Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 9:1-27

1 i Samuelit 9:1-27 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Asokohe jetonte një benjaminas, me emrin Kish. Ai ishte një fisnik benjaminas, biri i Abielit, të birit të Cerorit, të birit të Bekoratit, të birit të Afijahut. Ai kishte një djalë të hijshëm që quhej Saul. Në mbarë Izraelin nuk kishte burrë më të hijshëm se ai. Ai ishte shtatlartë, një kokë më lart se tërë populli. Kishit, të atit të Saulit, i kishin humbur gomaricat, prandaj dhe i tha Saulit, të birit: «Merr me vete një prej djelmoshave e shko të kërkosh gomaricat». Ata përshkuan malësinë e Efraimit dhe tokën e Shalishës, por nuk i gjetën. Kaluan pastaj nëpër tokën e Shalimit, por nuk ishin as aty. Përshkuan edhe tokën e Benjaminit, por nuk i gjetën. Kur arritën në tokën e Cufit, Sauli i tha djaloshit që ishte me të: «Eja të kthehemi, përndryshe im atë në vend që të shqetësohet për gomaricat do të shqetësohet për ne». Ai iu përgjigj: «Në këtë qytet gjendet një njeri i Perëndisë. Ai është njeri me peshë dhe çdo gjë që thotë, ndodh. Eja të shkojmë atje. Ndoshta do të na tregojë për udhëtimin tonë». Sauli i tha shërbëtorit: «Çfarë do t'i çojmë po të shkojmë? Nuk kemi më bukë në strajca e asnjë dhuratë për t'ia dhënë njeriut të Perëndisë. Nuk kemi asgjë». Shërbëtori iu përgjigj sërish: «Ja, kam në dorë një monedhë të vogël argjendi, po ia jap njeriut të Perëndisë që të na udhëzojë për udhëtimin tonë». Asokohe, në Izrael, për njerëzit që donin të pyesnin Perëndinë ishte zakon të thoshin: «Ejani të shkojmë te vegimtari», sepse në atë kohë profetët e sotëm quheshin vegimtarë. Atëherë Sauli i tha shërbëtorit: «Mirë thua, eja të shkojmë». Dhe shkuan në qytetin ku gjendej njeriu i Perëndisë. Teksa po ngjitnin të përpjetën e qytetit, takuan disa vajza që kishin dalë për të nxjerrë ujë e u thanë: «A është këtu vegimtari?». Ato u përgjigjën: «Po, këtu është, e keni përpara. Nxitoni, sepse sapo ka ardhur në qytet dhe populli do të kushtojë sot fli në faltoret në vende të larta. Do ta gjeni kur të hyni në qytet, përpara se të ngjitet për të ngrënë në faltoret në vende të larta. Populli nuk ka për të ngrënë pa mbërritur ai, sepse të ftuarit hanë pasi ta ketë bekuar flinë. Po të ngjiteni tani, do ta gjeni menjëherë». Ata u ngjitën në qytet dhe, kur hynë brenda, e gjetën Samuelin duke dalë për të shkuar te faltoret në vende të larta. ZOTI e kishte njoftuar Samuelin një ditë përpara se të vinte Sauli e i kishte thënë: «Nesër në këtë kohë, do të dërgoj te ti një burrë prej fisit të Benjaminit. Vajose si prijës të popullit tim, Izraelit. Ai do ta shpëtojë popullin tim prej dorës së filistinëve, se e pashë mjerimin që e ka kapluar popullin tim». Kur Samueli e pa Saulin, ZOTI i tha: «Ja, burri për të cilin të fola. Ai ka për ta zotëruar popullin tim». Sauli iu afrua Samuelit në mes të portës e i tha: «Të lutem, më trego ku është shtëpia e vegimtarit?». Samueli iu përgjigj: «Unë jam vegimtari. Shko para meje te faltoret në vende të larta, se do të hamë bashkë sot. Nesër do