Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Kronikave 22:1-9

2 i Kronikave 22:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në vend të Jehoramit banorët e Jerusalemit bënë mbret Ahazjahun, djalin e tij të vogël, sepse të gjithë djemtë e tij më të mëdhenj ishin vrarë nga hordhitë që kishin hyrë bashkë me arabët në fushimin e Judës. Kështu, Ahazjahu, biri i Jehoramit, u bë mbreti i Judës. Ahazjahu ishte njëzet e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për një vit në Jerusalem. E ëma e tij quhej Atalia dhe ishte bija e Omriut. Edhe Ahazjahu u soll si shtëpia e Ahabit, sepse ishte e ëma ajo që e këshillonte të bënte ligësi. Ai bëri çka është keq në sytë e ZOTIT, ashtu si shtëpia e Ahabit, sepse, pas vdekjes së të atit, ishin ata që e këshillonin dhe që e çuan drejt shkatërrimit. Ahazjahu ndoqi këshillën e tyre dhe u bashkua me Joramin, birin e Ahabit, mbretit të Izraelit, për të luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Aramit, në Ramot të Gileadit. Arameasit e plagosën Joramin. Jorami u kthye në Izrel për t'u shëruar nga plagët që i shkaktuan arameasit në Ramah gjatë betejës kundër Hazaelit, mbretit të Aramit. Ahazjahu, biri i Jehoramit, mbreti i Judës, shkoi në Izrel për ta takuar Joramin, birin e Ahabit, që dergjej i sëmurë. Por Perëndia kishte vendosur shkatërrimin e Ahazjahut. Kështu, Ahazjahu shkoi te Jorami e iu bashkua për të sulmuar Jehun, birin e Nimshit, të cilin ZOTI e kishte vajosur mbret për të shfarosur shtëpinë e Ahabit. Kur Jehu vendosi drejtësinë e Perëndisë kundër shtëpisë së Ahabit, ai i gjeti zyrtarët e Judës dhe bijtë e vëllezërve të Ahazjahut, teksa i shërbenin atij, e i vrau. Kërkoi edhe Ahazjahun, i cili ishte fshehur në Samari. E kapën, e sollën te Jehu dhe ai e vrau. Mandej e varrosën, sepse thanë: «Është pasardhësi i Joshafatit, i cili ishte dhënë pas ZOTIT me gjithë zemër». Nga shtëpia e Ahazjahut nuk mbeti askush që të mund të mbretëronte.

2 i Kronikave 22:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Banorët e Jeruzalemit shpallën mbret birin e tij më të vogël Ashaziahun, në vend të tij, sepse tërë bijtë më të mëdhenj ishin vrarë nga banda që kishte hyrë në kamp bashkë me arabët. Kështu mbretëroi Ashaziahu, bir i Jehoramit, mbret i Judës. Ashaziahu ishte dyzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi një vit në Jeruzalem. E ëma quhej Athaliah; ishte bij e Omrit. Edhe ai ndoqi rrugët e ndjekura nga shtëpia e Ashabit, sepse e ëma e këshillonte të vepronte në mënyrë të paudhë. Prandaj ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si vepronin ata të shtëpisë së Ashabit, sepse mbas vdekjes së atit të tij këta qenë, për shkatërrimin e tij, këshilltarët e tij. Duke ndjekur këshillën e tyre, ai shkoi me Jehoramin, birin e Ashabit, mbretit të Izraelit të luftojë kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramoth të Galaadit; dhe sirët e plagosën Jehoramin. Kështu ai u kthye në Jezreel për të mjekuar plagët që kishte marrë në Ramah, duke luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Ashaziahu, bir i Jehoramit, mbret i Judës, zbriti për të parë Jehoramin, birin e Ashabit, në Jezreel, sepse ky ishte i sëmurë. Vizita që i bëri Ashaziahu Jehoramit ishte vendosur nga Perëndia për shkatërrimin e tij. Kur arriti në të vërtetë, ai doli me Jehoramin kundër Jehut, birit të Nimshit, që Zoti kishte vajosur për të shfarosur shtëpinë e Ashabit. Ndodhi që, ndërsa Jehu vendoste drejtësi në shtëpinë e Ashabit, u takua me krerët e Judës dhe me bijtë e vëllezërve të Ashaziahut që ishin në shërbim të Ashaziahut dhe i vrau. Urdhëroi gjithashtu ta kërkojnë Ashaziahun dhe e kapën (ai ishte fshehur në Samari); e çuan pastaj tek Jehu që e vrau. Pastaj e varrosën, sepse thoshin: "Është bir i Jozafatit, që e kërkonte Zotin me gjithë zemër". Kështu në shtëpinë e Ashaziahut nuk mbeti më njeri në gjendje të mbretërojë.