli i tha: «Vëre brezin e mbathi sandalet». Pjetri u bind. Pastaj i tha: «Hidh gunën e më ndiq». Pjetri doli e shkoi pas tij pa e ditur nëse ajo që po i ndodhte me engjëllin ishte e vërtetë apo jo. Ai mendonte se po shihte një vegim. Kur kaluan rojën e parë e të dytë, arritën te dera e hekurt, që të çonte në qytet. Ajo u hap vetë. Ata dolën dhe ecën në një rrugë dhe engjëlli u largua nga ai menjëherë. Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: «Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij e më çliroi nga duart e Herodit e nga gjithçka që judenjtë kishin ndër mend të bënin me mua».

Veprat e Apostujve 12:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe në atë kohë mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga kisha. Dhe e vrau me shpatë Jakobin, vëllain e Gjonit. Dhe, duke parë se kjo u pëlqente judenjve, urdhëroi të arrestohet edhe Pjetri (ishin ditët e të Ndormëve). Mbasi e arrestoi, e futi në burg dhe ua besoi ruajtjen e tij katër skuadrave, me nga katër ushtarë secila, duke menduar ta nxjerrë para popullit mbas Pashkës. Por, ndërsa Pjetrin e ruanin në burg, nga ana e kishës bënin lutje të vazhdueshme te Perëndia për të. Dhe natën, para se ta nxirrte Herodi përpara popullit, Pjetri po flinte në mes dy ushtarëve, i lidhur me dy zinxhirë; dhe rojet para portës ruanin burgun. Dhe ja, një engjëll i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi qelinë; dhe ai i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi duke thënë: ''Çohu shpejt!''. Dhe zinxhirët i ranë nga duart. Pastaj engjëlli i tha: ''Ngjishu dhe lidhi sandalet!''. Dhe ai bëri kështu. Pastaj i tha: ''Mbështillu me mantelin dhe ndiqmë!''. Dhe Pjetri, mbasi doli, e ndiqte pa e kuptuar se ç'po i ndodhte me anë të engjëllit ishte e vërtetë; sepse ai pandehte se kishte një vegim. Dhe, si kaluan vendrojën e parë dhe të dytë, arritën te dera e hekurt që të çonte në qytet, dhe ajo u hap përpara tyre vetvetiu; dhe, mbasi dolën, përshkuan një rrugë dhe papritmas engjëlli e la atë. Kur Pjetri erdhi në vete, tha: ''Tani me të vërtetë po e di se Zoti ka dërguar engjëllin e vet dhe më liroi nga duart e Herodit duke e bërë të kotë gjithë atë që priste populli i judenjve''.