2 Pjetrit 3:1-10
2 Pjetrit 3:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Fort të dashur, kjo është tashmë letra e dytë që po ju shkruaj. Në të dyja po përpiqem t'ju zgjoj kujtesën, që me mendje të kthjellët të kujtoni fjalët që janë thënë më përpara nga profetët e shenjtë dhe urdhërimin e Zotit dhe të shpëtimtarit tonë që ju shpallën apostujt. Së pari, duhet të dini se në ditët e fundit do të vijnë përqeshës që jetojnë sipas dëshirave të tyre. Ata do t'ju përqeshin e do t'ju thonë: «Ku është premtimi i ardhjes së Zotit? Të parët tanë vdiqën, por gjithçka mbeti si në fillim të krijimit». Ata harrojnë me dashje se qiejt, kohë më parë, u bënë me fjalën e Perëndisë. Po ashtu edhe toka që u bë nga uji e nëpërmjet ujit. Po me ujë u shkatërrua bota e atëhershme, kur u bë përmbytja. Ky qiell e kjo tokë ruhen nga e njëjta fjalë, për t'u shkatërruar me zjarr kur të vijë dita e gjykimit dhe e shkatërrimit të të pafeve. Edhe këtë gjë mos e harroni, fort të dashur, se për Zotin një ditë është si një mijë vjet dhe një mijë vjet janë si një ditë. Zoti nuk e vonon premtimin, siç mendojnë disa, por është i duruar me ju, sepse nuk dëshiron që ndokush të humbasë, por dëshiron që të gjithë të kthehen në pendim. Dita e Zotit do të vijë si vjedhësi. Atë ditë qiejt do të zhduken me krisma, elementet e natyrës do të shkrihen nga nxehtësia dhe toka e gjithçka që ajo mban do të digjen.
2 Pjetrit 3:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Shumë të dashurit, kjo është e dyta letër që po ju shkruaj; në të cilat po e mbaj zgjuar mendjen tuaj të kthjellët duke iu drejtuar kujtesës suaj, që të mbani mend fjalët që u thanë më parë nga profetët e shenjtë dhe nga urdhërimi i vetë Zotit dhe Shpëtimtarit të transmetuar nga ne apostujt. Së pari duhet të dini këtë, se në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta, dhe do të thonë: ''Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit''. Sepse ata me dashje harruan se nëpërmjet fjalës së Perëndisë qiejt vinin në ekzistencë shumë kohë më parë, dhe se toka doli nga uji dhe u sajua nëpërmjet ujit, për shkak të të cilit bota e atëhershme u mbulua nga uji dhe humbi, ndërsa qiejt dhe dheu i sotshëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë. Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë. Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim. Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt.