2 i Mbretërve 2:1-18
2 i Mbretërve 2:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ja çfarë ndodhi kur ZOTI e mori Elinë me anë të vorbullës në qiell: Elia dhe Eliseu ishin nisur nga Gilgali. Elia i tha Eliseut: «Ti ndalu këtu, se mua ZOTI më ka dërguar deri në Betel». Por Eliseu i tha: «Pasha ZOTIN dhe pasha jetën tënde, nuk të lë vetëm. Kështu, shkuan të dy në Betel». Në Betel, Eliseut i dolën përpara bijtë e profetëve, që rrinin atje, e i thanë: «A e di se sot ZOTI do ta marrë zotërinë tënd lart në qiell?». Ai iu përgjigj: «Po, e di, por heshtni». Pastaj Elia i tha: «Elise, ti qëndro këtu, se mua ZOTI më ka dërguar në Jeriko». Por Eliseu i tha: «Pasha ZOTIN e pasha jetën tënde, nuk të lë vetëm». Kështu, shkuan të dy në Jeriko. Bijtë e profetëve, që rrinin në Jeriko, i dolën përpara Eliseut e i thanë: «A e di se sot ZOTI do ta marrë zotërinë tënd lart në qiell?». Ai iu përgjigj: «Po, e di, por heshtni». Elia i tha sërish Eliseut: «Ti qëndro këtu, se mua ZOTI më ka dërguar në Jordan». Por Eliseu i tha: «Pasha ZOTIN e pasha jetën tënde, nuk të lë vetëm. Kështu, ata u nisën të dy». Edhe pesëdhjetë nga bijtë e profetëve shkuan me ta, por u ndalën përballë tyre në njëfarë largësie, ndërsa Elia me Eliseun u ndalën në breg të Jordanit. Atëherë Elia mori gunën, e palosi dhe me të i ra ujit. Uji i lumit u nda më dysh dhe ata kaluan nëpër tokë të thatë. Kur kaluan matanë, Elia i tha Eliseut: «Kërko çfarë do që të bëj për ty para se të më marrë Zoti prej teje». Eliseu u përgjigj: «Të lutem, dua që të vijë mbi mua dyfishi i shpirtit tënd profetik». Elia i tha: «Ke kërkuar një gjë të vështirë. Megjithatë, po të më shohësh kur të më marrë Zoti prej teje, do ta fitosh atë që kërkove. Po të mos më shohësh, nuk do ta fitosh». Ata po ecnin duke biseduar, kur ia behu një karrocë e zjarrtë me kuaj të zjarrtë, që i ndau nga njëri-tjetri. Atëherë Elia u mor në qiell me një vorbull ere. Kur e pa këtë gjë, Eliseu thërriti: «Ati im, o ati im, karroca dhe kalorësia e Izraelit!». Nuk e pa më Elinë, por hoqi rrobat e i shqeu më dysh. Mandej mori gunën, që i kishte rënë Elisë, u kthye dhe qëndroi në breg të Jordanit. Me gunën, që i kishte rënë Elisë, goditi ujin e tha: «Ku është ZOTI, Perëndia i Elisë?». I ra ujit me gunë dhe uji i lumit u nda më dysh. Eliseu kaloi në bregun tjetër. Bijtë e profetëve që rrinin në Jeriko, kur panë nga larg çfarë ndodhi, thanë: «Shpirti i Elisë ka zbritur mbi Eliseun». Atëherë shkuan për ta takuar Eliseun, u përkulën para tij deri në tokë e i thanë: «Ja, bashkë me ne, shërbëtorët e tu, ndodhen këtu edhe pesëdhjetë burra të fortë. Lëri të shkojnë e të kërkojnë zotërinë tënd, sepse ndoshta shpirti i ZOTIT e ka marrë dhe e ka hedhur në ndonjë mal apo në ndonjë luginë». Eliseu u tha: «Mos i dërgoni». Por ata ngulën këmbë aq shumë, saqë ai pranoi e u tha: «Nisini!». Pesëdhjetë burrat u nisën dhe e kërkuan Elinë për tri ditë, por nuk e gjetën. Atëherë ata u kthyen tek Eliseu, që rrinte në Jeriko. Ai u tha: «A nuk ju thashë të mos shkoni?».
