Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 e Korintasve 9:1-15

2 e Korintasve 9:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Është e tepërt t'ju shkruaj për shërbesën e ndihmës për të shenjtët, sepse e njoh vullnetin tuaj të mirë, për të cilin krenohem para maqedonasve duke thënë: «Akaia u bë gati që vitin e shkuar». Zelli juaj ka vënë në lëvizje shumicën e tyre. Megjithatë po ju dërgoj vëllezërit që të vërtetohet se në këtë rast mburrja jonë me ju nuk ka qenë e kotë dhe që ju të jeni gati, sikurse kam thënë se jeni. Përndryshe, nëse vijnë me mua disa maqedonas dhe shohin se nuk jeni gati, ne do të dilnim të turpëruar që u krenuam me ju, për të mos thënë pastaj sesa të turpëruar do të dilnit ju. Prandaj m'u duk e nevojshme t'u kërkoja vëllezërve që të vinin më parë te ju për të bërë gati dhuratën që keni premtuar, në mënyrë që ajo të jetë gati si dhuratë zemërgjerësie e jo kopracie. Sepse, kush mbjell me kursim, do të korrë pak dhe kush mbjell me zemërgjerësi, do të korrë me begati. Secili nga ju le të japë sa t'i dojë zemra, jo me keqardhje e as me detyrim, se Perëndia e do atë që jep me gëzim. Perëndia mund t'ju japë me begati çdo të mirë, në mënyrë që gjithmonë të keni mjaftueshëm prej çdo gjëje e kështu të mund të jepni për çdo vepër të mirë. Sikurse është shkruar: ai shpërndan me zemërgjerësi, u jep të varfërve, drejtësia e tij qëndron në amshim. Ai që i jep farën mbjellësit dhe bukën për të ngrënë, do t'jua japë edhe juve farën për ta mbjellë dhe do ta shumojë. Ai do t'i shumojë frytet e drejtësisë suaj. Ju do të pasuroheni në gjithçka, që të mund të jeni zemërgjerë, dhe shumë veta do të falënderojnë Perëndinë përmes nesh. Kjo shërbesë ndihme jo vetëm që plotëson nevojat e të shenjtëve, por bën edhe që të burojnë shumë falënderime për Perëndinë. Kur të shohin shërbesën tuaj të ndihmës, ata do të përlëvdojnë Perëndinë për bindjen tuaj ndaj ungjillit të Krishtit e për zemërgjerësinë që tregoni ndaj tyre dhe ndaj gjithë të tjerëve. Dhe ata do të luten për ju e do të tregojnë shumë dashuri ndaj jush për shkak të hirit të pashoq që ju dha Perëndia. I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e tij të patregueshme!

2 e Korintasve 9:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Sa për shërbesën në dobi të shenjtorëve, është e tepërt t'ju shkruaj, sepse e njoh gatishmërinë e zemrave tuaja, për të cilën unë mburrem për ju te maqedonasit, se Akaia është gati që vjet; dhe zelli juaj nxiti shumë të tjerë. Unë i dërgova këta vëllezër, që mburrja jonë për ju të mos dalë e kotë për këtë gjë dhe me qëllim, sikurse thosha, të jeni gati, sepse, po të vinin me mua disa maqedonas dhe të mos ju gjenin gati, ne (të mos them ju), do të dilnim të turpëruar për besimin dhe mburrjen tonë. Prandaj m'u duk e nevojshme t'i këshilloj vëllezërit të vijnë te ju më përpara, që të bëjnë gati më parë ofertën që kishit premtuar më parë, kështu që ajo të jetë gati si dhuratë bujarie dhe jo koprracie. Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur. Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar. Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t'ju teprojë për çfarëdo pune të mirë, sikurse është shkruar: ''Ai ndau, u ka dhënë të varfërve, drejtësia e tij mbetet në përjetësi''. Edhe ai që i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë, ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj, dhe i bëftë të rriten frytet e drejtësisë suaj; dhe atëherë do të pasuroheni për të qenë dorëdhënë, duke i sjellë nëpërmjet nesh falënderim Perëndisë. Sepse kryerja e kësaj shërbese të shenjtë jo vetëm përmbush nevojat e shenjtorëve, por sjell edhe një mbushulli falënderimesh ndaj Perëndisë, sepse për shkak të përvojës nga kjo shërbesë, ata e përlëvdojnë Perëndinë për bindjen ndaj ungjillit të Krishtit që ju rrëfeni dhe për bujarinë me të cilën merrni pjesë me ta dhe me të gjithë. Dhe me lutjet e tyre për ju ju shfaqin një dashuri të veçantë për hirin e shkëlqyer të Perëndisë përmbi ju. Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të patregueshme.