2 i Samuelit 15:1-6
2 i Samuelit 15:1-6 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas kësaj, Absalomi mori një karrocë me kuaj dhe vuri pesëdhjetë burra të vraponin para tij. Ai ngrihej herët, qëndronte ndanë rrugës për te porta e qytetit, thërriste këdo që kishte ndonjë çështje gjyqësore e që shkonte për gjykim para mbretit dhe e pyeste: «Nga cili qytet je?». Ai i përgjigjej: «Shërbëtori yt është nga aksh fis i Izraelit». Atëherë Absalomi i thoshte: «Ja, çështja jote është e ndershme dhe e drejtë, por nga ana e mbretit nuk ka kush të dëgjon». E thoshte: «Po të më caktonin mua gjykatës të vendit, kushdo që të kishte ndonjë çështje gjyqësore, do të vinte tek unë dhe unë do ta gjykoja me drejtësi». Kur i afrohej ndokush dhe përkulej para tij, ai shtrinte dorën, e ngrinte dhe e përqafonte. Kështu vepronte Absalomi me të gjithë izraelitët që shkonin për gjykim te mbreti. Absalomi ua fitoi zemrat burrave të Izraelit.
2 i Samuelit 15:1-6 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbas kësaj Absalomi gjeti një karrocë, disa kuaj dhe pesëdhjetë njerëz që të vraponin para tij. Absalomi ngrihej herët në mëngjes dhe rrinte anës rrugës që të çonte te porta e qytetit. Kështu, në qoftë se dikush kishte ndonjë gjyq dhe shkonte te mbreti për të siguruar drejtësi, Absalomi e thërriste dhe i thoshte: "Nga cili qytet je?". Tjetri i përgjigjej: "Shërbëtori yt është nga filan fis i Izraelit". Atëherë Absalomi i thoshte: "Shiko, argumentet e tua janë të mira dhe të drejta, por nuk ka njeri nga ana mbretit që të të dëgjojë". Pastaj Absalomi shtonte: "Sikur të më bënin mua gjyqtar të vendit, kushdo që të kishte një proces apo një çështje do të vinte tek unë dhe unë do t'i siguroja drejtësi". Kur dikush afrohej për të rënë përmbys përpara tij, ai shtrinte dorën, e merrte dhe e puthte. Absalomi sillej kështu me të gjithë ata të Izraelit që vinin te mbreti për të kërkuar drejtësi; në këtë mënyrë Absalomi fitoi zemrën e njerëzve të Izraelit.