Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Mbretërve 4:8-17

2 i Mbretërve 4:8-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Një ditë Eliseu shkoi në Shunem. Një grua fisnike që jetonte aty nguli këmbë që Eliseu të hante bukë në shtëpinë e saj. Që prej asaj dite Eliseu kthehej në shtëpinë e saj për të ngrënë, sa herë që i binte rruga nga Shunemi. Ajo grua i tha burrit të vet: «Jam e bindur se ky njeri i Perëndisë, që kalon shpesh nga ne, është njeri i shenjtë. Le t'i ndërtojmë, të lutem, një dhomë të vogël në katin e sipërm dhe le të vëmë në të një shtrat, një tryezë, një ndenjëse dhe një shandan, që kur të kalojë nga ne, të rrijë atje». Një ditë Eliseu kaloi nga ajo shtëpi, u ngjit në dhomën e sipërme dhe u shtri. Pastaj i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: «Thirre gruan shunamite». Ai e thirri e ajo u paraqit para tij. Atëherë i tha sërish Gehazit, shërbëtorit të tij: «Të lutem, thuaji se ajo është kujdesur shumë për ne. Çfarë do të donte të bëja për të? Do të donte që të flisja për të me mbretin apo me kreun e ushtrisë?». Gruaja iu përgjigj: «Jetoj mes njerëzve të mi». Atëherë Eliseu pyeti Gehazin: «Çfarë mund të bëja për të?». Gehazi iu përgjigj: «Ajo nuk ka fëmijë dhe burrin e ka plak». Eliseu i tha Gehazit ta thërriste. Gehazi e thirri dhe gruaja u ndal te dera. Eliseu i tha: «Si sot pas një viti ke për të shtrënguar një djalë në gji». Ajo i tha: «Mos, imzot! Mos e gënje shërbëtoren tënde, o njeri i Perëndisë!». Por gruaja u ngjiz dhe në të njëjtën stinë pas një viti lindi djalin, ashtu siç i kishte thënë Eliseu.

2 i Mbretërve 4:8-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndodhi që një ditë Eliseu shkoi në Shunem, ku banonte një grua e pasur, dhe kjo e detyroi të hante pak ushqim. Kështu sa herë që ai kalonte andej, shkonte të hante tek ajo. Ajo i tha burrit të saj: "Ja, unë jam e sigurt që ai që kalon gjithnjë te neve është një njeri i shenjtë i Perëndisë. Të lutem, të ndërtojmë një dhomë të vogël me mur në katin e sipërm dhe të vëmë për të një shtrat, një tryezë, një karrige dhe një shandan; kështu, kur të vijë te ne, mund të rrijë në atë dhomë". Një ditë që Eliseu po kalonte andej shkoi në dhomën lart dhe u shtri. Pastaj i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: "Thirre këtë shunamite". Ai e thirri dhe ajo u paraqit përpara tij. Pastaj Eliseu i tha shërbëtorit të tij: "I thuaj kështu: "Ja, ti ke treguar një kujdes të veçantë për ne; çfarë mund të bëj për ty? A dëshiron t'i them diçka në emrin tënd mbretit apo komandantit të ushtrisë?"". Ajo u përgjigj: "Unë jetoj në mes të popullit tim". Atëherë Eliseu i tha: "Çfarë mund të bëj për të?". Gehazi u përgjigj: "Të thuash të vërtetën, ajo nuk ka fëmijë dhe burri i saj është i vjetër". Eliseu i tha: "Thirre!". Ai e thirri dhe ajo u ndal te porta. Atëherë Eliseu i tha: "Në këtë stinë, mot, ti do të përqafosh një bir". Ajo u përgjigj: "Jo, imzot; o njeri i Perëndisë, mos e gënje shërbëtoren tënde!". Gruaja mbeti me barrë dhe lindi një djalë vitin tjetër, në po atë stinë siç i kishte thënë Eliseu.