2 e Korintasve 8:1-8
2 e Korintasve 8:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Vëllezër, dëshirojmë t'ju tregojmë për hirin e Perëndisë që u është dhuruar kishave të Maqedonisë. Në provën e vështirë të vuajtjeve, gëzimi i tyre qe kaq i madh, saqë u bënë shumë zemërgjerë, edhe pse ishin të varfër. Unë dëshmoj se ata dhanë me dëshirë, sipas mundësive, madje përtej mundësive të tyre. Ata na u lutën me këmbëngulje t'u jepnim nderin për të marrë pjesë në dërgimin e ndihmave në dobi të të shenjtëve. Ata jo vetëm dhuruan më shumë sesa shpresonim, por ia kushtuan veten së pari Zotit dhe pastaj neve, sipas vullnetit të Perëndisë. Kështu, ne i kërkuam Titit që, ashtu siç e kishte filluar tashmë, t'ju ndihmonte ta çonit deri në fund këtë vepër. Tani që jeni të begatë në gjithçka: në besim, në fjalë, në dije e në përkushtim të plotë, dhe tani që gëzoni dashurinë tonë, dëshirojmë të jeni të begatë edhe në këtë vepër. Këtë nuk po e them si urdhër, por, duke ju treguar përkushtimin e të tjerëve, po vë në provë sinqeritetin e dashurisë suaj.
2 e Korintasve 8:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani, o vëllezër, ju bëjmë të ditur hirin e Perëndisë, që u është dhënë kishave të Maqedonisë, se, në mes të shumë sprovave pikëllimi, mbushullia e gëzimit të tyre dhe varfëria e tyre e thellë e treguan në pasuritë e dorëgjerësinë e tyre. Sepse unë dëshmoj se ata kanë dhënë me dëshirë dhe sipas mundësisë së tyre, madje edhe përtej mundësisë së tyre, dhe na u lutën, pa na u ndarë, ta pranojmë dhuratën dhe pjesëmarrjen në ofertën për shenjtorët. Dhe jo vetëm vepruan ashtu si shpresonim, po dhanë veten më përpara te Perëndia dhe pastaj te ne sipas vullnetit të Perëndisë. Kështu ne e këshilluam Titin që, ashtu si e nisi këtë vepër të hirit midis jush, ashtu ta përfundojë. Por sikurse ju jeni të pasur në çdo gjë, në besim, në fjalë e në dituri, në çdo kujdes dhe në dashurinë tuaj ndaj nesh, përpiquni të pasuroni edhe në këtë vepër të hirit. Këtë nuk e them si urdhër, por që me anë të kujdesit të të tjerëve të vë në sprovë sinqeritetin e dashurisë suaj.