2 i Mbretërve 10:10-17
2 i Mbretërve 10:10-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Dijeni, pra, se asnjë nga fjalët që tha ZOTI kundër shtëpisë së Ahabit nuk ra poshtë dhe se ZOTI bëri atë që kishte thënë përmes shërbëtorit të tij, Elisë». Atëherë Jehu vrau të gjithë ata që kishin mbetur në Izrel prej shtëpisë së Ahabit, të gjithë fisnikët, të njohurit dhe priftërinjtë e tij, pa lënë gjallë asnjë prej tyre. Mandej Jehu u ngrit për të shkuar në Samari. Gjatë rrugës, kur po mbërrinte në Beteked të Barinjve, hasi vëllezërit e Ahazjahut, mbretit të Judës, e i pyeti: «Kush jeni ju?». Ata i thanë: «Jemi vëllezërit e Ahazjahut dhe kemi ardhur të përshëndetim bijtë e mbretit dhe bijtë e nënës mbretëreshë». Atëherë Jehu urdhëroi: «Kapini të gjallë!». I kapën të gjallë dhe i vranë pranë pusit të Betekedit. Ishin dyzet e dy burra e nuk shpëtoi asnjë prej tyre. Kur u largua prej andej, Jehu hasi Jehonadabin, birin e Rekabit, i cili ishte nisur për ta takuar. Jehu e bekoi e i tha: «A është besnike zemra jote ndaj meje, siç është besnike zemra ime ndaj teje?». Jehonadabi i tha: «Po». Jehu iu përgjigj: «Nëse është, jepma dorën». Ai zgjati dorën, Jehu e mori me vete në karrocë e i tha: «Eja me mua e shiko zellin tim për ZOTIN». Jehu e mbajti Jehonadabin në karrocën e tij gjatë udhës. Kur mbërritën në Samari, Jehu vrau të gjithë të mbijetuarit e shtëpisë së Ahabit, që gjendeshin në qytet, derisa e shfarosi krejt shtëpinë e Ahabit, sipas fjalës që i kishte thënë ZOTI Elisë.
2 i Mbretërve 10:10-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pranoni, pra, që nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e Zotit që ky ka shqiptuar kundër shtëpisë të Ashabit; Zoti në të vërtetë ka kryer atë që kishte thënë me anë të shërbëtorit të tij Elia". Kështu Jehu bëri që të vdesin tërë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Ashabit në Jezreel, tërë të mëdhenjtë, miqtë dhe priftërinjtë e tij, pa lënë asnjë prej tyre. Pastaj u ngrit dhe shkoi në Samari. Gjatë rrugës, me të arritur në Beth-Eked, Jehu takoi vëllezërit e Ashaziahut, mbretit të Judës, dhe tha: "Kush jeni?". Ata u përgjigjën: "Jemi vëllezërit e Ashaziahut dhe po zbresim për të përshëndetur bijtë e mbretit dhe bijtë e mbretëreshës". Atëherë ai urdhëroi: "Kapini të gjallë!". Kështu i zunë të gjallë dhe i therën pranë pusit të Beth-Ekedit, gjithsej dyzet e dy veta; nuk kursyen as edhe një. U nis që andej dhe gjeti Jehonadabin, birin e Rekabit, që iu kishte dalë para; e përshëndeti dhe i tha: "A është zemra jote e drejtë ashtu siç është imja ndaj teje?". Jehonadabi u përgjigj: "Është". "Eja me mua dhe do të shohësh zellin tim për Zotin!". Pastaj e mori me vete në qerren e tij. Me të arritur në Samari, vrau tërë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Ashabit në Samari, deri në shkatërrimin e plotë të saj, sipas fjalës që Zoti i kishte thënë Elias.