Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Kronikave 20:1-29

2 i Kronikave 20:1-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pas këtyre ngjarjeve, moabitët, amonitët dhe disa maonitë u bënë bashkë për të luftuar kundër Joshafatit. Lajmëtarët erdhën e i thanë Joshafatit: «Po vjen të të sulmojë një ushtri shumë e madhe nga përtej detit, nga Arami. Tani ndodhen në Hacecon Tamar që është En Gedi». I tronditur nga frika, Joshafati filloi t'i lutet ZOTIT dhe shpalli agjërimin në mbarë Judën. Banorët e Judës u mblodhën për t'iu përgjëruar ZOTIT, madje për t'iu përgjëruar ZOTIT erdhën nga të gjitha qytetet e Judës. Atëherë Joshafati u ngrit në këmbë para bashkësisë së Judës e të Jerusalemit në tempullin e ZOTIT, para tremes së re, e tha: «O ZOT, Perëndi i etërve tanë! Ti je Perëndia i qiejve dhe ti sundon mbi të gjitha mbretëritë e kombeve. Në dorën tënde është forca dhe pushteti e askush nuk mund të të bëjë ballë. Ti, o Perëndia ynë, i dëbove banorët e kësaj toke para popullit tënd, Izraelit, për t'ia dhënë përgjithmonë pasardhësve të Abrahamit, mikut tënd? Ata banuan në këtë tokë e ndërtuan një shenjtërore për nder të emrit tënd e thanë: Nëse na zë ndonjë fatkeqësi, luftë gjakatare, murtajë apo uri, do të qëndrojmë para këtij tempulli në praninë tënde, sepse në këtë tempull banon vetë emri yt, do të të thërrasim për ndihmë në kohë vështirësish dhe ti do të na dëgjosh e do të na shpëtosh. Ja, tani po na sulmojnë amonitët, moabitët dhe malësorët e Seirit, nëpër tokat e të cilëve nuk e lejove Izraelin të kalojë, kur doli nga vendi i Egjiptit. Izraeli iu shmang trojeve të tyre e nuk i shfarosi. E tani, ata po na e shpërblejnë duke na sulmuar e duke dashur të na dëbojnë prej trashëgimisë që na dhe ti. O Perëndia ynë, a do t'i lësh pa i ndëshkuar? Ne nuk kemi aq forcë sa t'i bëjmë ballë gjithë kësaj morie, që po vjen të na sulmojë, e ngaqë nuk dimë çfarë të bëjmë, i kemi sytë vetëm nga ti». Tërë banorët e Judës, me foshnja, gra e fëmijë, qëndronin në këmbë para ZOTIT. Atëherë, atje në mes të bashkësisë, Shpirti i ZOTIT erdhi mbi Jahazielin, birin e Zakarisë, të birit të Benajahut, të birit të Jejelit, të birit të Matanjahut, një levit nga pasardhësit e Asafit, e ai tha: «Dëgjoni me kujdes, o banorë të Judës e të Jerusalemit dhe ti, o mbret Joshafat! Kështu ju thotë ZOTI: “Mos kini frikë e mos u tmerroni nga kjo hordhi ushtarësh, se nuk do të luftoni ju, por Perëndia. Nesër hidhuni në sulm kundër tyre. Ata do të ngjiten përpjetës së Cicit e ju do t'i prisni në skajin e luginës që ndodhet kundruall shkretëtirës së Jeruelit. Nuk do të jeni ju ata që do të luftoni. Ju do të qëndroni atje në këmbë e do të shikoni sesi ZOTI, që është me ju, do të korrë fitore. O Judë dhe ti, o Jerusalem, mos kini frikë e mos u tmerroni. Shkoni nesër për t'u ndeshur me ta e ZOTI do të jetë me ju”». Atëherë Joshafati u përkul deri në tokë e mbarë populli i Judës e i Jerusalemit ranë përmbys para ZOTIT dhe e adhuruan. Levitët, që ishin nga familjet e kohatitëve dhe të korahitëve, u ngritën për të përlëvduar ZOTIN, Perëndinë e Izraelit, me zë të lartë. Të nesërmen në mëngjes u ngritën herët dhe u nisën për në shkretëtirën e Tekoasë. Teksa po niseshin, Joshafati u ndal e u tha: «Dëgjomëni, o banorë të Judës dhe të Jerusalemit! Kini besim te ZOTI, Perëndia juaj, e do të dilni të fortë. Kini besim te profetët e tij e do të dilni fitimtarë!». Joshafati u këshillua me popullin dhe i vuri këngëtarët e ZOTIT, që ishin veshur me stoli të shenjtëruara, të ecnin përpara ushtrisë, duke kënduar: «Përlëvdojeni ZOTIN, se mirësia e tij mbetet përjetë». Kur filluan të këndojnë himne përlëvdimi, ZOTI ngriti prita kundër amonitëve, moabitëve e malësorëve të Seirit, që kishin ardhur për të sulmuar Judën, e ata u mposhtën. Atëherë amonitët dhe moabitët u hodhën në sulm kundër malësorëve të Seirit për t'i shkatërruar e për t'i shfarosur krejt. Pasi shfarosën malësorët e Seirit, ata iu vërsulën njëri-tjetrit e u vranë. Kur luftëtarët e Judës shkuan në kullën e vrojtimit të shkretëtirës për të vëzhguar hordhitë e armiqve, panë gjithkund kufoma të shtrira përtokë. Asnjë nuk kishte shpëtuar. Joshafati e mbarë populli shkuan për të marrë plaçkën e luftës dhe gjetën mes kufomave aq shumë pasuri, veshje e sende me vlerë, saqë nuk mund t'i mbanin dot. Për tri ditë me radhë mblidhnin plaçka lufte. Aq shumë kishte. Ditën e katërt u mblodhën në luginën e Berakahut dhe atje bekuan ZOTIN. Prandaj ai vend quhet lugina e Bekimit edhe sot e kësaj dite. Mandej të gjithë banorët e Judës dhe të Jerusalemit, me Joshafatin në krye, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh. Këtë gëzim të madh ua kishte dhënë ZOTI, duke i bërë të ngadhënjenin mbi armiqtë. Ata shkuan në Jerusalem dhe hynë në tempullin e ZOTIT me harpa, me qeste e me trumbeta. Frika e Perëndisë i pushtoi të gjitha mbretëritë e tokës, kur dëgjuan se vetë ZOTI kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit.

2 i Kronikave 20:1-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mbas këtyre ngjarjeve ndodhi që bijtë e Moabit, bijtë e Amonit dhe të tjerë me ta së bashku me amonitët erdhën të luftojnë kundër Jozafatit. Kështu erdhën disa të informonin Jozafatin, duke thënë: "Një shumicë e madhe është nisur kundër teje që përtej detit, nga Siria; ja, tani ata janë në Hatsatson-Thamar" (që është En-Gedi). Atëherë Jozafati u tremb dhe filloi të kërkojë Zotin, dhe shpalli një agjërim në gjithë Judën. Kështu ata të Judës u mblodhën për të kërkuar ndihmën e Zotit, dhe nga të gjitha qytetet e Judës vinin për të kërkuar Zotin. Pastaj Jozafati u ngrit më këmbë në mes të asamblesë së Judës dhe të Jeruzalemit në shtëpinë e Zotit përpara oborrit të ri dhe tha: "O Zot, Perëndia i etërve tanë, a nuk je ti Perëndia që është në qiell? Po, ti sundon mbi të gjitha mbretëritë e kombeve, në duart e tua janë forca dhe fuqia dhe nuk ka njeri që mund të të rezistojë. A nuk ke qenë ti, Perëndia ynë, që ke dëbuar banorët e këtij vendi përpara popullit tënd të Izraelit dhe ia ke dhënë përgjithnjë pasardhësve të mikut tënd Abraham? Ata kanë banuar aty dhe kanë ndërtuar një shenjtërore për emrin tënd, duke thënë: "Në rast se na godet një fatkeqësi, shpata, gjykimi apo murtaja ose zia e bukës, ne do të paraqitemi përpara këtij tempulli dhe përpara teje (sepse emri yt është në këtë tempull), do të të klithim ty nga fatkeqësia jonë, ti do të na dëgjosh dhe do të na vish në ndihmë". Dhe ja, tani bijtë e Amonit, të Moabit dhe ata të malit Seir, në territorin e të cilëve nuk e lejove Izraelin të hynte kur ata po dilnin nga Egjipti (prandaj ata qëndruan larg tyre dhe nuk i shkatërruan), dhe ja, tani ata na shpërblejnë, duke ardhur të na dëbojnë nga trashëgimia jote që na ke dhënë në zotërim. O Perëndia ynë, a nuk do t'i dënosh ata? Sepse ne jemi pa forcë përpara kësaj shumice të madhe që vjen kundër nesh; nuk dimë çfarë të bëjmë, por sytë tona janë drejtuar te ti". Tani tërë burrat e Judës, me fëmijët, bashkëshortet dhe bijtë e tyre, rrinin më këmbë përpara Zotit. Atëherë në mes të asamblesë Fryma e Zotit përfshiu Jahazielin, birin e Zakarias, bir i Benajahut, bir i Jeielit, bir i Mataniahut, një Levit nga bijtë e Asafit. Dhe ky tha: "Dëgjoni, ju të gjithë nga Juda, ju banorë të Jeruzalemit dhe ti, o mbret Jozafat! Kështu ju thotë Zoti: "Mos kini frikë, mos u tronditni për shkak të kësaj shumice të madhe, sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë. Nesër hidhuni kundër tyre; ja, ata do të ngjiten nëpër të përpjetën e Tsitsit, dhe ju do t'i gjeni në skajin e luginës përballë shkretëtirës së Jeruelit. Nuk do të jeni ju që do të luftoni në këtë betejë; zini pozicion, qëndroni pa lëvizur dhe do të shihni lirimin e Zotit, që është me ju. O Judë, o Jeruzalem, mos kini frikë dhe mos u tronditni; nesër do të dilni kundër tyre, sepse Zoti është me ju"". Atëherë Jozafati uli për tokë fytyrën e tij, dhe tërë Juda dhe banorët e Jeruzalemit ranë përmbys përpara Zotit dhe e adhuruan. Pastaj levitët, bijtë e kehathitëve dhe të korahitëve, u ngritën për të lëvduar me zë të lartë Zotin, Perëndinë e Izraelit. Mëngjesin vijues u çuan shpejt dhe u nisën për në shkretëtirën e Tekoas; ndërsa po viheshin për rrugë, Jozafati, duke qëndruar në këmbë, tha: Dëgjomëni, o Judë, dhe ju banorë të Jeruzalemit! Besoni Zotin, Perëndinë tuaj, dhe do të jeni të fortë; besoni profetët e tij dhe do të keni mbarësi". Pastaj, pasi u këshillua me popullin, caktoi ata që duhet t'i këndonin Zotit dhe duhet ta lëvdonin për shkëlqimin e shenjtërisë së tij, ndërsa ecnin përpara ushtrisë dhe thoshin: "Kremtoni Zotin, sepse mirësia e tij zgjat përjetë". Kur ata filluan të këndojnë dhe të lëvdojnë, Zoti ngriti një pritë kundër bijve të Amonit dhe të Moabit dhe atyre të malit të Seirit që kishin ardhur kundër Judës, dhe mbetën të mundur. Bijtë e Amonit dhe të Moabit u ngritën kundër banorëve të malit të Seirit për të realizuar shfarosjen dhe shkatërrimin e tyre; mbasi kryen shfarosjen e banorëve të Seirit, ndihmuan njëri-tjetrin për të shkatërruar veten e tyre. Kështu kur ata të Judës arritën në lartësinë prej nga mund të këqyrej shkretëtira, u kthyen nga turma, dhe ja, nuk kishte veçse kufoma të shtrira për tokë, asnjë nuk kishte shpëtuar. Atëherë Jozafati dhe njerëzit e tij shkuan për të marrë plaçkën e luftës; midis tyre gjetën një sasi të madhe pasurish mbi kufomat e tyre dhe sende me vlerë; morën për vete më tepër se sa mund t'i mbartnin; iu deshën tri ditë për të marrë plaçkën, aq e shumtë ishte ajo. Ditën e katërt u mblodhën në Luginën e Bekimit, ku bekuan Zotin; prandaj ky vend quhet Lugina e Bekimit edhe sot. Pastaj tërë njerëzit e Judës dhe të Jeruzalemit, me Jozafatin në krye, u nisën me gëzim për t'u kthyer në Jeruzalem, sepse Zoti u kishte dhënë shkas të gëzohen mbi armiqtë e tyre. Kështu hynë në Jeruzalem me harpa, me qeste dhe me bori dhe u drejtuan nga shtëpia e Zotit. Tmerri i Zotit ra mbi të gjitha mbretëritë e vendeve të tjera, kur mësuan që Zoti kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit.