2 i Mbretërve 7:3-8
2 i Mbretërve 7:3-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Katër burra të lebrosur qëndronin para portës së qytetit. Ata i thanë njëri-tjetrit: «Përse po rrimë këtu duke pritur vdekjen? Po të hyjmë në qytet, do të vdesim nga uria që ka pllakosur qytetin. Po të qëndrojmë këtu, prapë do të vdesim. Prandaj, ejani të shkojmë në fushimin e Aramit! Po të na lënë gjallë, do të jetojmë, po të na vrasin, le të vdesim». Kështu, ata u ngritën në muzg dhe shkuan në fushimin e Aramit. Kur mbërritën në fund të fushimit, nuk gjetën askënd. Zoti kishte bërë të dëgjohej në fushim një zhurmë qerresh lufte e kuajsh, një zhurmë ushtrie të madhe. Luftëtarët e Aramit i kishin thënë njëri-tjetrit: «Mbreti i Izraelit paska paguar mbretërit e hititëve dhe të egjiptianëve për të luftuar kundër nesh». Prandaj, luftëtarët e Aramit ishin ngritur rrëmbimthi në muzg për të ikur, duke lënë pas tendat, kuajt dhe gomarët e tyre dhe e kishin braktisur fushimin për të shpëtuar jetën. Të lebrosurit mbërritën në fund të fushimit dhe u futën në një tendë, ku hëngrën e pinë. Morën nga tenda argjend, ar e rroba dhe shkuan e i fshehën. Pastaj shkuan në një tendë tjetër dhe morën edhe plaçkat e saj e i fshehën.
2 i Mbretërve 7:3-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kishte katër lebrosë në hyrje të portës, të cilët i thanë njëri-tjetrit: "Pse po rrimë ulur këtu duke pritur vdekjen? Në rast se themi: "Le të hyjmë në qytet", atje sundon uria dhe aty kemi për të vdekur; në rast se mbetemi këtu, do të vdesim njëlloj. Prandaj ejani, të shkojmë të paraqitemi te kampi i sirëve; po të jetë se na lënë të gjallë, do të jetojmë; po të jetë se na vrasin, do të vdesim". Në muzg u ngritën për të vajtur në kampin e sirëve; kur arritën në skajin e kampit të sirëve, atje nuk kishte njeri. Perëndia në të vërtetë kishte bërë që ushtria e sirëve të dëgjonte një zhurmë qerresh dhe kuajsh, zhurmën e një ushtrie të madhe, dhe ata i kishin thënë njëri-tjetrit: "Ja, mbreti i Izraelit ka rekrutuar kundër nesh mbretin e hitenjve dhe mbretin e egjiptasve për të na sulmuar". Prandaj ata, në muzg, ishin ngritur dhe kishin ikur duke braktisur çadrat, kuajt dhe gomarët e tyre, tërë kampin siç ishte; kishin ikur kështu për të shpëtuar kokën. Kur arritën në skajin e kampit, këta lebrosë hynë në një çadër, ku hëngrën e pinë; morën me vete argjend, ar dhe rroba, dhe shkuan t'i fshehin. Pastaj u kthyen dhe hynë në një çadër tjetër; edhe andej morën shumë gjëra dhe shkuan t'i fshehin.