Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Thesalonikasve 2:1-12

1 Thesalonikasve 2:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ju e dini, o vëllezër, se ne nuk erdhëm kot te ju. Siç e dini, përpara se të vinim te ju, na keqtrajtuan dhe na poshtëruan në Filipi, por Perëndia na dha guximin për t'ju predikuar ungjillin e tij mes shumë përpjekjesh të mundimshme. Sepse predikimi ynë nuk mbështetej në mashtrime, në ndyrësi e në dredhi, por e predikojmë ungjillin ashtu siç na e besoi Perëndia, pasi dolëm të sprovuar prej tij. Ne nuk predikojmë që t'u pëlqejmë njerëzve, por që t'i pëlqejmë Perëndisë, i cili njeh zemrat tona. Sikurse e dini, ne kurrë nuk kemi përdorur fjalë lajkatuese e as nuk kemi pasur qëllimin për të përfituar, dhe dëshmitar kemi Perëndinë. Ne nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush e as prej të tjerëve. Si apostuj të Krishtit mund t'ju bëheshim barrë, por, përkundrazi, ne u treguam të dhembshur me ju si nëna që kujdeset me ngrohtësi për fëmijët e vet. Ne kishim një dashuri kaq të madhe për ju, saqë ishim të gatshëm jo vetëm t'ju predikonim ungjillin e Perëndisë, por të jepnim edhe jetën për ju. Kaq shumë ju kishim për zemër! Ju e mbani mend, o vëllezër, sesa shumë u munduam e u lodhëm duke punuar natë e ditë, që të mos i bëheshim barrë asnjërit prej jush ndërsa ju predikonim ungjillin e Perëndisë. Ju dhe Perëndia jeni dëshmitarë se sjellja jonë kundrejt jush, besimtarëve, ishte e shenjtë, e drejtë dhe e paqortueshme. Ju e dini se jemi sjellë me çdonjërin prej jush si ati me bijtë e vet. Ju kemi këshilluar, ju kemi dhënë zemër dhe ju jemi përgjëruar që të bëni një jetë të denjë për Perëndinë, i cili ju thirri në mbretërinë dhe lavdinë e vet.

1 Thesalonikasve 2:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Sepse ju vetë, vëllezër, e dini se ardhja jonë ndër ju nuk qe e kotë. Por, mbasi hoqëm më parë dhe mbasi na shanë në Filipi, sikurse e dini, ne morëm guxim në Perëndinë tonë të shpallim ndër ju ungjillin e Perëndisë midis kaq përpjekjesh. Sepse nxitja jonë nuk vjen nga mashtrimi, as nga qëllime të pa ndershme, as nga dredhia; por, duke qenë se u miratuam prej Perëndisë që të na besohet ungjilli, kështu ne flasim jo që t'u pëlqejmë njerëzve, por Perëndisë, që provon zemrat tona. Ne, pra, nuk kemi përdorur kurrë, sikurse e dini mirë, fjalë lajkatuese, dhe as nuk jemi nisur nga motive lakmie; Perëndia është dëshmitar. Dhe nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush, as prej të tjerësh, megjithëse mund t'ju bëheshim barrë si apostuj të Krishtit. Përkundrazi qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj. Kështu, duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush, ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur. Sepse ju, o vëllezër, e mbani mend lodhjen dhe mundimin tonë: si kemi punuar ditë e natë që të mos i bëhemi barrë asnjërit prej jush, dhe predikuam ungjillin e Perëndisë ndër ju. Ju jeni dëshmitarë, dhe Perëndia gjithashtu, si jemi sjellë me shenjtëri, me drejtësi, pa të meta, me ju që besoni. Ju e dini gjithashtu se ne këshilluam, ngushëlluam dhe i jemi përbetuar secilit prej jush, si bën një baba me bijtë e vet, që të ecni denjësisht për Perëndinë, që ju thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij.