Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Kronikave 36:17-23

2 i Kronikave 36:17-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Zoti dërgoi kundër tyre mbretin e kaldenjve, i cili ua vrau djemtë me shpatë në shenjtëroren e Zotit e nuk pati mëshirë as për të rinjtë, as për të rejat, as për të rriturit e as për pleqtë. Zoti i la të gjithë në mëshirën e mbretit të kaldenjve. Mbreti Nabukudonosor i mori të gjitha pajisjet e tempullit të Perëndisë, të mëdha e të vogla, thesaret e tempullit të ZOTIT, thesaret e mbretit e të fisnikëve të tij e i çoi të gjitha në Babiloni. Mandej i vunë flakën tempullit të Perëndisë, rrëzuan muret e Jerusalemit, dogjën të gjitha pallatet e tij dhe shkatërruan të gjitha sendet me vlerë. Ata që i shpëtuan shpatës, mbreti i treti në mërgim në Babiloni dhe u bënë skllevër për të e për bijtë e tij, derisa u themelua mbretëria e persëve. Kështu u përmbush fjala e ZOTIT thënë me gojën e Jeremisë se toka do të rrinte e shkretë për shtatëdhjetë vjet, derisa të shpaguheshin të shtunat që nuk ishin mbajtur. Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbretit të Persisë, ZOTI përmbushi atë që kishte thënë përmes Jeremisë dhe e nxiti shpirtin e Kirit, mbretit të Persisë, të shpallte në mbarë mbretërinë e tij këtë vendim të shkruar: «Kështu thotë Kiri, mbreti i Persisë: ZOTI, Perëndia i qiellit, më ka dhënë të gjitha mbretëritë e tokës dhe më ka urdhëruar të ndërtoj për të një tempull në Jerusalem të Judës. Kush nga ju i përket popullit të tij, të kthehet atje dhe ZOTI, Perëndia i tij qoftë me të!».

2 i Kronikave 36:17-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë ai bëri që të dalin kundër tyre mbreti i kaldeasve, që vrau me shpatë të rinjtë e tyre në shtëpinë e shenjtërores së tyre, pa pasur mëshirë për të riun, për virgjëreshën, për plakun ose për flokëthinjurin. Zoti i dha të gjithë në duart e tij. Nebukadnetsari solli në Babiloni të gjitha sendet e shtëpisë së Perëndisë, të mëdha ose të vogla, thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e mbretit dhe të parisë së tij. Pastaj i vunë zjarrin shtëpisë të Perëndisë, rrëzuan muret e Jeruzalemit, u vunë flakën të gjitha pallateve të tij dhe shkatërruan të gjitha sendet me vlerë. Përveç kësaj Nebukadnetsari internoi në Babiloni ata që i kishin shpëtuar shpatës; këta u bënë shërbëtorë të tij dhe të bijve të tij deri në ardhjen e mbretërisë së Persisë, që kështu të realizohej fjala e Zotit që u shqiptua nga goja e Jeremias, derisa vendi të kremtonte të shtunat e tij. Në fakt ai kremtoi të shtunën për gjithë kohën e shkretimit të tij derisa u mbushën të shtatëdhjetë vjetët. Në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë, me qëllim që të realizohej fjala e Zotit që u shqiptua nga goja e Jeremias, Zoti e nxiti frymën e Kirit, mbret të Persisë, që të nxirrte një dekret për "Kështu thotë Kiri, mbret i Persisë: Zoti, Perëndia i qiejve, më ka dhënë tërë mbretëritë e dheut. Ai më ka urdhëruar t'i ndërtoj një shtëpi në Jeruzalem, që është në Judë. Kush nga ju i përket popullit të tij? Zoti, Perëndia i tij, qoftë me të dhe le të niset!".