Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Samuelit 7:1-29

2 i Samuelit 7:1-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kur Davidi u vendos në shtëpinë e tij dhe ZOTI i dha paqe nga tërë armiqtë, që e rrethonin, mbreti i tha profetit Natan: «Ja, unë banoj në një shtëpi prej cedri, ndërsa arka e Perëndisë banon në një tendë pëlhurash». Natani iu përgjigj mbretit: «Bëj ç'të kesh në zemër, se ZOTI është me ty». Po atë natë Natanit iu drejtua fjala e ZOTIT e i tha: «Shko e thuaji Davidit, shërbëtorit tim, kështu thotë ZOTI: “Pse, ti do të ma ndërtosh shtëpinë ku do të banoj? Unë nuk kam banuar në një shtëpi që kur i solla izraelitët nga Egjipti e deri në këtë ditë. Jam endur nëpër tenda e banesa. Gjatë gjithë endjeve të mia me mbarë Izraelin, a mos i kam thënë ndonjë fjalë ndonjërit prej prijësve të Izraelit, të cilët i kisha urdhëruar të kullotnin popullin tim, Izraelin, e u kisha thënë: përse nuk më keni ndërtuar një shtëpi prej cedri? Mirëpo tani, kështu do t'i thuash Davidit, shërbëtorit tim: kështu thotë ZOTI i ushtrive: unë të mora nga kullota, kur shkoje pas grigjës, që të bëheshe prijësi i popullit tim, Izraelit. Kam qenë me ty kudo ke shkuar dhe i kam vrarë të gjithë armiqtë e tu para teje. Do të të bëj me emër, siç janë me emër të mëdhenjtë e tokës. Do të caktoj një vend për popullin tim, Izraelin, ku do ta ngul të banojë pa u tronditur më. Keqbërësit nuk do ta dëmtojnë më si dikur, kur caktova gjykatës mbi popullin tim, Izraelin. Do të jap prehje nga të gjithë armiqtë e tu. ZOTI po të kumton se vetë ZOTI do të të ndërtojë ty një shtëpi. Kur koha jote të jetë sosur e duhet të prehesh me etërit e tu, do të ngre pasardhësin pas teje, i cili rrjedh prej teje dhe do ta bëj të qëndrueshme mbretërinë e tij. Ai do t'i ndërtojë një shtëpi emrit tim, ndërsa unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithmonë fronin e tij. Unë do të jem për të atë e ai do të jetë për mua bir. E në bëftë ndonjë prapësi, do ta qortoj me thupër e me plagë, siç bëjnë prindërit. Por nuk do t'ia mohoj dashurinë, siç ia mohova Saulit që e hoqa para teje. Do ta bëj të qëndrueshme përgjithmonë shtëpinë tënde dhe mbretërinë tënde dhe froni yt do të mbetet në amshim”». Natani ia tregoi Davidit të gjitha këto fjalë dhe të gjithë këtë vegim. Atëherë Davidi hyri brenda, u ul para ZOTIT dhe tha: «Kush jam unë, o ZOT, Zoti im, dhe çfarë është shtëpia ime që më solle deri këtu? E kjo ishte veç një gjë e vogël në sytë e tu, o ZOT, Zoti im. Ti fole për shtëpinë e shërbëtorit tënd për të ardhmen e largët. Vallë kështu sillesh me njerëzit e tjerë, o ZOT, Zoti im? Çfarë mund të thotë më shumë për ty Davidi? O ZOT, Zoti im, ti e njeh mirë shërbëtorin tënd. Ti i bëre të gjitha këto vepra të mëdha dhe ia shfaqe shërbëtorit tënd për hir të fjalës sate dhe sipas zemrës sate. Ti je i madh, o ZOT, Zoti im. Nuk ka si ti dhe nuk ka Perëndi përveç teje, me sa na kanë dëgjuar veshët. Kush është si populli yt, Izraeli, kombi i vetëm në tokë, që Perëndia shkoi për ta shpenguar për vete si popull? Ti bëre emër për vete, vepra të mëdha e të mahnitshme për tokën tënde para popullit tënd që e shpengove nga Egjipti, nga kombet dhe idhujt e tyre. E caktove popullin tënd, Izraelin, të jetë përherë populli yt dhe ti, o ZOT, u bëre Perëndia i tyre. Tani, o ZOT Perëndi, fjala që fole për shërbëtorin tënd e për shtëpinë e tij qëndroftë përgjithmonë dhe vepro siç fole. Emri yt u madhëroftë përgjithmonë kështu: “ZOTI i ushtrive është Perëndia i Izraelit” dhe shtëpia e Davidit, shërbëtorit tënd, do të jetë e qëndrueshme para teje, sepse ti, o ZOT i ushtrive, Perëndia i Izraelit, i dëftove shërbëtorit tënd se do t'i ndërtosh një shtëpi, prandaj shërbëtori yt mori zemër të bënte këtë lutje para teje. Tani, o ZOT, Zoti im, ti je Perëndi dhe fjalët e tua janë të vërteta. Ti ia premtove këtë të mirë shërbëtorit tënd. Tani, denjo ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, që të qëndrojë e përhershme para teje, sepse ti o ZOT, Zoti im, ke folur. Qoftë përherë e bekuar me bekimet e tua shtëpia e shërbëtorit tënd!».

