Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Mbretërve 3:1-27

2 i Mbretërve 3:1-27 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Joshafatit në Judë, Jehorami, biri i Ahabit, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi dymbëdhjetë vjet në Samari. Jehorami bëri çka është keq në sytë e ZOTIT, por jo si i ati dhe e ëma, sepse ai hoqi përmendoren e Baalit, që kishte ndërtuar i ati. Megjithatë, Jehorami nuk u largua prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu edhe Izraelin në mëkat, por vazhdoi të mëkatojë. Meshai, mbreti i Moabit, ishte blegtor dhe i jepte mbretit të Izraelit si tagër njëqind mijë qengja dhe leshin e njëqind mijë deshve. Por pas vdekjes së Ahabit, mbreti i Moabit u ngrit kundër mbretit të Izraelit. Atëherë mbreti Jehoram u nis nga Samaria dhe thirri nën armë mbarë Izraelin. Ai i çoi fjalë edhe Joshafatit, mbretit të Judës, e i tha: «Mbreti i Moabit është ngritur kundër meje. A do të vish me mua të luftojmë kundër tij?». Joshafati iu përgjigj: «Do të vij. Unë dhe ti jemi një. Luftëtarët e mi janë të tutë dhe kuajt e mi janë të tutë». Pastaj Joshafati e pyeti: «Nga cila rrugë do të shkojmë?». Jehorami iu përgjigj: «Nga rruga e shkretëtirës së Edomit». Kështu, mbreti i Izraelit, mbreti i Judës dhe mbreti i Edomit u nisën bashkë dhe marshuan për shtatë ditë, duke i rënë rrotull shkretëtirës. Por nuk kishin më ujë për ushtrinë dhe për kafshët, që kishin me vete. Atëherë mbreti i Izraelit tha me zë të lartë: «Mjerë ne! ZOTI na paska bashkuar ne, tre mbretërit, për të na dorëzuar te Moabi». Joshafati tha: «A ka këtu ndonjë profet të ZOTIT që me anë të tij të këshillohemi me ZOTIN?». Një nga shërbëtorët e mbretit të Izraelit u përgjigj: «Po, Eliseu, biri i Shafatit, i cili i shërbente Elisë». Joshafati tha: «Fjala e ZOTIT është me të». Atëherë mbreti i Izraelit, Joshafati dhe mbreti i Edomit shkuan tek Eliseu. Eliseu i tha mbretit të Izraelit: «Ç'punë kam unë me ty? Shko te profetët e atit tënd dhe të nënës sate». Por mbreti i Izraelit i tha: «Jo, sepse ZOTI na ka mbledhur ne, tre mbretërit, për të na dorëzuar te Moabi». Atëherë Eliseu i tha: «Pasha ZOTIN e ushtrive, të cilit i shërbej, po të mos ishte për Joshafatin, mbretin e Judës, ty nuk do të të jepja rëndësi e nuk do të të hidhja as sytë. E tani më sillni një muzikant». Teksa muzikanti po i binte veglës muzikore, fuqia e ZOTIT erdhi mbi Eliseun e ai tha: «Kështu thotë ZOTI: hapni sa më shumë gropa në këtë luginë, sepse, siç thotë ZOTI, ndonëse nuk do të shihni as erë e as shi, kjo luginë do të mbushet me ujë e do të pini ju me gjithë bagëtitë e kafshët tuaja. Kjo nuk është asgjë për ZOTIN, sepse ai do t'ju dorëzojë edhe Moabin. Do t'i shkatërroni të gjitha qytetet e fortifikuara dhe të gjitha qytetet e rëndësishme. Do t'i prisni të gjitha pemët e mira, do të mbyllni të gjitha burimet dhe çdo arë të mirë do ta mbushni me gurë». Të nesërmen në mëngjes, në kohën kur po kushtonin flinë, ia behën ujërat nga ana e Edomit dhe i gjithë vendi u mbush me ujë. Kur moabitët dëgjuan se tre mbretërit kishin ardhur për të luftuar kundër tyre, thirrën nën armë të gjithë ata që kishin moshën e që mund të mbanin armë, dhe u rreshtuan në kufi. Në mëngjes, moabitët u ngritën herët, panë diellin, që ndriçonte mbi ujërat dhe i bënte të dukeshin të kuqe si gjaku, e thanë: «Ky është gjak! Mbretërit paskan luftuar me njëri-tjetrin e kanë vrarë njëri-tjetrin. Përpara, o moabitë, rrëmbeni plaçkën e luftës!». Kur iu afruan fushimit të Izraelit, luftëtarët e Izraelit u ngritën e u hodhën në sulm kundër moabitëve. Moabitët morën arratinë, por izraelitët i ndoqën pas e i vranë. Mandej ata shkatërruan qytetet e Moabit dhe tokat e mira i mbushën me gurët që hodhën të gjithë. Burimet e ujërave i mbyllën dhe pemët e mira i prenë. Kishin mbetur vetëm muret e Kir Harashetit, por edhe atë e rrethuan luftëtarët me hobe dhe e sulmuan. Mbreti i Moabit pa se beteja po bëhej tepër e ashpër për të, prandaj mori me vete shtatëqind luftëtarë me shpata e iu vërsul mbretit të Edomit, por nuk ia dolën mbanë. Atëherë ai mori djalin e tij të parëlindur, trashëgimtarin e fronit, dhe e kushtoi si fli shkrumbimi mbi muret e qytetit. Kjo gjë i neveriti izraelitët, saqë u larguan prej andej e u kthyen në tokën e tyre.

2 i Mbretërve 3:1-27 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Jehorami, bir i Ashabit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari vitin e tetëmbëdhjetë të Jozafatit, mbretit të Judës, dhe mbretëroi dymbëdhjetë vjet me radhë. Ai bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit, por jo si i ati i tij dhe nëna e tij, sepse hoqi shtyllën e Baalit, të ndërtuar nga i ati. Megjithatë ai mbeti i lidhur me mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të mëkatojë, dhe nuk u shkëput nga ato. Mesha, mbret i Moabit, ishte një rritës dhensh dhe i paguante mbretit të Izraelit një haraç prej njëqind mijë qengjash dhe leshin e njëqind mijë deshve. Por me vdekjen e Ashabit, mbretit të Moabit u rebelua kundër mbretit të Izraelit. Atëherë mbreti Jehoram doli nga Samaria dhe kërkoi të mblidhet tërë Izraeli; pastaj u nis dhe i çoi fjalë Jozafatit, mbretit të Judës: "Mbreti i Moabit ka ngritur krye kundër meje; a do të vish me mua për të luftuar kundër Moabit?". Ai u përgjigj: "Do të vij, ki besim tek unë ashtu si ke besim tek vetja jote, te populli im ashtu si te populli yt, te kuajt e mi ashtu si te kuajt e tu". Pastaj pyeti: "Nëpër çfarë rruge do të shkojmë?". Jehorami u përgjigj: "Nga rruga e shkretëtirës së Edomit". Kështu mbreti i Izraelit, mbreti i Judës dhe mbreti i Edomit filluan marshimin; mbasi ecën përqark shkretëtirës shtatë ditë, filloi t'i mungojë uji ushtrisë dhe kafshëve që e ndiqnin. Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Sa keq! Zoti i ka thirrur bashkë këta tre mbretër për t'i dorëzuar në duart e Moabit!". Por Jozafati pyeti: "A ka këtu ndonjë profet të Zotit me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin?". Njëri nga shërbëtorët e mbretit të Izraelit u përgjigj dhe tha: "Kemi këtu Eliseun, birin e Shafatit, i cili derdhte ujë mbi duart e Elias". Jozafati tha: "Fjala e Zotit është me të". Kështu mbreti i Izraelit, Jozafati dhe mbreti i Edomit zbritën drejt tij. Por Eliseu i tha mbretit të Izraelit: "Ç'punë kam unë me ty? Shko te profetët e atit tënd dhe të nënës sate!". Mbreti i Izraelit iu përgjigj: "Jo, sepse Zoti i ka thirrur bashkë të këta tre mbretër për t'i dorëzuar në duart e Moabit". Atëherë Eliseu tha: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti i ushtrive, në prani të të cilit ndodhem unë, po të mos ishte për respektin që kam për Jozafatin, mbretin e Judës, nuk do të isha kujdesur aspak për ty dhe nuk do të të kisha begenisur as edhe me një shikim. Por tani më sillni një muzikant". Por ndodhi që, ndërsa muzikanti i binte harpës, dora e Zotit u ndodh mbi Eliseun. Atëherë ai tha: "Kështu flet Zoti: "Gërmoni shumë gropa në këtë luginë". Sepse kështu thotë Zoti: "Ju nuk do të shihni as erë, as shi; megjithatë kjo luginë do të mbushet me ujë; dhe do të pini ju, bagëtia juaj dhe kafshët tuaja të transportit. Por kjo është akoma pak në sytë e Zotit, sepse ai do t'ju japë në dorë edhe Moabin. Ju do të shkatërroni të gjitha qytetet e fortifikuara dhe të gjitha qytetet më të mira, do të rrëzoni të gjithë drurët e mirë, do të zini të gjitha burimet e ujit dhe do të shkatërroni me gurë të gjitha parcelat e mira të tokës"". Të nesërmen, në orën në të cilën ofrohet blatimi i ushqimit, ja që erdhi uji nga ana e Edomit dhe vendi u mbush plot me ujë. Tërë moabitët, që mësuan që këta mbretër kishin dalë për të bërë luftë, mblodhën tërë ata që ishin në gjendje të mbanin armë, të rinj dhe pleq, dhe u rreshtuan në kufi. Kur u ngritën në mëngjes herët, dielli shndriste mbi ujërat; atëherë moabitët panë para tyre ujërat të kuqë si gjak; dhe thanë: "Po ky është gjak! Me siguri këta mbretër janë përleshur dhe kanë vrarë njëri-tjetrin. Kështu, pra, o Moab, të bëjmë plaçkë!". Kështu u sulën drejt kampit të Izraelit; por izraelitët u ngritën dhe i vunë përpara moabitët, që ia mbathën para tyre. Hynë pastaj në vend dhe vazhduan t'i vrasin moabitët. Shkatërruan qytetet; çdo copë tokë të mirë e mbushën me gurë, duke hedhur secili gurin e tij; i zunë të gjitha burimet e ujit dhe prenë tërë drurët e mirë. Në Kir-Hareseth mbetën vetëm gurët, por hobetarët e rrethuan dhe e sulmuan. Mbreti i Moabit, duke parë që beteja ishte tepër e fortë për të, mori me vete shtatëqind veta që vringëllonin shpatat, për të çarë rrugën deri te mbreti i Edomit; por nuk mundën. Atëherë ai mori të parëlindurin e tij që do të mbretëronte në vend të tij, dhe e ofroi si holokaust mbi muret. Pati atëherë një zemërim të madh kundër atyre izraelitëve që u larguan nga ai dhe u kthyen në vendin e tyre.