2 Timoteut 3:10-17
2 Timoteut 3:10-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Përkundrazi, ti Timote ke ndjekur nga afër mësimin tim, sjelljen, qëllimin, besimin, durimin, dashurinë, qëndresën, përndjekjet e vuajtjet që pësova në Antioki, në Ikon e në Listër. Durova shumë përndjekje, por Zoti më shpëtoi nga të gjitha. Në të vërtetë, të gjithë ata që duan të bëjnë një jetë të përkushtuar ndaj Krishtit Jezu, do të përndiqen. Ndërsa njerëzit e ligj e mashtrues do të bëhen edhe më keq, duke mashtruar e duke u mashtruar. Por ti vazhdo të qëndrosh në ato që mësove e për të cilat u binde plotësisht, se ti e di prej kujt i mësove. Që nga fëmijëria ti i ke njohur Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të japin urtinë që të çon drejt shpëtimit përmes besimit në Krishtin Jezu. I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, për qortim, për ndreqje e për edukim në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përgatitur plotësisht dhe i aftë për çdo vepër të mirë.
2 Timoteut 3:10-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe ti ndoqe nga afër mësimin tim, sjelljen, këshillat, besimin, durimin, dashurinë, ngulmin, përndjekjet, vuajtjet që më ndodhën në Antioki, në Ikon, dhe në Listra; ti e di çfarë përndjekjesh hoqa, por Perëndia më shpëtoi nga të gjitha. Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen, por njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë. Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove, dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus. I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.