2 i Mbretërve 3:15-19
2 i Mbretërve 3:15-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
E tani më sillni një muzikant». Teksa muzikanti po i binte veglës muzikore, fuqia e ZOTIT erdhi mbi Eliseun e ai tha: «Kështu thotë ZOTI: hapni sa më shumë gropa në këtë luginë, sepse, siç thotë ZOTI, ndonëse nuk do të shihni as erë e as shi, kjo luginë do të mbushet me ujë e do të pini ju me gjithë bagëtitë e kafshët tuaja. Kjo nuk është asgjë për ZOTIN, sepse ai do t'ju dorëzojë edhe Moabin. Do t'i shkatërroni të gjitha qytetet e fortifikuara dhe të gjitha qytetet e rëndësishme. Do t'i prisni të gjitha pemët e mira, do të mbyllni të gjitha burimet dhe çdo arë të mirë do ta mbushni me gurë».
2 i Mbretërve 3:15-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por tani më sillni një muzikant". Por ndodhi që, ndërsa muzikanti i binte harpës, dora e Zotit u ndodh mbi Eliseun. Atëherë ai tha: "Kështu flet Zoti: "Gërmoni shumë gropa në këtë luginë". Sepse kështu thotë Zoti: "Ju nuk do të shihni as erë, as shi; megjithatë kjo luginë do të mbushet me ujë; dhe do të pini ju, bagëtia juaj dhe kafshët tuaja të transportit. Por kjo është akoma pak në sytë e Zotit, sepse ai do t'ju japë në dorë edhe Moabin. Ju do të shkatërroni të gjitha qytetet e fortifikuara dhe të gjitha qytetet më të mira, do të rrëzoni të gjithë drurët e mirë, do të zini të gjitha burimet e ujit dhe do të shkatërroni me gurë të gjitha parcelat e mira të tokës"".