Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Samuelit 9:3-13

2 i Samuelit 9:3-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Mbreti i tha: «A ka mbetur njeri prej shtëpisë së Saulit, që t'i tregoj mirësinë e Perëndisë». Cibai i tha mbretit: «Ka mbetur biri i Jonatanit, i çali». Mbreti e pyeti: «E ku është?». Cibai i tha mbretit: «Ja, në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lo Debar». Atëherë mbreti David dërgoi njerëz për ta marrë prej shtëpisë së Makirit, birit të Amielit, në Lo Debar. Mefibosheti, biri i Jonatanit, të birit të Saulit, erdhi te Davidi dhe ra përdhe për ta nderuar. Davidi i tha: «Mefiboshet!». Ai iu përgjigj: «Ja shërbëtori yt!». Davidi i tha: «Mos ki frikë, se do të tregohem i mirë me ty për hir të atit tënd, Jonatanit. Do të t'i kthej të gjitha tokat e Saulit, atit tënd, dhe ti do të hash përherë në tryezën time». Ai u përkul me nderim e i tha: «Çfarë është shërbëtori yt, që t'i hedhësh sytë një qeni të ngordhur si ai?». Pastaj mbreti thirri Cibain, djaloshin që i shërbente Saulit, e i tha: «Gjithçka i përkiste Saulit dhe shtëpisë së tij do t'ia jap shtëpisë së zotërisë tënd. Ti, bijtë e shërbëtorët e tu do të punoni tokën e tij, që bijtë e zotërisë tënd të kenë bukë për të ngrënë, ndërsa Mefibosheti do të hajë përherë në tryezën time». Cibai kishte pesëmbëdhjetë djem dhe njëzet shërbëtorë. Cibai i tha mbretit: «Shërbëtori yt do të kryejë gjithçka urdhëroi imzot, mbreti». Kështu, Mefibosheti hëngri në tryezën e Davidit sikur të ishte njëri prej bijve të mbretit. Mefibosheti kishte një djalë të vogël që quhej Mika. Të gjithë anëtarët e familjes së Cibait i shërbyen Mefiboshetit. Mefibosheti banoi në Jerusalem, sepse hante përherë në tryezën e mbretit. Ai ishte i çalë nga të dyja këmbët.

2 i Samuelit 9:3-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj mbreti pyeti: "A ka njeri tjetër të shtëpisë së Saulit, të cilit mund t'i kushtoj mirësinë e Perëndisë?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Është akoma një djalë i Jonatanit, që është sakat nga këmbët". Mbreti i tha: "Ku është?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Është në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar". Atëherë mbreti David dërgoi ta marrë nga shtëpia e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar. Kështu Mefiboshethi, bir i Jonatanit, bir i Saulit erdhi te Davidi, ra përmbys me fytyrën për tokë. Davidi i tha: "Mefibosheth!". Ai u përgjigj: "ja shërbëtori yt!". Davidi i tha: "Mos ki frikë, sepse kam ndër mend të sillem mirë me ty për dashurinë që kisha për Jonatanin, atin tënd; do të të kthej tërë tokat e Saulit, të parit tënd, dhe ti do të hash gjithnjë në tryezën time". Mefiboshethi ra përmbys dhe tha: "Ç'është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?". Atëherë mbreti thirri Tsiban, shërbëtorin e Saulit, dhe i tha: "Tërë ato që i përkisnin Saulit dhe tërë shtëpisë së tij, po ia jap birit të zotërisë tënd. Kështu, pra, bashkë me bijtë dhe shërbëtorët e tu, do të punosh tokën për të dhe do të mbledhësh prodhimet e saj, me qëllim që i biri i zotërisë tënd të ketë bukë për të ngrënë; por Mefiboshethi, bir i zotërisë tënd do të hajë gjithnjë në tryezën time". Tsiba kishte pesëmbëdhjetë bij dhe njëzet shërbëtorë. Tsiba i tha mbretit: "Shërbëtori yt do të bëjë të gjitha ato që mbreti, zotëria im, i urdhëron shërbëtorit të tij". Kështu Mefiboshethi hante në tryezën e Davidit si një nga bijtë e mbretit. Mefiboshethi kishte një djalë të vogël që quhej Mika; dhe tërë ata që rrinin në shtëpinë e Tsibas ishin shërbëtorë të Mefiboshethit. Mefiboshethi banonte në Jeruzalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit. Ishte sakat nga të dy këmbët.