Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Samuelit 22:26-51

2 i Samuelit 22:26-51 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Njeriut besnik ti i qëndron besnik, me të ndershmin i ndershëm tregohesh. Me njeriun e pastër tregohesh i pastër, por me të mbrapshtin tregohesh dinak. Popullin e përvuajtur e shpëton, por sytë e krenarëve i ul poshtë. O ZOT, ti je dritëza ime. Perëndia im ma ndriçon errësirën. Me ty do t'i sulmoj çetat plaçkitëse, me Perëndinë tim do t'i kapërcej muret. Udha e Perëndisë është e përsosur, fjala e ZOTIT e sprovuar në zjarr, ai është mburojë i të gjithë atyre që kërkojnë strehë tek ai. Kush tjetër është Perëndi veç ZOTIT? Kush tjetër është shkëmb veç Perëndisë tonë? Perëndia që më dha forcë, e ma bëri udhën të përsosur. Këmbët m'i bëri të shpejta si të drerit, në vende të larta më vuri të qëndroj. Duart m'i mësoi për betejë, që krahët e mi të ndejnë hark bronzi. Më dhe mburojën e shpëtimit tënd, përkrahja jote më madhëroi. E shtrove udhën para hapave të mi e këmbët nuk më rrëshqitën. I ndoqa pas armiqtë e i shtypa, nuk do të kthehem pa i shkatërruar. U dhashë fund, i qëllova e më nuk ngrihen, ranë para këmbëve të mia. Më dhe forcë për të luftuar e ata që m'u ngritën kundër nën këmbë m'i përkule. I bëre armiqtë e mi të më kthejnë kurrizin, ata që më urrenin i zhbiva. Hodhën vështrimin, por s'kishte kush t'i shpëtonte, i thirrën edhe ZOTIT, por nuk iu përgjigj. I thërrmova si pluhurin që e merr era, i shkërmoqa e i shkela si baltën e rrugës. Më çlirove nga grindjet e popullit, në krye të kombeve më vure, një popull që nuk më njihte më shërbeu. Me të dëgjuar për mua, u bindën, bijtë e të huajve u përkulën para meje. U zbehën, u drodhën, e nga fortesat e tyre dolën. ZOTI është i gjallë! Bekuar qoftë shkëmbi im! Perëndia u madhëroftë, ai, shkëmbi i shpëtimit tim! Ai merr shpagim për mua, popujt nën këmbë m'i nënshtron, nga armiqtë e mi më çliron. Ti më ngre mbi kundërshtarët e mi, prej njeriut të dhunshëm më shpëton. Ndaj të përlëvdoj mes kombeve, o ZOT, emrin tënd përhimnoj. Zoti ia shton fitoret mbretit të tij, tregon mirësi përjetë ndaj të vajosurit të vet, Davidit e gjithë pasardhësve të tij».

2 i Samuelit 22:26-51 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ti tregohesh i mëshirshëm me njeriun e përshpirtshëm dhe i drejtë me njeriun e drejtë; ti tregohesh i pastër me njeriun e pastër dhe dinak me njeriun e çoroditur. Ti shpëton njerëzit e hidhëruar, por shikimi yt ndalet mbi kryelartët për t'i ulur. Po, ti je drita ime, o Zot; Zoti ndriçon terrin tim. Me ty mund të sulmoj një grup, me Perëndinë tim mund të kapërcej një mur. Rruga e Zotit është e përsosur; fjala e Zotit është pastruar me zjarrin. Ai është mburoja e të gjithë atyre që kanë shpresë tek ai. Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Dhe kush është Kalaja përveç Perëndisë tonë? Zoti është kalaja ime e fuqishme, ai e bën të përsosur rrugën time. Ai i bën këmbët e mia si ato të drerit dhe më bën të mbahem mirë në vendet e mia të larta. Ai i mëson duart e mia për betejë dhe krahët e mia mund të tendosin një hark prej bronzi. Ti më ke dhënë edhe mburojën e shpëtimit tënd dhe mirësia jote më ka bërë të madh. Ti i ke zgjedhur hapat e mia dhe këmbët e mia nuk kanë ngurruar në këtë rast. Unë i kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam shkatërruar, nuk jam kthyer prapa para se t'i shfarosja. I kam shkatërruar dhe shtypur, dhe ata nuk kanë mundur më të ngrihen kundër meje; ata kanë rënë nën këmbët e mia. Ti më ke dhënë forcë në betejë, dhe bëre që të më përulen ata që ngriheshin kundër meje; bëre që të më kthenin kurrizin armiqtë e mi përpara meje, dhe unë zhduka ata që më urrenin. Ata shikuan, por nuk pati njeri që t'i shpëtonte; i klithën Zotit, por ai nuk iu përgjigj atyre. Unë i thërrmova si pluhuri i tokës, i copëtova dhe i shkela si balta e rrugëve. Ti më ke çliruar nga mosmarrëveshjet e popullit tim, më ke ruajtur si udhëheqës i kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer. Bijtë e të huajve më nënshtrohen mua; sa më dëgjojnë, më binden. Bijtë e të huajve kanë humbur guximin, kanë dalë duke u dridhur nga fortesat e tyre. Rroftë Zoti! Qoftë e bekuar Fortesa ime! U lartësoftë në qiell Perëndia, Fortesa e shpëtimit tim! Është Perëndia që hakmerret për mua, që më nënshtron popujt, dhe më liron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu i furishëm. Prandaj, o Zot, do të të kremtoj midis kombeve dhe do të këndojë lavdinë e emrit tënd. Lirime të mëdha i siguron mbretit të tij, sillet dashamirës me të vajosurin, me Davidin dhe me pasardhësit e tij përjetë".