të të tregoj për gjithçka që ke në zemër e pastaj do të të nis. Sa për gomaricat që të humbën tri ditë më parë, mos u shqetëso, se i kanë gjetur. E kujt do t'i përkasë tërë ëndja e Izraelit, në mos ty e tërë familjes tënde?». Sauli u përgjigj: «A nuk jam unë prej fisit të Benjaminit, prej fisit më të vogël të Izraelit dhe prej familjes më të vogël brenda fisit të Benjaminit? Përse, pra, ma thua këtë fjalë?». Atëherë Samueli e futi brenda në dhomë Saulin e shërbëtorin e tij dhe i vuri në krye të të ftuarve. Aty ishin rreth tridhjetë vetë. Pastaj Samueli i tha gjellëbërësit: «Sille pjesën që të dhashë e për të cilën të thashë ta vije mënjanë». Gjellëbërësi mori kofshën dhe bishtin e ia vuri para Saulit. Samueli i tha: «Ja, pjesa që u vu mënjanë për ty. Ha se është ruajtur për ty për këtë të kremte ku kam ftuar popullin». Sauli hëngri atë ditë bashkë me Samuelin. Kur zbritën në qytet prej faltoreve në vende të larta, i vunë për të fjetur në tarracë. Të nesërmen u ngritën që në të gdhirë. Samueli e thirri Saulin në tarracë e i tha: «Bëhu gati të nisesh». Pasi u bë gati, Sauli e Samueli dolën që të dy përjashta. Teksa po i afroheshin fundit të qytetit, Samueli i tha Saulit: «Thuaji djaloshit të shkojë para nesh». Kur u largua djaloshi, i tha: «Ti ndalu pak që të të njoftoj fjalën e Perëndisë».

1 i Samuelit 9:1-27 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kishte një njeri të Beniaminit, që quhej Kish, ishte bir i Abielit, bir i Tserorit, bir i Bekorathit, bir i Afiahut, bir i një beniaminiti, një njeri i fortë dhe trim. Ai kishte një djalë të quajtur Saul, i ri dhe i bukur, ndër bijtë e Izraelit nuk kishte asnjë më të bukur se ai; që nga supet e lart, ai ua kalonte, për shtat, gjithë njerëzve të tjerë. Gomarët e Kishit, atit të Saulit, kishin humbur; Kishi i tha të birit, Saulit: "merr me vete një nga shërbëtorët, çohu dhe shko të kërkosh gomarët". Kështu ai kaloi nëpër krahinën malore të Efraimit dhe përshkoi vendin e Shalishas, pa i gjetur; pastaj kaloi nëpër vendin e Shaalimit, por nuk ishin as aty; përshkuan pastaj vendin e beniaminitëve, por nuk i gjetën as aty. Kur arritën në vendin e Tsufit, Sauli i tha shërbëtorit të tij që ishte me të: "Çohu, të kthehemi, që të mos ndodhë që im atë të heqë mendjen nga gomaret dhe të fillojë të shqetësohet për ne". Shërbëtori i tha: "Ja, në këtë qytet jeton një njeri i Perëndisë, që e nderojnë shumë; tërë ato që ai thotë, realizohen pa tjetër. Tani le të shkojmë atje; ndofta do të na tregojë rrugën që duhet të ndjekim". Sauli i tha shërbëtorit të tij: "Por ja, në qoftë se shkojmë, çfarë t'i çojmë njeriut të Perëndisë? Sepse buka e thasëve tanë ka mbaruar dhe nuk kemi asnjë dhuratë për t'i çuar njeriut të Perëndisë. Çfarë kemi me vete?". Dhe shërbëtori iu përgjigj Saulit, duke thënë: "Ja, unë kam në dorë një çerek sikli prej argjendi; do t'ia jap njeriut të Perëndisë dhe ai do të na tregojë rrugën që duhet të ndjekim". (Në të kaluarën në Izrael, kur dikush shkonte për t'u këshilluar me Perëndinë, thoshte: "Çohu të shkojmë te shikuesi", sepse