Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 e Korintasve 3:1-18

2 e Korintasve 3:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

A mos po fillojmë përsëri t'i rrisim vlerën vetes? Apo mos kemi nevojë edhe ne si disa për letra porosie për ju a prej jush? Letra jonë jeni ju, e shkruar në zemrat tona, që të gjithë njerëzit ta njohin e ta lexojnë. Ju e tregoni se jeni letër e Krishtit, e hartuar prej nesh, jo e shkruar me bojë, por me shpirtin e Perëndisë së gjallë, jo në rrasa guri, por në rrasat e zemrave njerëzore. Ky është besimi që ne kemi në Perëndinë, përmes Krishtit. Ne nuk e mbajmë veten aq të aftë që të mendojmë se vjen ndonjë gjë prej nesh. Aftësia jonë vjen prej Perëndisë që na bëri të aftë të jemi shërbëtorë të besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Shpirtit. Sepse shkronja vret, por Shpirti jep jetë. Nëse besëlidhja e Moisiut, që ishte e gdhendur me shkronja në gur e çonte në vdekje, ishte aq e lavdishme saqë bijtë e Izraelit nuk mund ta shikonin dot Moisiun, për shkak të lavdisë së përkohshme të fytyrës së tij, sa më e lavdishme do të jetë besëlidhja e Shpirtit? Nëse vepra e besëlidhjes që sjell dënimin ishte e rrethuar me lavdi, aq më shumë do të jetë e lavdishme vepra e besëlidhjes që na bën të drejtë. Në të vërtetë ajo që ishte e lavdishme dikur, e humbi lavdinë për shkak të lavdisë së tanishme që është më e madhe. Nëse ajo që ishte e përkohshme ishte e lavdishme, atëherë ajo që mbetet përgjithmonë do të jetë shumë më e lavdishme. Meqenëse kemi një shpresë të tillë, mund të flasim hapur, jo si Moisiu që vuri një vel në fytyrë, me qëllim që bijtë e Izraelit të mos e shihnin fundin e lavdisë që po perëndonte. Por mendjet e tyre u errësuan. Edhe sot e kësaj dite ata e kanë atë vel kur lexojnë besëlidhjen e vjetër dhe nuk e heqin, sepse ai hiqet vetëm nëpërmjet Krishtit. Madje, dhe deri më sot, kur lexohet Moisiu, një vel ndehet në zemrat e tyre. Megjithatë, kur dikush kthehet drejt Zotit, bie veli. Mirëpo Zoti është Shpirti dhe ku është Shpirti i Zotit, atje është liria. Prandaj të gjithë ne që e shohim lavdinë e Zotit si në pasqyrë, pa pasur vel në fytyrë, shndërrohemi në shëmbëllimin e tij nga lavdia në lavdi. Dhe kjo vjen nga Zoti që është Shpirti.

2 e Korintasve 3:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

A fillojmë përsëri të rekomandojmë veten tonë? Apo mos kemi nevojë, si disa, për letra rekomandimi për ju ose për rekomandime nga ana juaj? Ju jeni letra jonë, e shkruar në zemrat tona, e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit, duke qenë manifestuar se jeni një letër e Krishtit, e hartuar me anë të shërbesës sonë, dhe e shkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë, dhe jo mbi rrasa guri, por mbi rrasa të një zemre mishi. Dhe këtë besim ne e kemi në Perëndinë me anë të Krishtit; jo se jemi të aftë prej vetiu të kuptojmë ndonjë gjë sikur vjen nga vetja jonë, por aftësia jonë vjen nga Perëndia, i cili na bëri të aftë të jemi shërbëtorë të besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Frymës, sepse shkronja vret, por Fryma jep jetë. Dhe, në qoftë se shërbimi i vdekjes, që ishte gdhendur me shkronja mbi gurë, qe i lavdishëm aq sa bijtë e Izraelit nuk mund të vështronin me sy fytyrën e Moisiut, për shkak të lavdisë së pamjes së tij, që duhet të anulohej, sa më i lavdishëm do të jetë shërbimi i Frymës? Sepse, nëse shërbimi i dënimit qe rrethuar me lavdi, shumë më tepër do të teprojë në lavdi shërbimi i drejtësisë. Sepse ç'ka është lavdëruar nuk është lavdëruar nga kjo pikëpamje, për shkak të asaj lavdie që e kapërcen çdo masë. Sepse, në qoftë se ajo që duhet të anulohej u rrethua me lavdi, ajo që mbetet do të jetë shumë më e lavdishme. Duke pasur, pra, një shpresë të tillë, flasim me shumë guxim, dhe jo si Moisiu, i cili vinte një vel mbi fytyrën e vet, që bijtë e Izraelit të mos vështronin me sy fundin e asaj që duhej të anulohej. Por mendjet e tyre u errën; sepse, në leximin e besëlidhjes së vjetër, po ky vel mbetet pa u hequr, sepse veli anulohet në Krishtin. Por deri më sot, kur lexohet Moisiu, një vel mbetet mbi zemrat e tyre. Por kur Izraeli të kthehet te Zoti, veli do të hiqet. Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria. Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit.