2 i Samuelit 24:18-24
2 i Samuelit 24:18-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atë ditë Gadi shkoi te Davidi e i tha: «Shko e ngriji ZOTIT një altar në lëmin e Aranjah Jebusitit». Davidi shkoi, sipas fjalës që kishte thënë Gadi me urdhër të ZOTIT. Aranjahu vështroi dhe pa mbretin dhe shërbëtorët e tij që po kalonin. Atëherë doli dhe u përkul para mbretit me fytyrë përdhe. Aranjahu i pyeti: «Përse kanë ardhur imzot mbreti dhe shërbëtorët e tij?». Davidi i tha: «Për të blerë prej teje vendin e lëmit, për t'i ndërtuar ZOTIT një altar, që të largohet lëngata nga populli». Aranjahu i tha Davidit: «Merre e le të bëjë imzot mbreti çfarë të dojë. Ja edhe mëzetërit për flitë e shkrumbimit, sharra dhe zgjedha e mëzetërve për drutë. Të gjitha këto Aranjahu ia jep mbretit, o mbret!». Mandej Aranjahu i tha mbretit: «ZOTI, Perëndia yt, të pranoftë!». Por mbreti David i tha Aranjahut: «Jo, dua ta blej prej teje me çmim të plotë. Nuk do t'i kushtoj ZOTIT, Perëndisë tim, fli shkrumbimi falas». Kështu, Davidi e bleu lëmin.
2 i Samuelit 24:18-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atë ditë Gadi erdhi te Davidi dhe i tha: "Shko dhe ndërto një altar për Zotin në lëmin e Araunahut, jebuseut". Kështu Davidi shkoi, sipas fjalës së Gadit, ashtu si kishte urdhëruar Zoti. Araunahu shikoi dhe dalloi mbretin dhe shërbëtorët e tij që drejtoheshin nga ai; atëherë ai doli dhe u shtri para mbretit me fytyrën për tokë. Pastaj Araunahu tha: "Pse mbreti, zotëria im, ka ardhur te shërbëtori i tij?". Davidi u përgjigj: "Për të blerë nga ti këtë lëmë dhe për të ndërtuar mbi të një altar për Zotin, me qëllim që mjerimi të largohet nga populli". Araunahu i tha Davidit: "Mbreti, zotëria im, le të marrë dhe të ofrojë atë që i pëlqen! Ja qetë e holokaustit; veglat e shirjes dhe zgjedha e qeve do të shërbejë si dru. O mbret, të gjitha këto gjëra Araunahu ia fal mbretit". Pastaj Araunahu i tha mbretit: "Zoti, Perëndia yt, të qoftë i mbarë!". Por mbreti iu përgjigj Araunahut: "Jo, unë do t'i blej këto gjëra nga ti me çmimin që kushtojnë, dhe nuk do t'i ofrojë Zotit, Perëndisë tim, holokauste që nuk më kushtojnë asgjë". Kështu Davidi bleu lëmin dhe qetë për pesëdhjetë sikla argjendi.