Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Samuelit 9:1-13

2 i Samuelit 9:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Davidi tha: «A ka mbetur njeri prej shtëpisë së Saulit, që të tregohem i mirë me të për hir të Jonatanit?». Shtëpia e Saulit kishte një shërbëtor që quhej Ciba. Atë e thirrën te Davidi dhe ai e pyeti: «A je ti Cibai?». Ai iu përgjigj: «Unë jam, shërbëtori yt!». Mbreti i tha: «A ka mbetur njeri prej shtëpisë së Saulit, që t'i tregoj mirësinë e Perëndisë». Cibai i tha mbretit: «Ka mbetur biri i Jonatanit, i çali». Mbreti e pyeti: «E ku është?». Cibai i tha mbretit: «Ja, në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lo Debar». Atëherë mbreti David dërgoi njerëz për ta marrë prej shtëpisë së Makirit, birit të Amielit, në Lo Debar. Mefibosheti, biri i Jonatanit, të birit të Saulit, erdhi te Davidi dhe ra përdhe për ta nderuar. Davidi i tha: «Mefiboshet!». Ai iu përgjigj: «Ja shërbëtori yt!». Davidi i tha: «Mos ki frikë, se do të tregohem i mirë me ty për hir të atit tënd, Jonatanit. Do të t'i kthej të gjitha tokat e Saulit, atit tënd, dhe ti do të hash përherë në tryezën time». Ai u përkul me nderim e i tha: «Çfarë është shërbëtori yt, që t'i hedhësh sytë një qeni të ngordhur si ai?». Pastaj mbreti thirri Cibain, djaloshin që i shërbente Saulit, e i tha: «Gjithçka i përkiste Saulit dhe shtëpisë së tij do t'ia jap shtëpisë së zotërisë tënd. Ti, bijtë e shërbëtorët e tu do të punoni tokën e tij, që bijtë e zotërisë tënd të kenë bukë për të ngrënë, ndërsa Mefibosheti do të hajë përherë në tryezën time». Cibai kishte pesëmbëdhjetë djem dhe njëzet shërbëtorë. Cibai i tha mbretit: «Shërbëtori yt do të kryejë gjithçka urdhëroi imzot, mbreti». Kështu, Mefibosheti hëngri në tryezën e Davidit sikur të ishte njëri prej bijve të mbretit. Mefibosheti kishte një djalë të vogël që quhej Mika. Të gjithë anëtarët e familjes së Cibait i shërbyen Mefiboshetit. Mefibosheti banoi në Jerusalem, sepse hante përherë në tryezën e mbretit. Ai ishte i çalë nga të dyja këmbët.

2 i Samuelit 9:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Davidi tha: "A ka mbetur akoma ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të sillem mirë për hir të Jonathanit?". Kishte një shërbëtor në shtëpinë e Saulit, që quhej Tsiba, dhe atë e çuan te Davidi. Mbreti i tha: "Ti je Tsiba?". Ai u përgjigj: "Jam shërbëtori yt". Pastaj mbreti pyeti: "A ka njeri tjetër të shtëpisë së Saulit, të cilit mund t'i kushtoj mirësinë e Perëndisë?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Është akoma një djalë i Jonatanit, që është sakat nga këmbët". Mbreti i tha: "Ku është?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Është në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar". Atëherë mbreti David dërgoi ta marrë nga shtëpia e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar. Kështu Mefiboshethi, bir i Jonatanit, bir i Saulit erdhi te Davidi, ra përmbys me fytyrën për tokë. Davidi i tha: "Mefibosheth!". Ai u përgjigj: "ja shërbëtori yt!". Davidi i tha: "Mos ki frikë, sepse kam ndër mend të sillem mirë me ty për dashurinë që kisha për Jonatanin, atin tënd; do të të kthej tërë tokat e Saulit, të parit tënd, dhe ti do të hash gjithnjë në tryezën time". Mefiboshethi ra përmbys dhe tha: "Ç'është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?". Atëherë mbreti thirri Tsiban, shërbëtorin e Saulit, dhe i tha: "Tërë ato që i përkisnin Saulit dhe tërë shtëpisë së tij, po ia jap birit të zotërisë tënd. Kështu, pra, bashkë me bijtë dhe shërbëtorët e tu, do të punosh tokën për të dhe do të mbledhësh prodhimet e saj, me qëllim që i biri i zotërisë tënd të ketë bukë për të ngrënë; por Mefiboshethi, bir i zotërisë tënd do të hajë gjithnjë në tryezën time". Tsiba kishte pesëmbëdhjetë bij dhe njëzet shërbëtorë. Tsiba i tha mbretit: "Shërbëtori yt do të bëjë të gjitha ato që mbreti, zotëria im, i urdhëron shërbëtorit të tij". Kështu Mefiboshethi hante në tryezën e Davidit si një nga bijtë e mbretit. Mefiboshethi kishte një djalë të vogël që quhej Mika; dhe tërë ata që rrinin në shtëpinë e Tsibas ishin shërbëtorë të Mefiboshethit. Mefiboshethi banonte në Jeruzalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit. Ishte sakat nga të dy këmbët.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë