Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Kronikave 34:1-33

2 i Kronikave 34:1-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Josia ishte tetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për tridhjetë e një vjet në Jerusalem. Ai bëri çka është e drejtë në sytë e ZOTIT dhe ndoqi në çdo hap udhën e Davidit, paraardhësit të tij, pa iu shmangur as djathtas, as majtas. Në vitin e tetë të mbretërimit të tij, teksa ishte ende djalosh, ai filloi të kërkojë Perëndinë e Davidit, paraardhësit të tij, dhe në vitin e dymbëdhjetë filloi të spastronte Judën dhe Jerusalemin prej faltoreve në vende të larta, prej shtyllave të Asherasë, prej shëmbëlltyrave të gdhendura dhe prej idhujve prej metali. Para syve të tij u shkatërruan altarët e Baalëve bashkë me altarët e temjanit mbi to. Shtyllat e Asherasë, shëmbëlltyrat e gdhendura dhe idhujt prej metali i copëtoi e i bëri pluhur dhe pluhurin e tyre e shpërndau mbi varret e atyre që u kishin kushtuar fli. Eshtrat e priftërinjve i dogji mbi altarët e tyre, duke pastruar kështu Judën dhe Jerusalemin. Josia bëri të njëjtën gjë edhe në qytetet e Manaseut, të Efraimit, të Simeonit e deri në qytetet e Neftaliut, kudo nëpër shtëpitë e tyre. Shkatërroi altarët, ndërsa shtyllat e Asherasë dhe shëmbëlltyrat e gdhendura i copëtoi dhe i bëri pluhur. Rrënoi të gjithë altarët ku kushtohej temjan anekënd tokës së Izraelit dhe u kthye në Jerusalem. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, pasi spastroi vendin dhe tempullin, mbreti Josi dërgoi Shafanin, të birin e Acaljahut, Masejahun, qeveritarin e qytetit, dhe Joahun, të birin e Jehoahazit, shkresarin, për të ndrequr tempullin e ZOTIT, Perëndisë së tij. Ata shkuan te kryeprifti Hilkiah dhe i dhanë paratë e hedhura për tempullin e Perëndisë, që portarët levitë kishin mbledhur nga Manaseu e Efraimi, nga pjesa tjetër e Izraelit, nga mbarë Juda e Benjamini dhe nga banorët e Jerusalemit. Paratë ua dhanë përgjegjësve të punëtorëve, që ishin caktuar për tempullin e ZOTIT, e ata ua dhanë punëtorëve që po kryenin meremetimet e dëmtimeve të tempullit të ZOTIT. Ata ua dhanë marangozëve dhe ndërtuesve për të blerë gurë të latuar dhe dru për trarët e tempullit që mbretërit paraardhës të Judës e kishin shkatërruar. Të gjithë këta burra punonin me ndershmëri. Mbikëqyrës të punëtorëve ishin levitët Jahat dhe Abdi, pasardhës të Merarit, si edhe Zakaria e Meshulami, pasardhës të kohatitëve. Të gjithë levitët, që ishin mjeshtra të veglave muzikore, mbikëqyrnin mbartësit dhe drejtonin të gjithë ata që bënin punë të ndryshme. Disa prej levitëve ishin shkrues, kujdestarë dhe derëtarë. Teksa dorëzonin paratë që ishin hedhur në tempullin e ZOTIT, prifti Hilkiah gjeti rrotullën e ligjit të ZOTIT, dhënë përmes Moisiut. Hilkiahu i tha Shafanit, shkruesit: «Kam gjetur në tempullin e ZOTIT rrotullën e ligjit». Hilkiahu ia dha rrotullën Shafanit. Shafani ia solli rrotullën mbretit, e njoftoi e i tha: «Gjithçka që urdhërove të bëhet, shërbëtorët e tu po e kryejnë. Paratë që u gjetën në tempull i mblodhën e ua dhanë përgjegjësve dhe punëtorëve». Pastaj Shafani, shkruesi, i tha mbretit: «Prifti Hilkiah më dha këtë rrotull». Shafani ia lexoi rrotullën mbretit. Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, shqeu rrobat. Atëherë ai i dha këtë urdhër Hilkiahut, Ahikamit, birit të Shafanit, Abdonit, birit të Mikahut, Shafanit, shkruesit, dhe Asajahut, nëpunësit të mbretit: «Shkoni e këshillohuni me ZOTIN për mua, për pjesën e mbetur të Izraelit dhe për mbarë Judën, në lidhje me fjalët e kësaj rrotulle që gjetëm. Zemërimi i ZOTIT kundër nesh duhet të jetë shumë i madh, sepse të parët tanë nuk i kanë dëgjuar fjalët e ZOTIT për të zbatuar gjithçka është shkruar në këtë rrotull». Atëherë Hilkiahu bashkë me ata që kishte dërguar mbreti shkuan për të folur me profeteshën Hulda, gruan e Shalumit, birit të Tokahatit, të birit të Hasraut, ruajtësit të rrobave. Hulda banonte në Jerusalem, në lagjen e re. Ata folën me të e ajo u tha: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: njeriut që ju dërgoi tek unë thuajini se kështu thotë ZOTI: “Ja, unë do të sjell një fatkeqësi të madhe mbi këtë vend e mbi banorët e tij, ashtu siç thonë mallkimet e rrotullës që u lexua para mbretit të Judës, sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë kushtuar temjan perëndive të tjerë, duke ndezur zemërimin tim me të gjitha veprat që kanë bërë. Zemërimi im kundër këtij vendi është ndezur e nuk do të shuhet”. Ndërsa mbretit të Judës, që ju dërgoi të këshilloheni me ZOTIN, do t'i thoni: kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Sa për fjalët që dëgjove, meqenëse zemra jote u zbut dhe ti e përule veten para Perëndisë sapo dëgjove fjalët e tij kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, meqenëse u përule para meje, shqeve rrobat dhe qave para meje, të dëgjova edhe unë”, thotë ZOTI. “Ja, unë do të të preh me paraardhësit e tu, do të varrosesh bashkë me ta në paqe, që sytë e tu të mos e shohin gjithë atë fatkeqësi që do të sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij”». Të dërguarit u kthyen e njoftuan mbretin për këto fjalë. Atëherë mbreti dërgoi lajm të mblidhej e gjithë pleqësia e Judës dhe e Jerusalemit. Mbreti shkoi në tempullin e ZOTIT bashkë me të gjithë banorët e Judës e të Jerusalemit, priftërinjtë, levitët e mbarë popullin, të madh e të vogël. Mbreti lexoi para tyre të gjitha fjalët e rrotullës së besëlidhjes që ishte gjetur në tempullin e ZOTIT. Pastaj mbreti qëndroi në vendin e tij të zakonshëm dhe bëri një besëlidhje para ZOTIT, për të ecur udhës së ZOTIT dhe për të mbajtur urdhërimet, dëshmitë e rregullat e tij me gjithë zemër e me gjithë shpirt, duke i përmbushur të gjitha fjalët e asaj besëlidhjeje, ashtu siç ishin shkruar në atë rrotull. Ai u kërkoi të gjithë atyre që u gjendën në Jerusalem dhe në Benjamin, t'i qëndronin besnikë besëlidhjes. Banorët e Jerusalemit vepruan sipas besëlidhjes së Perëndisë së etërve të tyre. Josia zhduku të gjitha gjërat e neveritshme nga të gjitha trojet, që i përkisnin Izraelit, dhe i detyroi të gjithë ata që jetonin në Izrael t'i shërbenin ZOTIT, Perëndisë së tyre. Kështu, sa qe gjallë Josia ata nuk u larguan nga ZOTI, Perëndia i etërve të tyre.

2 i Kronikave 34:1-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Josia ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tridhjetë e një vjet në Jeruzalem. Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe ndoqi rrugët e Davidit, atit të tij, pa u shmangur as në të djathtë as në të majtë. Në vitin e tetë të mbretërimit të tij, kur ende ishte djalosh, filloi të kërkojë Perëndinë e Davidit, atit të tij, dhe në vitin e dymbëdhjetë filloi ta pastrojë Judën dhe Jeruzalemin nga vendet e larta, nga Asherimët, nga shëmbëlltyrat e gdhendura dhe nga shëmbëlltyrat prej metali të shkrirë. Para tij u shembën altarët e Baalit; përveç tyre shembi altarët e temjanit që ishin mbi ta, bëri copë-copë Asherimët, shëmbëlltyrat e gdhendura dhe shëmbëlltyrat prej metali të shkrirë dhe i bëri pluhur, të cilin e shpërndau mbi varret e atyre që u kishin ofruar flijime. Pastaj dogji kockat e priftërinjve mbi altarët e tyre, dhe kështu pastroi Judën dhe Jeruzalemin. Të njëjtën gjë bëri në qytetet e Manasit, të Efraimit dhe të Simeonit deri në Neftali, me sëpatat e tyre rreth e qark. Kështu ai shkatërroi altarët dhe Asherimët, i bëri pluhur shëmbëlltyrat e gdhendura dhe rrëzoi tërë altarët e temjanit në gjithë vendin e Izraelit, pastaj u kthye në Jeruzalem. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, mbasi pastroi vendin dhe tempullin, dërgoi Shafanin, birin e Atsaliahut, Maaseiahun, qeveritarin e qytetit, dhe Joahun, birin e Joahazit, arkivistin, Ata shkuan te kryeprifti Hilkiah dhe dorëzuan paratë që kishin sjellë në shtëpinë e Perëndisë, që derëtarët levitë kishin mbledhur nga Manasi, nga Efraimi dhe tërë pjesa tjetër e Izraelit, nga tërë Juda dhe Beniamini dhe nga banorët e Jeruzalemit. Pastaj ua dorëzuan punëtorëve të ngarkuar me mbikëqyrjen e shtëpisë të Zotit, të cilët ua dhanë punëtorëve që punonin në shtëpinë e Zotit për ta riparuar dhe për të restauruar tempullin. Ua dorëzuan marangozëve dhe ndërtuesve për të blerë gurë të latuar dhe lëndë druri për armaturat dhe trarët e shtëpive që mbretërit e Judës kishin shkatërruar. Këta njerëz e bënin punën e tyre me besnikëri. Mbikëqyrësit e tyre ishin Jahathi dhe Obadiahu, levitë nga bijtë e Merarit, dhe Zakaria dhe Meshullami nga bijtë e Kehathit, dhe tërë levitët që ishin specialistë të veglave muzikore. Këta mbikëqyrnin gjithashtu mbartësit e peshave dhe drejtonin tërë ata që kryenin punime të çfarëdo lloji; përveç kësaj, disa levitë ishin shkrues, inspektorë dhe derëtarë. Ndërsa po tërhiqeshin paratë që ishin çuar në shtëpinë e Zotit, prifti Hilkiah gjeti librin e Ligjit të Zotit, që ishte dhënë nëpërmjet Moisiut. Atëherë Hilkiahu e mori fjalën dhe i tha sekretarit Shafan: "Kam gjetur në shtëpinë e Zotit librin e ligjit". Pastaj Hilkiahu ia dha librin Shafanit. Shafani ia çoi librin mbretit dhe i tha gjithashtu: "Shërbëtorët e tu po bëjnë atë që u është urdhëruar të bëjnë. Kanë mbledhur paratë e gjetura në shtëpinë e Zotit dhe i kanë dorëzuar në duart e mbikëqyrësve dhe të punëtorëve". Shafani, sekretari, i tha gjithashtu mbretit: "Prifti Hilkiah më dha një libër". Pastaj Shafani e lexoi në prani të