Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Samuelit 17:1-23

2 i Samuelit 17:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ahitofeli i tha Absalomit: «Më lejo të zgjedh dymbëdhjetë mijë luftëtarë dhe të ngrihem që sonte e të ndjek Davidin. Do t'i vërsulem kur të jetë i lodhur e i këputur dhe do t'i fus tmerrin. Kur mbarë populli, që është me të, të ketë marrë arratinë, do t'i vërsulem vetëm mbretit. Mandej do ta kthej mbarë popullin te ti. Kur të gjithë të jenë kthyer te ti, përveç atij që kërkoje, mbarë populli do të jetë në paqe». Fjalët e Ahitofelit i pëlqyen Absalomit e mbarë pleqësisë së Izraelit. Megjithatë Absalomi tha: «Thërrisni edhe Husha Arkitin, që të dëgjojmë edhe mendimin e tij». Hushai shkoi tek Absalomi dhe Absalomi i tha: «Ahitofeli ka thënë kështu. A të veprojmë siç tha ai apo ke ndonjë gjë për të thënë?». Hushai iu përgjigj Absalomit: «Këshilla që ka dhënë Ahitofeli këtë herë nuk është e mirë». E shtoi: «Ti e njeh mirë tët atë dhe burrat që janë me të. Ata janë luftëtarë trima e të paepur, si arusha në arë kur i rrëmbejnë këlyshët. Yt atë është luftëtar i zoti dhe nuk e kalon natën me popullin. Ja, tani do të jetë fshehur në ndonjë shpellë ose në ndonjë vend tjetër dhe, nëse vritet ndonjëri prej nesh i pari, tjetri do ta dëgjojë e do të thotë: “Po bëhet kërdia mes njerëzve që shkuan pas Absalomit”. Atëherë edhe më trimi zemërluan do të dëshpërohej thellë, sepse mbarë Izraeli e di se yt atë është luftëtar trim dhe se ata që janë me të janë trima të fortë. Këshilla ime është të mblidhet te ti mbarë Izraeli, nga Dani në Bershebë, i panumërt si rëra e bregut të detit, dhe të dalësh edhe ti në luftë. Atëherë do ta sulmojmë kudo që të jetë dhe do t'i vërsulemi si vesa që bie mbi tokë. Nuk ka për t'i mbetur asnjë nga trimat që janë me të. Nëse tërhiqet në ndonjë qytet, mbarë Izraeli do t'i hedhë atij qyteti litarët dhe do ta plandosë në përrua, derisa të mos i mbetet asnjë gur». Absalomi dhe të gjithë izraelitët thanë: «Këshilla e Husha Arkitit është më e mirë se këshilla e Ahitofelit». ZOTI kishte vendosur ta bënte të kotë këshillën e mirë të Ahitofelit, me qëllim që ZOTI t'i sillte shkatërrim Absalomit. Hushai u tha priftërinjve Cadok dhe Abiatar: «Kështu e kështu e këshilloi Ahitofeli Absalomin dhe pleqësinë e Izraelit, ndërsa unë e këshillova kështu e kështu. Prandaj çojini fjalë Davidit shpejt e thuajini: “Mos e kalo natën në fushat e shkretëtirës, por kalo lumin, që të mos shfaroset mbreti bashkë me popullin që është me të”». Jonatani dhe Ahimaci qëndronin te burimi i Rogelit, sepse nuk duhej t'i shihnin duke hyrë në qytet. Një shërbëtore shkoi e i njoftoi dhe ata u nisën për të njoftuar mbretin David. Por një djalosh i pa dhe i tregoi Absalomit. Atëherë ata nxituan, shkuan në një shtëpi në Bahurim që kishte një pus në oborr dhe zbritën në pus. Gruaja mori një mbulesë dhe mbuloi grykën e pusit. Pastaj hodhi grurë mbi të pa e marrë vesh askush. Shërbëtorët e Absalomit shkuan te shtëpia e gruas dhe e pyetën: «Ku janë Ahimaci dhe Jonatani?». Ajo iu përgjigj: «Kaluan në anën tjetër të përroit». Ata i kërkuan, por nuk i gjetën. Pastaj u kthyen në Jerusalem. Pasi u larguan shërbëtorët e Absalomit, ata dolën prej pusit, shkuan për të njoftuar mbretin David e i thanë: «Ngrihu e kalo shpejt lumin, se kështu e kështu i ka këshilluar Ahitofeli kundër jush». Atëherë Davidi u ngrit bashkë me popullin, që ishte me të, dhe kaluan Jordanin. Askush nuk mbeti pa e kaluar Jordanin deri në mëngjes. Kur Ahitofeli pa se nuk ia dëgjuan këshillën, shaloi gomarin dhe shkoi në shtëpi, në qytetin e vet. Pasi u la atyre të shtëpisë porositë e fundit, vari veten dhe vdiq. E varrosën në varrin e të atit.

2 i Samuelit 17:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Ahithofeli i tha Absalomit: "Lërmë të zgjedh dymbëdhjetë mijë njerëz, dhe të nisem që sonte e ta ndjek Davidin; duke e sulmuar sa është i lodhur dhe i dobët; do ta tremb dhe gjithë njerëzit që janë me të do të ikin; kështu do të mund të godas vetëm mbretin, dhe tërë popullin do ta kthej te ti. Vdekja e njeriut që ti kërkon do të favorizojë kthimin e të gjithëve; kështu tërë populli do të jetë në paqe". Ky propozim u pëlqeu Absalomit dhe të gjithë pleqve të Izraelit. Megjithatë Absalomi tha: "Thirrni edhe arkitin Hushai dhe të dëgjojmë çfarë ka për të thënë për këtë çështje". Kur Hushai erdhi tek Absalomi, ky i tha: "Ahithofeli ka folur në këtë mënyrë; a duhet të veprojmë si ka thënë ai? Përndryshe, bëj një propozim ti!". Hushai iu përgjigj Absalomit: "Këtë radhë këshilla e dhënë nga Ahithofeli nuk është e mirë". Hushai shtoi: "Ti e njeh atin tënd dhe njerëzit e tij që janë trima dhe të egërsuar në kulm, si një arushë në fushë së cilës ia kanë marrë këlyshët; përveç kësaj ati yt është një luftëtar dhe nuk ka për ta kaluar natën me popullin. Me siguri në këtë orë ai është fshehur në ndonjë vrimë ose në ndonjë vend tjetër; në qoftë se në fillim do të hidhet mbi disa nga njerëzit e tu, kushdo që do ta mësojë ka për të thënë: "Midis njerëzve që ndiqnin Absalomin ndodhi një masakër". Atëherë edhe më trimi, edhe sikur të kishte zemër luani, do të dëshpërohej shumë, sepse tërë Izraeli e di që yt atë është trim dhe që njerëzit që e shoqërojnë janë trima. Prandaj këshilloj që i tërë Izraeli nga Dani deri në Beer-Sheba të mblidhet rreth teje, i shumtë si rëra që ndodhet në bregun e detit, dhe që ti të marrësh pjesë personalisht në betejë. Kështu do ta arrijmë në çdo vend që të ndodhet dhe do të biem mbi të ashtu si vesa bie mbi tokë; dhe nga gjithë njerëzit që janë me të nuk ka për të shpëtuar as edhe një. Në rast se tërhiqet në ndonjë qytet, tërë Izraeli do t'i çojë litarë atij qyteti dhe ne do ta tërheqim në përrua, derisa aty të mos mbetet asnjë gur". Absalomi dhe tërë njerëzit e Izraelit thanë: "Këshilla e arkitit Hushai është më e mirë se ajo e Ahithofelit". Në të vërtetë Zoti kishte vendosur ta bënte të kotë këshillën e mirë të Ahithofelit për të shkatërruar Absalomin. Atëherë Hushai u tha priftërinjve Tsodak dhe Abiathar: "Ahithofeli ka këshilluar Absalomin dhe pleqtë e Izraelit kështu e kështu, ndërsa unë i këshillova në këtë dhe atë mënyrë. Prandaj tani dërgoni me nxitim njeri që të informoni Davidin dhe i thoni: "Mos kalo natën në fushat e shkretëtirës, por pa tjetër shko më tutje, me qëllim që mbreti dhe gjithë njerëzit që janë me të të mos shfarosen". Por Jonathani dhe Ahimaatsi mbetën në En-Rogel, sepse nuk mund të dukeshin që hynin në qytet; kështu një shërbëtor do të shkonte për t'i informuar, dhe ata do të shkonin për të njoftuar mbretin David. Por një djalë i pa dhe njoftoi Absalomin. Të dy u nisën atëherë me nxitim dhe arritën në Bahurim në shtëpinë e një njeriu që kishte në oborr një sternë dhe zbritën në të. Pastaj gruaja mori një mbulesë, e shtriu mbi grykën e sternës dhe shpërndau mbi të grurë të bluar, pa u vënë re nga njeri. Kur shërbëtorët e Absalomit shkuan në shtëpinë e gruas dhe pyetën: "Ku janë Ahimaatsini dhe Jonathani?", gruaja u përgjigj: "Ata e kaluan rrëkenë". Ata filluan t'i kërkojnë, por nuk i gjetën dhe u kthyen në Jeruzalem. Pas nisjes së këtyre të fundit, të dy dolën nga sterna dhe shkuan të njoftojnë mbretin David. Dhe i thanë Davidit: "Shpejtoni dhe kaloni menjëherë lumin, sepse kjo është ajo që Ahithofeli ka këshilluar kundër jush". Atëherë Davidi u ngrit me gjithë njerëzit që ishin me të dhe kaloi Jordanin. Në të gdhirë nuk kishte mbetur as edhe një pa e kaluar Jordanin. Kur Ahithofeli pa që këshilla e tij nuk ishte ndjekur, shaloi gomarin dhe shkoi në shtëpinë e vet në qytetin e tij. Vuri në rregull gjërat e shtëpisë dhe vari veten. Kështu vdiq dhe u varros në varrin e të atit.