Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Mbretërve 7:1-20

2 i Mbretërve 7:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Eliseu iu përgjigj: «Ja se ç'thotë ZOTI: “Nesër në këtë kohë, në portat e Samarisë një masë maje mielli do të kushtojë një sikël e dy masa elbi do të kushtojnë po një sikël”». Por prijësi ushtarak, tek i cili mbështetej mbreti, u përgjigj e i tha njeriut të Perëndisë: «Edhe sikur ZOTI të hapë dritare e t'i dërgojë nga qielli, kjo nuk ka për të ndodhur». Eliseu i tha: «Do ta shohësh me sytë e tu, por nuk do të hash». Katër burra të lebrosur qëndronin para portës së qytetit. Ata i thanë njëri-tjetrit: «Përse po rrimë këtu duke pritur vdekjen? Po të hyjmë në qytet, do të vdesim nga uria që ka pllakosur qytetin. Po të qëndrojmë këtu, prapë do të vdesim. Prandaj, ejani të shkojmë në fushimin e Aramit! Po të na lënë gjallë, do të jetojmë, po të na vrasin, le të vdesim». Kështu, ata u ngritën në muzg dhe shkuan në fushimin e Aramit. Kur mbërritën në fund të fushimit, nuk gjetën askënd. Zoti kishte bërë të dëgjohej në fushim një zhurmë qerresh lufte e kuajsh, një zhurmë ushtrie të madhe. Luftëtarët e Aramit i kishin thënë njëri-tjetrit: «Mbreti i Izraelit paska paguar mbretërit e hititëve dhe të egjiptianëve për të luftuar kundër nesh». Prandaj, luftëtarët e Aramit ishin ngritur rrëmbimthi në muzg për të ikur, duke lënë pas tendat, kuajt dhe gomarët e tyre dhe e kishin braktisur fushimin për të shpëtuar jetën. Të lebrosurit mbërritën në fund të fushimit dhe u futën në një tendë, ku hëngrën e pinë. Morën nga tenda argjend, ar e rroba dhe shkuan e i fshehën. Pastaj shkuan në një tendë tjetër dhe morën edhe plaçkat e saj e i fshehën. Por më pas i thanë njëri-tjetrit: «Nuk po veprojmë drejt. Kjo ditë është ditë lajmi të mirë. Nëse heshtim e presim deri në mëngjes, mund të ndëshkohemi. Prandaj ejani të shkojmë e të lajmërojmë pallatin e mbretit». Kështu, ata shkuan dhe thirrën derëtarët e qytetit e u thanë: «Shkuam në fushimin e Aramit dhe nuk kishte njeri e as nuk dëgjohej zë njeriu. Ishin vetëm kuajt e gomarët të lidhur dhe tendat e ngritura». Derëtarët e përcollën lajmin deri në pallatin e mbretit. Mbreti u ngrit në mes të natës e u tha shërbëtorëve të tij: «Po jua shpjegoj unë çka po na bëjnë luftëtarët e Aramit. Ata e dinë mirë se po vuajmë nga uria, prandaj kanë dalë nga fushimi e janë fshehur nëpër ara, duke menduar se ne do të dalim nga qyteti, që të na kapin pastaj të gjallë e të pushtojnë qytetin». Njëri prej shërbëtorëve i tha: «Dërgo, të lutem, pesë nga kuajt që kanë mbetur. Me ta ka për të ndodhur si me gjithë këtë popull të Izraelit që ka mbetur ende. Ka për të ndodhur si me gjithë atë popull të Izraelit, që mori fund. Le t'i dërgojmë e le të shohim!». Atëherë morën dy karroca me kuaj dhe me urdhër të mbretit shkuan pas gjurmëve të ushtrisë së Aramit për të parë ku ishin. Ata ndoqën gjurmët e tyre deri në Jordan dhe panë se rruga ishte plot me rrobat e me pajisjet që ushtria e Aramit kishte hedhur rrugës duke ikur. Lajmëtarët u kthyen e i treguan mbretit. Atëherë populli doli nga qyteti dhe plaçkiti fushimin e Aramit. Një masë maje mielli kushtonte një sikël dhe dy masa elbi kushtonin po një sikël, sipas fjalës së ZOTIT. Mbreti ia kishte besuar ruajtjen e portës së qytetit prijësit ushtarak, mbi dorën e të cilit mbështetej. Por populli e shtypi te porta e ai vdiq, sipas fjalës që kishte thënë njeriu i Perëndisë, kur mbreti kishte shkuar për ta takuar. Ndodhi sipas fjalës që njeriu i Perëndisë i kishte thënë mbretit, se të nesërmen në atë kohë, te portat e Samarisë, dy masa elbi do të kushtonin një sikël dhe një masë maje mielli do të kushtonte po një sikël. Por prijësi ushtarak i ishte përgjigjur njeriut të Perëndisë e i kishte thënë se edhe sikur ZOTI të hapte dritare e t'i dërgonte nga qielli, kjo nuk kishte për të ndodhur. Por Eliseu i kishte thënë se ai do ta shihte me sytë e tij, por nuk do të hante. E ashtu ndodhi. Populli e shkeli me këmbë te porta e ai vdiq.

2 i Mbretërve 7:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Eliseu tha: "Dëgjoni fjalën e Zotit! Kështu thotë Zoti: "Nesër në këtë orë, në portën e Samarisë një masë maje mielli do të kushtojë një sikël dhe dy masa elbi do të kushtojnë gjithashtu një sikël"". Por kapiteni, në krahun e të cilit mbështetej mbreti, iu përgjigj njeriut të Perëndisë: "Ja, edhe sikur Zoti të bënte dritare në qiell, a do të ndodhte, vallë një gjë e tillë?". Eliseu u përgjigj: "Mirë, pra, ke për ta parë me sytë e tu, por nuk do t'i hash". Kishte katër lebrosë në hyrje të portës, të cilët i thanë njëri-tjetrit: "Pse po rrimë ulur këtu duke pritur vdekjen? Në rast se themi: "Le të hyjmë në qytet", atje sundon uria dhe aty kemi për të vdekur; në rast se mbetemi këtu, do të vdesim njëlloj. Prandaj ejani, të shkojmë të paraqitemi te kampi i sirëve; po të jetë se na lënë të gjallë, do të jetojmë; po të jetë se na vrasin, do të vdesim". Në muzg u ngritën për të vajtur në kampin e sirëve; kur arritën në skajin e kampit të sirëve, atje nuk kishte njeri. Perëndia në të vërtetë kishte bërë që ushtria e sirëve të dëgjonte një zhurmë qerresh dhe kuajsh, zhurmën e një ushtrie të madhe, dhe ata i kishin thënë njëri-tjetrit: "Ja, mbreti i Izraelit ka rekrutuar kundër nesh mbretin e hitenjve dhe mbretin e egjiptasve për të na sulmuar". Prandaj ata, në muzg, ishin ngritur dhe kishin ikur duke braktisur çadrat, kuajt dhe gomarët e tyre, tërë kampin siç ishte; kishin ikur kështu për të shpëtuar kokën. Kur arritën në skajin e kampit, këta lebrosë hynë në një çadër, ku hëngrën e pinë; morën me vete argjend, ar dhe rroba, dhe shkuan t'i fshehin. Pastaj u kthyen dhe hynë në një çadër tjetër; edhe andej morën shumë gjëra dhe shkuan t'i fshehin. Pastaj thanë midis tyre: "Nuk veprojmë mirë kështu; kjo është ditë sihariqi, por ne nuk hapim as gojën. Në rast se presim deri në mëngjes, mund të pësojmë ndonjë ndëshkim. Prandaj tani të nxitojmë dhe të shkojmë të njoftojmë shtëpinë e mbretit". Kështu shkuan dhe thirrën rojet e qytetit, jua njoftuan gjendjen duke thënë: "Kemi shkuar në kampin e sirëve dhe ja, nuk kishte njeri dhe as nuk dëgjohej zë njeriu; aty kishte vetëm kuaj dhe gomarë të lidhur dhe çadra të paprekura". Atëherë rojet thirrën dhe e çuan lajmin brenda shtëpisë së mbretit. Kështu mbreti u ngrit natën dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Do t'ju them unë ç'na kanë bërë sirët. Duke ditur që ne jemi të uritur dolën nga kampi për t'u fshehur në fushë, duke thënë: "Si të dalim nga qyteti, do t'i kapim të gjallë dhe pastaj do të hyjmë në qytet". Një nga shërbëtorët e tij iu përgjigj: "Të lutem, lejo që disa njerëz të marrin pesë nga kuajt që akoma mbeten në qytet. Ja, ata do të jenë e shumta si shumica e Izraelit që ka mbetur në qytet, ose si shumica e Izraelit që tashmë ka vdekur; t'i çojmë, pra, të shohin". Morën, pra, dy qerre me kuajt e tyre dhe mbreti i dërgoi në gjurmët e ushtrisë së sirëve, duke thënë: "Shkoni dhe shikoni". Kështu ata shkuan prapa tyre deri në Jordan; por ja, tërë rruga ishte plot me rroba dhe me armë që sirët i kishin hedhur rrugës gjatë ikjes së tyre të nxituar. Pastaj lajmëtarët u kthyen dhe ia njoftuan gjendjen mbretit. Atëherë populli doli jashtë dhe plaçkiti kampin e sirëve; një masë maje mielli kushtonte një sikël, dhe dy masa elbi kushtonin gjithashtu një sikël, sipas fjalës së Zotit. Mbreti kishte vënë si roje të portës kapitenin në krahun e të cilit mbështetej; por populli e shkeli pranë portës dhe ai vdiq, ashtu si kishte thënë njeriu i Perëndisë, kur i foli mbretit që kishte zbritur për ta takuar. Ndodhi pikërisht ashtu siç i kishte folur mbretit njeriu i Perëndisë, duke i thënë: "Nesër, në këtë orë, në portën e Samarisë dy masa elbi do të kushtojnë një sikël dhe një masë maje mielli do të kushtojë gjithashtu një sikël". Kapiteni i ishte përgjigjur pastaj njeriut të Perëndisë, duke i thënë: "Ja, edhe sikur Zoti të hapë dritare në qiell, a ka për të ndodhur një gjë e tillë?". Eliseu i kishte dhënë këtë përgjigje: "Mirë, pra, do ta shohësh me sytë e tua, por nuk do të hash". I ndodhi pikërisht kjo: populli e shkeli me këmbë pranë portës dhe ai vdiq.