Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 e Korintasve 13:1-13

2 e Korintasve 13:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Është hera e tretë që do të vij te ju, se çdo padi duhet të jetë e mbështetur në fjalën e dy apo tre dëshmitarëve. Ata që kanë mëkatuar dikur dhe të gjithë të tjerët i kisha paralajmëruar kur isha me ju për herë të dytë dhe po i paralajmëroj edhe tani që nuk jam aty, se nëse vij përsëri nuk do të kursej askënd. Me sa duket ju kërkoni një provë që Krishti flet përmes meje. Dijeni, pra, se Krishti nuk u tregua i dobët mes jush, por i fuqishëm. Vërtet ai u kryqëzua për shkak të dobësisë, por jeton prej fuqisë së Perëndisë. Ne jemi të dobët bashkë me të, por prej fuqisë së Perëndisë do të jetojmë bashkë me të, mes jush. Shqyrtojeni veten për të parë nëse po jetoni me besim. Vëreni veten në provë. A nuk e kuptoni se në ju jeton Jezu Krishti? Nëse nuk e kuptoni këtë, atëherë nuk e keni kaluar provën. Shpresoj se do ta merrni vesh se ne e kemi kaluar provën. Megjithatë ne i lutemi Perëndisë që të mos bëni asnjë të keqe, jo që të duket se ne e kaluam provën, por që ju të bëni çfarë është e drejtë, edhe pse mund të duket se ne dështuam. Ne nuk mund të bëjmë asgjë kundër së vërtetës, por vetëm për të vërtetën. Ne gëzohemi kur ne jemi të dobët e ju jeni të fortë dhe lutemi që ju të përsoseni. Këto gjëra po i shkruaj ndërsa jam larg, që, kur të vij, të mos më duhet të jem i rreptë dhe pushtetin që më ka dhënë Zoti ta përdor për të ndërtuar e jo për të shkatërruar. Së fundi, vëllezër, gëzohuni, ndrequni, ngushëlloni njëri-tjetrin, jini të një mendjeje, jetoni në paqe dhe Perëndia i dashurisë e i paqes qoftë me ju. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Ju përshëndesin të gjithë të shenjtët. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia me Shpirtin e shenjtë qofshin me ju të gjithë!

2 e Korintasve 13:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ja, kjo është e treta herë që po vij te ju. ''Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve''. E thashë edhe më parë, kur isha i pranishëm te ju për të dytën herë, dhe po e them tani që jam larg jush. Po u shkruaj atyre që kanë mëkatuar më përpara dhe të gjithë të tjerëve se, po të vij përsëri, nuk do të kursej njeri. Sepse ju kërkoni provën e Krishtit që flet në mua; dhe ai s'është i dobët ndaj jush, por është i fuqishëm në ju. Sepse, megjithëse ai u kryqëzua në dobësinë e tij, ai po rron nëpërmjet fuqisë së Perëndisë, sepse edhe ne jemi të dobët në të, por do të rrojmë me të nëpërmjet fuqisë së Perëndisë ndaj nesh. Analizoni veten tuaj a jeni në besim; provoni veten tuaj! A thua nuk e njihni vetveten se Jezu Krishti është në ju? Veç në qofshi të përjashtuar. Por unë shpresoj se ju do ta njihni se ne nuk jemi të përjashtuar. Edhe i lutem Perëndisë që të mos bëni ndonjë të keqe, jo që të dukemi të miratuar, por që ju të bëni atë që është e mirë edhe sikur ne të ishim të përjashtuar. Ne në fakt nuk kemi asnjë forcë kundër së vërtetës, por vetëm pro së vërtetës. Sepse ne gëzohemi kur jemi të dobët dhe ju jeni të fortë; dhe ne lutemi edhe për këtë: për përsosjen tuaj. Prandaj i shkruaj këto gjëra, kur jam larg jush, që, kur të jem i pranishëm, të mos sillem me ashpërsi, sipas autoritetit që më ka dhënë Zoti për të ndërtuar e jo për të prishur. Më në fund, o vëllezër, gëzohuni, përsosuni, ngushëllohuni, jini të një mendje, jetoni në paqe; dhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë me ju. Përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë, të gjithë shenjtorët ju përshëndesin.