Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 e Korintasve 8:1-15

2 e Korintasve 8:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Vëllezër, dëshirojmë t'ju tregojmë për hirin e Perëndisë që u është dhuruar kishave të Maqedonisë. Në provën e vështirë të vuajtjeve, gëzimi i tyre qe kaq i madh, saqë u bënë shumë zemërgjerë, edhe pse ishin të varfër. Unë dëshmoj se ata dhanë me dëshirë, sipas mundësive, madje përtej mundësive të tyre. Ata na u lutën me këmbëngulje t'u jepnim nderin për të marrë pjesë në dërgimin e ndihmave në dobi të të shenjtëve. Ata jo vetëm dhuruan më shumë sesa shpresonim, por ia kushtuan veten së pari Zotit dhe pastaj neve, sipas vullnetit të Perëndisë. Kështu, ne i kërkuam Titit që, ashtu siç e kishte filluar tashmë, t'ju ndihmonte ta çonit deri në fund këtë vepër. Tani që jeni të begatë në gjithçka: në besim, në fjalë, në dije e në përkushtim të plotë, dhe tani që gëzoni dashurinë tonë, dëshirojmë të jeni të begatë edhe në këtë vepër. Këtë nuk po e them si urdhër, por, duke ju treguar përkushtimin e të tjerëve, po vë në provë sinqeritetin e dashurisë suaj. Ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili edhe pse i pasur, u bë i varfër për ju, që të bëheshit të pasur me varfërinë e tij. Për këtë gjë po ju jap një mendim: është në dobinë tuaj që atë që filluat të bëni vitin e shkuar, jo vetëm ta bëni, por edhe të dëshironi ta bëni. Tani çojeni deri në fund atë që keni filluar të bëni. Ashtu siç patët dëshirën për ta filluar, ashtu edhe përfundojeni, sipas mundësive që keni. Sepse, aty ku ka vullnet të mirë, Perëndia pranon sipas asaj që njeriu ka dhe jo sipas asaj që njeriu nuk ka. Këtë nuk e them që të tjerët të lehtësohen e ju të futeni në vështirësi, por e them për hir të barazisë. Tani ju keni mjaftueshëm dhe mund të ndihmoni ata që janë në nevojë, kështu që edhe ata t'ju ndihmojnë kur të kenë mjaftueshëm e kur ju të jeni në nevojë, që të ketë barazi, siç është shkruar: asgjë nuk i teproi atij që kishte shumë, asgjë nuk i mungoi atij që kishte pak.

2 e Korintasve 8:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Tani, o vëllezër, ju bëjmë të ditur hirin e Perëndisë, që u është dhënë kishave të Maqedonisë, se, në mes të shumë sprovave pikëllimi, mbushullia e gëzimit të tyre dhe varfëria e tyre e thellë e treguan në pasuritë e dorëgjerësinë e tyre. Sepse unë dëshmoj se ata kanë dhënë me dëshirë dhe sipas mundësisë së tyre, madje edhe përtej mundësisë së tyre, dhe na u lutën, pa na u ndarë, ta pranojmë dhuratën dhe pjesëmarrjen në ofertën për shenjtorët. Dhe jo vetëm vepruan ashtu si shpresonim, po dhanë veten më përpara te Perëndia dhe pastaj te ne sipas vullnetit të Perëndisë. Kështu ne e këshilluam Titin që, ashtu si e nisi këtë vepër të hirit midis jush, ashtu ta përfundojë. Por sikurse ju jeni të pasur në çdo gjë, në besim, në fjalë e në dituri, në çdo kujdes dhe në dashurinë tuaj ndaj nesh, përpiquni të pasuroni edhe në këtë vepër të hirit. Këtë nuk e them si urdhër, por që me anë të kujdesit të të tjerëve të vë në sprovë sinqeritetin e dashurisë suaj. Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij. Lidhur me këtë po ju jap një këshillë, sepse kjo është e dobishme për ju, që vjet filluat jo vetëm ta bëni, por edhe ta dëshironi. Tani përfundojeni edhe bërjen që, ashtu si qe dëshira për të dëshiruar, kështu të jetë edhe për ta përfunduar sipas mundësive që keni. Sepse, në qoftë se ekziston gatishmëria për të dhënë, ai është i mirëpritur sipas asaj që ka dhe jo sipas asaj që nuk ka. Por jo që ju të shtrëngoheni që të lehtësohen të tjerët, por të ndiqet vetëm një kriter barazimi; që tani mbushullia juaj të plotësojë nevojat e tyre, kështu që edhe mbushullia e tyre të plotësojë nevojat tuaja, që të ketë barazi, sikurse është shkruar: ''Ai që mblodhi shumë, nuk mori më shumë dhe ai që mblodhi pak, nuk mori më pak''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë