2 i Samuelit 7:8-17
2 i Samuelit 7:8-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Mirëpo tani, kështu do t'i thuash Davidit, shërbëtorit tim: kështu thotë ZOTI i ushtrive: unë të mora nga kullota, kur shkoje pas grigjës, që të bëheshe prijësi i popullit tim, Izraelit. Kam qenë me ty kudo ke shkuar dhe i kam vrarë të gjithë armiqtë e tu para teje. Do të të bëj me emër, siç janë me emër të mëdhenjtë e tokës. Do të caktoj një vend për popullin tim, Izraelin, ku do ta ngul të banojë pa u tronditur më. Keqbërësit nuk do ta dëmtojnë më si dikur, kur caktova gjykatës mbi popullin tim, Izraelin. Do të jap prehje nga të gjithë armiqtë e tu. ZOTI po të kumton se vetë ZOTI do të të ndërtojë ty një shtëpi. Kur koha jote të jetë sosur e duhet të prehesh me etërit e tu, do të ngre pasardhësin pas teje, i cili rrjedh prej teje dhe do ta bëj të qëndrueshme mbretërinë e tij. Ai do t'i ndërtojë një shtëpi emrit tim, ndërsa unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithmonë fronin e tij. Unë do të jem për të atë e ai do të jetë për mua bir. E në bëftë ndonjë prapësi, do ta qortoj me thupër e me plagë, siç bëjnë prindërit. Por nuk do t'ia mohoj dashurinë, siç ia mohova Saulit që e hoqa para teje. Do ta bëj të qëndrueshme përgjithmonë shtëpinë tënde dhe mbretërinë tënde dhe froni yt do të mbetet në amshim”». Natani ia tregoi Davidit të gjitha këto fjalë dhe të gjithë këtë vegim.
2 i Samuelit 7:8-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani do t'i thuash kështu shërbëtorit tim David; Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Unë të mora nga vatha, ndërsa shkoje me dele, që ti të bëheshe udhëheqës i Izraelit, i popullit tim. Kam qenë pranë teje kudo që ke shkuar, kam shfarosur tërë armiqtë e tu para teje dhe e bëra emrin tënd të madh si ai i të mëdhenjve që janë mbi dhe. Do t'i caktoj një vend Izraelit, popullit tim, dhe do ta ngulit që ai të banojë në shtëpinë e tij dhe të mos e shqetësojë më, që njerëzit e këqij të mos vazhdojnë ta shtypin si në të kaluarën, nga dita që kam vendosur gjyqtarë mbi popullin tim të Izraelit. Do të të siguroj paqe nga tërë armiqtë e tu. Përveç kësaj Zoti të shpall se ka për të të ndërtuar një shtëpi. Kur t'i kesh mbushur ditët e tua dhe të jesh duke pushuar bashkë me etërit e tu, unë do të ngre mbas teje pasardhësit e tu që do të dalin nga barku yt dhe do të vendos mbretërinë tënde. Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithnjë fronin e mbretërisë së tij. Unë do të jem për të një baba dhe ai një djalë për mua; kur do të bëjë ndonjë të keqe, unë do ta dënoj me shufra njeriu dhe me goditje të bijve të njerëzve, por mëshira ime do të largohet, ashtu siç ia kam hequr Saulit, që e kam hequr nga detyra para teje. Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të bëhen të qëndrueshme përgjithnjë para meje, dhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm përgjithnjë". Nathani i foli Davidit duke iu përmbajtur këtyre fjalëve dhe sipas vegimit të tij.