Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Timoteut 3:1-16

1 Timoteut 3:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kjo fjalë është e besueshme: nëse dikush kërkon të bëhet peshkop, dëshiron një punë të mirë. Peshkopi duhet të jetë i patëmetë, burrë i një gruaje, i kthjellët, i matur, i sjellshëm, mikpritës, mësues i zoti, jo pijanec, jo i dhunshëm, por i durueshëm, jo grindavec, jo lakmitar parash. Ai duhet ta drejtojë mirë shtëpinë e vet e t'i ketë fëmijët të bindur e shumë të sjellshëm. Nëse dikush nuk di sesi të drejtojë shtëpinë e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë? Peshkopi të mos jetë i ri në besim, që të mos i rritet mendja e të mos bjerë në të njëjtin dënim me djallin. Ai duhet të gëzojë edhe respektin e atyre që janë jashtë kishës, që të mos përgojohet e të bjerë në kurthin e djallit. Po ashtu edhe dhjakët duhet të jenë të denjë, jo me dy fytyra, jo të dhënë pas verës së tepërt, as lakmitarë fitimesh të pandershme. Ata duhet ta mbajnë me ndërgjegje të pastër të fshehtën e besimit. Këta le të vihen më parë në provë, pastaj nëse janë të paqortueshëm, le të shërbejnë. Po ashtu gratë e tyre të jenë me dinjitet, të mos shpifin, të jenë të përmbajtura e besnike në gjithçka. Dhjakët të jenë bashkëshortë të një gruaje, t'i drejtojnë mirë fëmijët dhe shtëpitë e tyre. Sepse ata që e kryejnë mirë shërbesën fitojnë një emër të mirë për veten dhe shumë guxim në besimin që është në Krishtin Jezu. Këto gjëra po t'i shkruaj me shpresë se do të vij te ti së shpejti, por nëse vonohem, të dish sesi duhet të sillet njeriu në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe themeli i së vërtetës. Pa dyshim, e madhe është e fshehta e besimit: Perëndia u shfaq në trup njerëzor, u shpall i drejtë nga Shpirti, u pa nga engjëjt, u predikua mes kombeve, u besua në botë, u ngrit në lavdi.

1 Timoteut 3:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kjo fjalë është e sigurt: Në qoftë se dikush dëshiron të bëhet peshkop, dëshiron një punë të mirë." Duhet, pra, që peshkopi të jetë i patëmetë, burrë i një gruaje të vetme, të jetë i përmbajtur, i arsyeshëm, i matur, mikpritës, i zoti të mësojë të tjerët, të mos jepet pas verës, të mos jetë i dhunshëm, të mos jetë lakmues i fitimeve të turpshme, por i butë, jo grindavec, të mos dojë paranë; njeri që e qeveris mirë familjen e vet dhe i ka fëmijët të bindur me çdo lloj mirësjellje; (sepse në qoftë se dikush nuk di të qeverisë familjen e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë?). Të mos jetë i posakthyer në besim, që të mos i rritet mendja dhe të bjerë në gabimet e djallit. Madje duhet që ai të ketë dëshmim të mirë edhe ndër të jashtmit, që të mos shahet dhe të bjerë në lakun e djallit. Gjithashtu dhjakët duhet të jenë dinjitozë, jo me dy faqe në fjalë, të mos jepen pas verës së tepërt, të mos lakmojnë fitime të paligjshme, dhe ta ruajnë misterin e besimit me ndërgjegje të pastër. Edhe këta le të vihen më parë në provë, pastaj ta kryejnë shërbesën e tyre po të jenë të patëmetë. Edhe bashkëshortet e tyre të kenë dinjitet, jo shpifarake, por të përmbajtura dhe besnike në gjithçka. Dhjakët të jenë bashkëshortë të një gruaje të vetme, t'i drejtojnë mirë fëmijët dhe familjet e veta. Sepse ata që e kanë kryer mirë shërbesën, fitojnë reputacion të mirë dhe siguri të madhe në besimin në Jezu Krishtin. Po t'i shkruaj këto gjëra duke shpresuar që të vij së shpejti te ti, por, po u vonova, të dish se si duhet të sillesh në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës. Dhe s'ka asnjë dyshim se misteri i perëndishmërisë është i madh: Perëndia u shfaq në mish, u shfajësua në Frymë, u duk ndër engjëj, u predikua ndër johebrenj, u besua në botë, u ngrit në lavdi.