2 i Samuelit 7:1-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndodhi që, kur mbreti u vendos në shtëpinë e tij dhe Zoti i siguroi paqe nga të gjithë armiqtë që e rrethonin, mbreti i tha profetit Nathan: "Shiko, unë banoj në një shtëpi prej cedri, por arka e Perëndisë ndodhet poshtë një çadre". Nathani iu përgjigj mbretit: "Shko, bëj gjithçka ke në zemër, sepse Zoti është me ty". Por po atë natë fjala e Zotit iu drejtua Nathanit në këtë mënyrë: "Shko t'i thuash shërbëtorit tim David: Kështu thotë Zoti: "A do të më ndërtosh një shtëpi, që unë të banoj në të? Sepse nuk kam banuar në një shtëpi nga dita që kam nxjerrë bijtë e Izraelit nga Egjiptit e deri më sot, por kam bredhur nën një çadër dhe në një tabernakull. Kudo që kam shkuar në mes të të gjithë bijve të Izraelit, a i kam folur vallë ndonjë fisi të cilin e kisha urdhëruar të ushqente popullin tim të Izraelit, duke i thënë: Pse nuk më ndërtoni një shtëpi prej cedri?". Tani do t'i thuash kështu shërbëtorit tim David; Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Unë të mora nga vatha, ndërsa shkoje me dele, që ti të bëheshe udhëheqës i Izraelit, i popullit tim. Kam qenë pranë teje kudo që ke shkuar, kam shfarosur tërë armiqtë e tu para teje dhe e bëra emrin tënd të madh si ai i të mëdhenjve që janë mbi dhe. Do t'i caktoj një vend Izraelit, popullit tim, dhe do ta ngulit që ai të banojë në shtëpinë e tij dhe të mos e shqetësojë më, që njerëzit e këqij të mos vazhdojnë ta shtypin si në të kaluarën, nga dita që kam vendosur gjyqtarë mbi popullin tim të Izraelit. Do të të siguroj paqe nga tërë armiqtë e tu. Përveç kësaj Zoti të shpall se ka për të të ndërtuar një shtëpi. Kur t'i kesh mbushur ditët e tua dhe të jesh duke pushuar bashkë me etërit e tu, unë do të ngre mbas teje pasardhësit e tu që do të dalin nga barku yt dhe do të vendos mbretërinë tënde. Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithnjë fronin e mbretërisë së tij. Unë do të jem për të një baba dhe ai një djalë për mua; kur do të bëjë ndonjë të keqe, unë do ta dënoj me shufra njeriu dhe me goditje të bijve të njerëzve, por mëshira ime do të largohet, ashtu siç ia kam hequr Saulit, që e kam hequr nga detyra para teje. Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të bëhen të qëndrueshme përgjithnjë para meje, dhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm përgjithnjë". Nathani i foli Davidit duke iu përmbajtur këtyre fjalëve dhe sipas vegimit të tij. Atëherë mbreti David shkoi dhe u ul përpara Zotit dhe tha: "Kush jam unë, o Zot, o Zot, dhe çfarë është shtëpia ime që më bëri të vij deri këtu? Por kjo ishte akoma një gjë e vogël në sytë e tu, o Zot, o Zot, sepse ti ke folur edhe për shtëpinë e shërbëtorit tënd për një të ardhme të largët; dhe ky është ligji i njeriut, o Zot, o Zot. Çfarë mund të të thoshte më tepër Davidi? Ti e njeh shërbëtorin tënd, o Zot, o Zot! Për dashurinë e fjalës sate dhe sipas zemrës sate ke bërë tërë këto gjëra të mëdha, me qëllim që t'ia bësh të njohur shërbëtorit tënd. Për këtë je i madh, o Zot, o Perëndi. Asnjeri nuk është si ti dhe nuk ka tjetër Perëndi veç teje, me sa kemi dëgjuar me veshët tona. Dhe kush është si populli yt, si Izraeli, i vetmi komb mbi dhe që Perëndia erdhi ta shpengojë për vete si popullin e tij për të bërë emër dhe për të kryer për ty vepra të mëdha dhe të tmerrshme për tokën tënde përpara popullit tënd, të cilin e ke shpenguar për vete nga Egjipti, nga kombet e perëndive të tyre? Dhe ti ke vendosur për vete që populli yt i Izaelit, të jetë populli yt përgjithnjë; dhe ti, o Zot, je bërë Perëndia i tij. Dhe tani, o Zot, o Perëndi, fjalën që ke thënë lidhur me shërbëtorin tënd dhe me shtëpinë e tij mbaje të qëndrueshme përgjithnjë dhe vepro ashtu si ke thënë, me qëllim që emri yt të lavdërohet përjetë dhe të thuhet: "Zoti i ushtrive është Perëndia i Izraelit". Dhe shtëpia e shërbëtorit tënd David u bëftë e qëndrueshme para teje! Sepse ti, o Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, ia ke treguar këtë shërbëtorit tënd, duke i thënë: "Unë do të ndërtoj një shtëpi për ty". Prandaj shërbëtori yt pati guximin të të drejtojë këtë lutje. Dhe tani, o Zot, o Zot, ti je Perëndia, fjalët e tua janë të vërteta, dhe i ke premtuar këto gjëra të bukura shërbëtorit tënd. Prandaj tani prano të bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, në mënyrë që ajo të qëndrojë gjithnjë para teje, sepse ti, o Zot, o Zot, ke folur, dhe si pasojë e bekimit tënd shtëpia e shërbëtorit tënd do të jetë e bekuar përjetë!".

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë