Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Timoteut 4:1-16

1 Timoteut 4:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Shpirti e thotë qartë se në kohët e fundit disa do të largohen nga besimi, duke dëgjuar shpirtrat e rreme dhe mësimet e djajve. Ata do të mashtrohen nga njerëz hipokritë e gënjeshtarë, ndërgjegjja e të cilëve është damkosur. Ata ndalojnë martesën dhe urdhërojnë të mos hani nga ushqimet që Perëndia i krijoi. Ai i krijoi këto ushqime që, ata që besojnë dhe e njohin të vërtetën, t'i hanë duke e falënderuar. Çdo gjë që Perëndia krijoi është e mirë dhe asgjë nuk është për t'u hedhur nëse merret duke e falënderuar atë, sepse është shenjtëruar nga fjala e Perëndisë dhe nga lutja. Nëse ua mëson këto gjëra vëllezërve, do të jesh një shërbëtor i mirë i Krishtit Jezu, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë që ke ndjekur. Shmangu, pra, nga përrallat e marra dhe profane të plakave dhe ushtroje veten në përkushtimin ndaj Perëndisë, sepse ushtrimi i trupit është pak i dobishëm, por përkushtimi ndaj Perëndisë është i dobishëm për gjithçka. Ky përkushtim mbart premtimin e jetës së tashme dhe asaj të ardhshme. Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë të pranohet plotësisht. Për këtë, pra, po mundohemi e po luftojmë, sepse kemi shpresë në Perëndinë e gjallë që është shpëtimtari i të gjithë njerëzve, sidomos i besimtarëve. Këto gjëra t'ua urdhërosh e t'ua mësosh të tjerëve. Askush të mos e përbuzë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët me fjalë, në sjellje, në dashuri, në besim e në dëlirësi. Kushtoju leximit të fjalës para bashkësisë, këshillimit dhe mësimdhënies derisa të vij unë. Mos e lër pas dore dhuntinë që ke, e cila t'u dha përmes profecisë dhe vënies së duarve nga pleqtë e kishës. Mbaji mend këto gjëra e kushtoju atyre, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë. Kujdesu për veten dhe për mësimin, këmbëngul në këto gjëra, pasi duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.

1 Timoteut 4:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve, që flasin gënjeshtra me hipokrizi, të damkosur në ndërgjegjen e tyre, të cilët do të ndalojnë martesën dhe do të urdhërojnë të mos hani ushqimet që Perëndia i krijoi, të merren me falënderim nga ata që besojnë dhe e njohin të vërtetën. Sepse çdo krijesë e Perëndisë është e mirë dhe asgjë s'është për t'u hedhur, nëse merret me falënderim, sepse është shenjtëruar nga fjala e Perëndisë dhe nga lutja. Duke ua propozuar këto gjëra vëllezërve, ti do të jesh një shërbyes i mirë i Jezu Krishtit, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë, që ke kuptuar plotësisht. Shmangu pra nga përrallat profane dhe të të vjetërve, edhe ushtrohu në perëndishmëri, sepse ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë. Kjo fjalë është e sigurt dhe e denjë për t'u pranuar në çdo mënyrë. Për këtë, në fakt, ne po mundohemi dhe na shajnë, sepse kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve. Urdhëro këto gjëra dhe mëso këto gjëra. Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi. Kushtoju leximit, këshillimit dhe mësimit derisa të vij unë. Mos e lër pas dore dhuntinë që është në ty, e cila të është dhënë me anë profecie, me vënien e duarve nga ana e pleqësisë. Kujdesu për këto gjëra dhe kushtoju atyre tërësisht, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë. Ruaje veten tënde dhe mësimin, qëndro në këto gjëra, sepse, duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.