2 i Mbretërve 2:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur Zoti deshi ta çonte në qiell Elian në një shakullinë, Elia u nis nga Gilgali bashkë me Eliseun. Atëherë Elia i tha Eliseut: "Ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më dërgoi deri në Bethel". Por Eliseu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti vetë rron, unë nuk do të lë". Kështu zbritën në Bethel. Dishepujt e profetëve që ishin në Bethel shkuan pastaj ta takojnë Eliseun dhe i thanë: A e di që Zoti do ta çojë sot zotin tënde përmbi ty?". Ai u përgjigj: "Po, e di; heshtni!". Pastaj Elia i tha: "Elise, ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më dërgon në Jeriko". Ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që ti vetë rron, unë nuk do të të lë". Kështu zbritën në Jeriko. Atëherë dishepujt e profetëve që ishin në Jeriko iu afruan Eliseut dhe i thanë: "A e di që Zoti do ta çojë sot zotin tënd përmbi ty?". Ai u përgjigj: "Po, e di; heshtni!". Pastaj Elia i tha: "Ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më çon në Jordan". Ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti rron, unë nuk do të të lë". Kështu e vazhduan rrugën bashkë. Pesëdhjetë veta nga radhët e dishepujve të profetëve shkuan pas tyre dhe u ndalën përballë tyre, nga larg, ndërsa Elia dhe Eliseu u ndalën në bregun e Jordanit. Atëherë Elia mori mantelin e tij, e mbështolli dhe rrahu me të ujërat, që u ndanë andej dhe këndej; kështu kaluan që të dy në të thatë. Mbas kalimit, Elia i tha Eliseut: "Kërko çfarë do që unë të bëj, për ty, para se të më largojnë prej teje". Eliseu u përgjigj: "Të lutem, bëj që një pjesë e dyfishtë e frymës tënde të vijë mbi mua". Elia tha: "Ti ke kërkuar një gjë të vështirë; megjithatë, po të më shohësh kur do të më largojnë prej teje, kjo do të të jepet, përndryshe nuk do ta kesh". Ndërsa ecnin duke folur, ata u ndanë nga njëri-tjetri nga një qerre e zjarrtë dhe nga kuaj të zjarrtë, dhe Elia u ngjit në qiell në një shakullinë. Eliseu e pa këtë dhe filloi të bërtasë: "O ati im, o ati im, qerre e Izraelit dhe kalorësia e tij". Pastaj nuk e pa më. Atëherë kapi rrobat e tij dhe i grisi më dysh. Mblodhi pastaj mantelin e Elias që i kishte rënë nga trupi, u kthye prapa dhe u ndal në bregun e Jordanit. Pastaj mori mantelin e Elias që i kishte rënë nga trupi, rrahu ujërat me të dhe tha: "Ku është Zoti, Perëndia i Elias?". Kur edhe ai rrahu ujërat, këto u ndanë sa andej edhe këtej dhe Eliseu kaloi. Kur dishepujt e profetëve që ishin në Jeriko dhe ndodheshin kështu përballë Jordanit e panë Eliseun, ata thanë: "Fryma e Elias është vendosur mbi Eliseun". Pastaj i dolën përpara, u përkulën deri në tokë përpara tij dhe i thanë: "Ja, ka midis shërbëtorëve të tu pesëdhjetë njerëz të fuqishëm; lëri të shkojnë e të kërkojnë zotin tënde se mos Fryma e Zotit e ka marrë dhe e ka hedhur mbi ndonjë mal apo në ndonjë luginë". Eliseu u përgjigj: "Mos dërgoni njeri". Por ata ngulën këmbë aq shumë sa ai mbeti i hutuar dhe tha: "Çojini". Atëherë ata dërguan pesëdhjetë njerëz për të kërkuar Elian tri ditë me radhë, por nuk e gjetën. Kur ata u kthyen tek Eliseu, që ishte ndalur në Jeriko, ai u tha atyre: "A nuk ju kisha thënë: Mos shkoni?".