Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 e Korintasve 7:2-11

2 e Korintasve 7:2-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Bëni vend për ne në zemrat tuaja. Ne nuk i kemi bërë padrejtësi askujt, nuk kemi dëmtuar askënd dhe nuk kemi shfrytëzuar askënd. Këtë gjë nuk e them për t'ju dënuar, sepse, siç ju kam thënë edhe më parë, ju jeni në zemrat tona dhe ne jemi të bashkuar me ju si në vdekje, edhe në jetë. Unë flas hapur me ju dhe krenohem shumë me ju. Megjithëse kam shumë mundime, gjej shumë ngushëllim e mbushem plot me gëzim. Edhe kur shkuam në Maqedoni, nuk na gjeti trupi prehje, hasëm vështirësi nga të gjitha anët, luftë jashtë e frikë përbrenda. Por Perëndia që i ngushëllon të përulurit, na ngushëlloi me ardhjen e Titit, dhe jo vetëm me ardhjen e tij, por edhe me ngushëllimin që kishte marrë prej jush. Ai na tregoi për mallin, për lotët dhe për dashurinë tuaj të zjarrtë për mua, prandaj u gëzova edhe më shumë. Edhe nëse ju kam trishtuar me letrën time, tani nuk më vjen keq. Megjithëse në fillim më erdhi keq, sepse ajo letër ju trishtoi për ca kohë, tani gëzohem jo se u trishtuat, por sepse ky trishtim, që e kaluat sipas vullnetit të Perëndisë, ju çoi në pendim. Kështu, ne nuk ju bëmë asnjë dëm. Trishtimi që kalojmë sipas vullnetit të Perëndisë të çon në pendimin që sjell shpëtim, për të cilin njeriu nuk ndërron mendje. Përkundrazi, trishtimi që vjen nga shqetësimet e kësaj bote, të çon në vdekje. Shikoni çfarë përkushtimi solli te ju trishtimi sipas vullnetit të Perëndisë! Ju solli dëshirën për të mbrojtur besimin tuaj, zemërimin ndaj së keqes, druajtjen, përmallimin, zellin dhe gatishmërinë për të ndëshkuar të keqen! E keni dëshmuar në të gjitha mënyrat se jeni të pastër në këto gjëra.

2 e Korintasve 7:2-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Na pranoni; ne nuk i kemi bërë padrejtësi askujt, nuk kemi korruptuar askënd, nuk ia hodhëm askujt. Këtë nuk e them për dënim, sepse që më parë iu thashë se jeni në zemrat tona për të vdekur bashkë dhe për të jetuar bashkë. Jam shumë i hapur me ju dhe kam me se të mburrem për ju; jam plot me ngushëllim dhe jam jashtë mase i gëzuar në gjithë shtrëngimin tonë. Sepse, kur erdhëm në Maqedoni, mishi ynë nuk pati fare prehje, por u shtrënguam në të gjitha mënyrat: jashtë betejë, përbrenda frikë. Por Perëndia, që ngushëllon të pikëlluarit, na ngushëlloi me ardhjen e Titit, dhe jo vetëm me ardhjen e tij, por edhe me ngushëllimin që ai pati prej jush; ai na tregoi dëshirën tuaj të madhe, lotët tuaja, zellin tuaj për mua, kaq sa u gëzova më tepër, sepse, ndonëse edhe ju kam trishtuar me letrën time, nuk më vjen keq, ndonëse më pati ardhur keq, sepse shoh se ajo letër, edhe pse për pak kohë, ju trishtoi. Tani po gëzohem, jo sepse u trishtuat, por sepse u trishtuat për pendim, sepse u trishtuat sipas Perëndisë, që të mos ju bëhet juve ndonjë dëm nga ne. Trishtimi sipas Perëndisë në fakt, sjell pendim për shpëtim, për të cilin njeriu nuk i vjen keq, por trishtimi i botës shkakton vdekje. Në fakt, ja sa kujdes shkaktoi te ju pikëllimi sipas Perëndisë, madje sa fjalë për të kërkuar ndjesë, sa zemëratë, sa druajtje, sa dëshirë të zjarrtë, sa zell, sa kënaqësi! Me çdo mënyrë ju e treguat se jeni të pastër në këtë çështje.