1 Thesalonikasve 5:11-24
1 Thesalonikasve 5:11-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Prandaj ngushëlloni dhe ndihmoni njëri-tjetrin për t'u rritur në besim, sikurse edhe po bëni. Tani, o vëllezër, ju lutemi t'i vlerësoni ata që Zoti i ka ngarkuar për të qenë drejtuesit tuaj, që ju shërbejnë me mund dhe që ju këshillojnë. Çmojini dhe nderojini me dashuri për punën që bëjnë. Jetoni në paqe mes jush. O vëllezër, ju bëjmë thirrje t'i qortoni ata që nuk jetojnë siç duhet, t'i ngushëlloni zemërlëshuarit, t'i ndihmoni të dobëtit në besim dhe të jeni të duruar me të gjithë. Kini mendjen se mos ndokush ia kthen dikujt të keqen me të keqe. Gjithmonë kërkoni të mirën për njëri-tjetrin dhe për të gjithë. Gëzohuni gjithmonë. Lutuni pa pushim. Falënderoni për çdo gjë, sepse ky është vullneti i Perëndisë për ju përmes Krishtit Jezu. Mos e shuani Shpirtin. Mos i përbuzni profecitë. Shqyrtoni çdo gjë, mbani atë që është e mirë. Hiqni dorë nga çdo lloj ligësie. Vetë Perëndia i paqes ju shenjtëroftë plotësisht dhe gjithë qenia juaj, shpirt, mendje e trup qoftë e paqortueshme kur të vijë Zoti ynë Jezu Krisht. Perëndia që ju thirri është besnik dhe do ta bëjë atë që ka thënë.
1 Thesalonikasve 5:11-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Prandaj ngushëlloni njëri-tjetrin dhe ndërtoni njëri-tjetrin ashtu sikur edhe bëni. Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë, edhe t'i vlerësoni shumë në dashuri për veprën e tyre. Jetoni në paqe midis jush. Tani, vëllezër, ju bëjmë thirrje t'i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë. Vështroni se mos dikush t'ia kthejë dikujt të keqen me të keqen; po kërkoni gjithmonë të mirën edhe te njëri-tjetri edhe te të gjithë. Jini gjithmonë të gëzuar. Lutuni pa pushim. Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju. Mos e shuani Frymën. Mos i përbuzni profecitë. Provoni të gjitha, mbani të mirën. Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë. Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.