Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Mbretërve 5:1-14

2 i Mbretërve 5:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Namani, kreu i ushtrisë së mbretit të Aramit, ishte njeri me peshë dhe i nderuar prej zotërisë së vet, sepse me anë të tij ZOTI e kishte shpëtuar Aramin, por, ndonëse luftëtar trim e i fuqishëm, ai vuante nga lebra. Gjatë një sulmi që kishin bërë disa çeta nga Arami në tokat e Izraelit, kishin rrëmbyer një vajzë të vogël, e cila ishte bërë shërbyesja e gruas së Namanit. Një ditë vajza i tha zonjës së saj: «Sikur imzot të shkonte te profeti që është në Samari, ai do ta kishte shëruar nga lebra». Namani shkoi e foli me mbretin, zotërinë e tij, e i tha: «Kështu e kështu më ka thënë një vajzë nga Izraeli». Mbreti i Aramit i tha Namanit: «Nisu për udhë e unë do t'i dërgoj një letër mbretit të Izraelit». Namani u nis dhe me vete mori treqind kilogramë argjend, gjashtëdhjetë kilogramë ar dhe dhjetë palë ndërresash. Kur mbërriti, i dha mbretit të Izraelit letrën, në të cilën thuhej: «Bashkë me këtë letër po të dërgoj edhe shërbëtorin tim, Namanin, që ta shërosh nga lebra». Kur e lexoi letrën, mbreti i Izraelit shqeu rrobat e tha: «Mos jam gjë perëndia unë, i cili ka pushtetin për të sjellë vdekjen apo jetën, që ky më dërgon këtë njeri për ta shëruar nga lebra? Shihni, ai po kërkon shkak për t'u ngatërruar me mua». Kur Eliseu, njeriu i Perëndisë, dëgjoi se mbreti i Izraelit kishte shqyer rrobat, i çoi fjalë mbretit e i tha: «Përse i shqeve rrobat? Lëre të vijë tek unë, që ta dijë se në Izrael ka profet». Namani shkoi me kuaj e me karroca e u ndal te dera e shtëpisë së Eliseut. Por Eliseu i dërgoi një lajmëtar e i tha: «Shko e lahu shtatë herë në lumin Jordan dhe trupi yt do të shërohet e do të pastrohet nga lebra». Namani u zemërua e iku duke thënë: «Ja, unë prisja që ai të dilte për të më takuar, të qëndronte para meje, të thërriste emrin e ZOTIT, Perëndisë së tij, të vinte dorën në plagë e të më shëronte nga lebra. A nuk janë lumenjtë e Damaskut, Abana e Farfari, më të mirë se të gjithë ujërat e Izraelit? Pse, nuk mund të lahesha në to e të shërohesha?». Kështu, ai u kthye e u largua tejet i zemëruar. Por shërbëtorët iu afruan e i thanë: «Imzot, po të të kishte kërkuar profeti një gjë të vështirë, a nuk do ta bëje? Përse të mos bësh çfarë të tha dhe të shkosh të lahesh e të pastrohesh?». Atëherë Namani shkoi në Jordan, u la shtatë herë, siç e kishte urdhëruar njeriu i Perëndisë, dhe trupi iu shërua e iu bë i pastër si trupi i një djaloshi.

2 i Mbretërve 5:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Naamani, komandant i ushtrisë së mbretit të Sirisë, ishte një njeri i madh dhe shumë i çmuar në sytë e zotit të tij, sepse nëpërmjet tij Zoti i kishte dhënë fitoren Sirisë; por ky njeri i madh dhe trim ishte lebros. Disa banda të Sirisë gjatë një sulmi për plaçkitje kishin marrë me vete nga vendi i Izraelit, si robinjë, një vajzë të vogël që kishte përfunduar si shërbëtore e gruas së Naamanit. Ajo i tha zonjës së saj: "Po të mundte të shkonte zoti im te profeti që është në Samari, me siguri ky do ta shëronte nga lebra". Kështu Naamani shkoi tek zoti e tij dhe ia tregoi çështjen, duke thënë: "Vajza nga vendi i Izraelit ka thënë kështu e kështu". Atëherë mbreti i Sirisë tha: "Shko, pra, unë do t'i dërgoj një letër mbretit të Izraelit". Ai, pra, u nis duke marrë me vete dhjetë talente argjendi, gjashtë mijë sikla ari dhe dhjetë palë ndërresash. I çoi mbretit të Izraelit gjithashtu letrën, në të cilën thuhej: "Kur të të arrijë kjo letër, dije që po të dërgoj shërbëtorin tim Naaman, që ta shërosh nga lebra". Mbasi lexoi letrën, mbreti i Izraelit grisi rrobat e tij dhe tha: "A jam unë Perëndia, i pajisur me fuqinë të të shkaktojë vdekjen dhe ngjalljen, që ai më dërgon një njeri për ta shëruar nga lebra? Prandaj shikoni, që ai tani kërkon pretekst kundër meje". Kur Eliseu, njeriu i Perëndisë, mësoi që mbreti i Izraelit kishte grisur rrobat e tij, dërgoi t'i thotë mbretit: "Pse i grise rrobat? Le të vijë ai njeri tek unë dhe do të mësojë që ka një profet në Izrael". Kështu Naamani erdhi me kuajt dhe me qerret e tij dhe u ndal te porta e shtëpisë së Eliseut. Atëherë Eliseu i dërgoi një lajmëtar për t'i thënë: "Shko të lahesh shtatë herë në Jordan dhe mishi yt do të kthehet si më parë dhe do të jesh i pastër". Por Naamani u zemërua dhe iku, duke thënë: "Ja, unë mendoja: "Ai ka për të dalë me siguri përballë meje, do të ndalet, do të përmendë emrin e Zotit, Perëndisë së tij, do të lëvizë dorën mbi pjesët e sëmura dhe do të më shërojë nga lebra". Lumenjtë e Damaskut, Abanahu dhe Farpari, a nuk janë më të mirë se tërë ujërat e Izraelit? Nuk mund të lahesha në to dhe të bëhem i pastër?". Kështu u kthye dhe iku tërë inat. Por shërbëtorët e tij iu afruan dhe i folën, duke i thënë: "Ati ynë, në qoftë se profeti do të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë? Aq më tepër tani që të ka thënë: "Lahu dhe do të pastrohesh"?". Atëherë ai zbriti dhe u zhyt shtatë herë në Jordan, sipas fjalës së njeriut të Perëndisë, mishi i tij u bë si mishi i një fëmije të vogël dhe ai pastrua.