mbretit. Por ndodhi që, kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e trupit. Pastaj mbreti i dha këtë urdhër Hilkiahut, Ahikamit, birit të Shafanit, Abdonit, birit të Mikahut, Shafanit, sekretarit, dhe Asajahut, shërbëtorit të mbretit, duke thënë: "Shkoni të konsultoheni Zotin për mua dhe për ata që kanë mbetur në Izrael dhe në Judë, lidhur me fjalët e Librit që u gjet; i madh, pra, është zemërimi i Zotit që ra mbi ne, sepse etërit tanë nuk kanë ndjekur fjalën e Zotit, duke vepruar plotësisht sipas asaj që është shkruar në këtë libër". Kështu Hilkiahu dhe ata që mbreti kishte caktuar shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shallumit, birit të Tokhathit, bir i Hasrathit, ruajtësi i rrobave; (ajo banonte në Jeruzalem në lagjen e dytë), dhe i folën lidhur me këtë çështje. Ajo u përgjigj: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Njoftoni atë që ju ka dërguar tek unë: Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell një fatkeqësi mbi këtë vend dhe mbi banorët e tij, të gjitha mallkimet që janë shkruar në librin, të cilin e kanë lexuar përpara mbretit të Judës. Duke qenë se më kanë braktisur dhe u kanë ofruar temjan perëndive të tjera për të provokuar zemërimin tim me të gjitha veprat e duarve të tyre, zemërimi im do të bjerë mbi këtë vend dhe nuk do të shuhet". Ndërsa mbretit të Judës që ju ka dërguar të këshilloheni me Zotin, njoftojini sa vijon: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me fjalët që ke dëgjuar: "Duke qenë se zemra jote është mallëngjyer, sepse je përulur përpara Perëndisë duke dëgjuar fjalët e tij kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, je përulur para meje, ke grisur rrobat e tua dhe ke qarë para meje, edhe unë të dëgjova", thotë Zoti. "Ja, unë do të të bashkoj me etërit e tu, dhe do të të shtien në paqe në varrin tënd; sytë e tu nuk do të shohin tërë të keqen që unë do t'i sjell këtij vendi dhe banorëve të tij"". Ata ia njoftuan mesazhin mbretit. Atëherë mbreti urdhëroi të mblidhen pranë tij tërë pleqtë e Judës dhe të Jeruzalemit. Pastaj mbreti u ngjit në shtëpinë e Zotit me të gjithë burrat e Judës, me të gjithë banorët e Jeruzalemit, me priftërinjtë, me levitët dhe me tërë popullin, nga më i vogli gjer te më i madhi, dhe këndoi në prani të tyre të gjitha fjalët e librit të besëlidhjes, që ishte gjetur në shtëpinë e Zotit. Pastaj mbreti, duke qëndruar më këmbë mbi podium, bëri një besëlidhje përpara Zotit, duke u zotuar të ndjekë Zotin, të zbatojë urdhërimet e tij, porositë e tij dhe statutet e tij me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, për të vënë në praktikë fjalët e besëlidhjes së shkruar në atë libër. Dhe bëri që të përfshihen besëlidhje tërë ata që ndodheshin në Jeruzalem dhe në Beniamin; banorët e Jeruzalemit vepruan sipas besëlidhjes së Perëndisë, Perëndisë të etërve të tyre. Kështu Josia zhduku tërë gjërat e neveritshme nga të gjitha vendet që u përkisnin bijve të Izraelit dhe i detyroi tërë ata që ishin në Izrael t'i shërbenin Zotit, Perëndisë të tyre. Gjatë gjithë jetës së tij ata nuk hoqën dorë së ndjekuri Zotin, Perëndinë e etërve të tyre.