profeti i sotëm në të kaluarën quhej shikues). Atëherë Sauli i tha shërbëtorit të tij: "Mirë e the. Çohu të shkojmë!". Dhe u drejtuan nga qyteti ku gjendej njeriu i Perëndisë. Ndërsa merrnin të përpjetën që të çon në qytet, takuan rrugës dy vajza që kishin dalë për të mbushur ujë dhe i pyetën ato: "Këtu është shikuesi?". Ato u përgjigjën duke thënë: "Po, ja ku është pak përpara jush, nxitoni. Sot erdhi në qytet, sepse sot populli duhet të bëjë një flijim në vendin e lartë. Sa të hyni në qytet, do ta gjeni me siguri para se të ngjitet në vendin e lartë për të ngrënë. Populli nuk do të hajë derisa ai të mbërrijë, sepse ai ka për të bekuar flijimin; pastaj të ftuarit do të fillojnë të hanë. Prandaj ngjituni lart, sepse tani do ta gjeni". Kështu u ngjitën në qytet; ndërsa ata hynin në qytet, Samueli dilte në drejtim të tyre për t'u ngjitur në vendin e lartë. Por një ditë para arritjes së Saulit, Zoti e kishte lajmëruar Samuelin duke thënë: "Nesër në këtë orë do të dërgoj një njeri nga vendi i Beniaminit, dhe ti do ta vajosësh si udhëheqës të popullit tim të Izraelit. Ai do ta shpëtojë popullin tim nga duart e filistenjve, sepse pashë mjerimin e popullit tim, sepse britmat e tij arritën deri tek unë". Kur Samueli pa Saulin, Zoti i tha: "Ky është njeriu për të cilin të fola; ai do të mbretërojë mbi popullin tim". Pastaj Sauli iu afrua Samuelit në mes të portës dhe i tha: "Tregomë të lutem, ku është shtëpia e shikuesit". Samueli iu përgjigj Saulit dhe i tha: "Jam unë shikuesi. Ngjitu para meje në kodër; sot do të hani me mua. Nesër në mëngjes do të lë të shkosh dhe do të të tregoj tërë ato që ke në zemër. Për sa u përket gomarëve të tu që të kanë humbur tri ditë më parë, mos u mërzit se i kanë gjetur. E kujt i drejtohet gjithë dëshira e Izraelit, veçse ty dhe tërë shtëpisë së atit tënd?". Sauli, duke u përgjigjur, tha: "A nuk jam unë një beniaminit , një nga fiset më të vogla të Izraelit? Dhe familja ime a nuk është, vallë më e vogla e gjithë familjeve të fisit të Beniaminit? Pse më flet, pra, në këtë mënyrë?". Atëherë Samueli mori Saulin dhe shërbëtorin e tij, i futi në sallë dhe i uli në krye të tryezës të të ftuarve që ishin rreth tridhjetë e pesë veta. Pastaj Samueli i tha gjellëbërësit: "Sill pjesën që të dhashë dhe për të cilën të thashë: "Vëre mënjanë"". Gjellëbërësi mori atëherë kofshën dhe atë që i ngjitej asaj, dhe ia vuri përpara Saulit. Pastaj Samueli tha: "Ja, ajo që u mbajt rezervë, u vu mënjanë për ty; haje se është ruajtur apostafat për ty kur ftova popullin". Kështu atë ditë Sauli hëngri bashkë me Samuelin. Pastaj zbritën nga vendi i lartë në qytet dhe Samueli foli me Saulin mbi tarracë. Të nesërmen u ngritën herët, në të gdhirë. Samueli e thirri Saulin në tarracë, duke i thënë: "Çohu, dhe unë do të lë të shkosh". Sauli u ngrit dhe që të dy, ai dhe Samueli, dolën jashtë. Kur zbritën në periferi të qytetit, Samueli i tha Saulit: "Thuaji shërbëtorit të kalojë para nesh dhe të shkojë përpara, por ti ndalu një çast, në mënyrë që të kem mundësi të të njoftoj fjalën e Perëndisë".