2 i Mbretërve 2:8-14
2 i Mbretërve 2:8-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë Elia mori gunën, e palosi dhe me të i ra ujit. Uji i lumit u nda më dysh dhe ata kaluan nëpër tokë të thatë. Kur kaluan matanë, Elia i tha Eliseut: «Kërko çfarë do që të bëj për ty para se të më marrë Zoti prej teje». Eliseu u përgjigj: «Të lutem, dua që të vijë mbi mua dyfishi i shpirtit tënd profetik». Elia i tha: «Ke kërkuar një gjë të vështirë. Megjithatë, po të më shohësh kur të më marrë Zoti prej teje, do ta fitosh atë që kërkove. Po të mos më shohësh, nuk do ta fitosh». Ata po ecnin duke biseduar, kur ia behu një karrocë e zjarrtë me kuaj të zjarrtë, që i ndau nga njëri-tjetri. Atëherë Elia u mor në qiell me një vorbull ere. Kur e pa këtë gjë, Eliseu thërriti: «Ati im, o ati im, karroca dhe kalorësia e Izraelit!». Nuk e pa më Elinë, por hoqi rrobat e i shqeu më dysh. Mandej mori gunën, që i kishte rënë Elisë, u kthye dhe qëndroi në breg të Jordanit. Me gunën, që i kishte rënë Elisë, goditi ujin e tha: «Ku është ZOTI, Perëndia i Elisë?». I ra ujit me gunë dhe uji i lumit u nda më dysh. Eliseu kaloi në bregun tjetër.
2 i Mbretërve 2:8-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Elia mori mantelin e tij, e mbështolli dhe rrahu me të ujërat, që u ndanë andej dhe këndej; kështu kaluan që të dy në të thatë. Mbas kalimit, Elia i tha Eliseut: "Kërko çfarë do që unë të bëj, për ty, para se të më largojnë prej teje". Eliseu u përgjigj: "Të lutem, bëj që një pjesë e dyfishtë e frymës tënde të vijë mbi mua". Elia tha: "Ti ke kërkuar një gjë të vështirë; megjithatë, po të më shohësh kur do të më largojnë prej teje, kjo do të të jepet, përndryshe nuk do ta kesh". Ndërsa ecnin duke folur, ata u ndanë nga njëri-tjetri nga një qerre e zjarrtë dhe nga kuaj të zjarrtë, dhe Elia u ngjit në qiell në një shakullinë. Eliseu e pa këtë dhe filloi të bërtasë: "O ati im, o ati im, qerre e Izraelit dhe kalorësia e tij". Pastaj nuk e pa më. Atëherë kapi rrobat e tij dhe i grisi më dysh. Mblodhi pastaj mantelin e Elias që i kishte rënë nga trupi, u kthye prapa dhe u ndal në bregun e Jordanit. Pastaj mori mantelin e Elias që i kishte rënë nga trupi, rrahu ujërat me të dhe tha: "Ku është Zoti, Perëndia i Elias?". Kur edhe ai rrahu ujërat, këto u ndanë sa andej edhe këtej dhe Eliseu kaloi.