Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 6:1-21

1 i Samuelit 6:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Arka e ZOTIT ndodhej në krahinën e filistinëve prej shtatë muajsh. Filistinët thirrën priftërinjtë e shortarët e u thanë: «Çfarë të bëjmë me arkën e ZOTIT? Na tregoni si ta dërgojmë në vendin e vet?». Ata u përgjigjën: «Nëse e ktheni arkën e Perëndisë së Izraelit, mos e dërgoni duarzbrazur, por me fli faji. Atëherë do të shëroheni e do ta dini përse dora e tij po ju shtypte». Ata thanë: «Çfarë t'i çojmë si fli faji?». Ata u përgjigjën: «Pesë lytha të artë e pesë minj të artë për çdo prijës filistin, se me këto u goditët ju të gjithë e prijësit tuaj. Bëni shëmbëlltyra lythash e minjsh që shkretuan tokën. Kështu do t'i jepni lavdi Perëndisë së Izraelit e ndoshta ai do ta lehtësojë dorën e tij mbi ju, mbi perënditë e tokat tuaja. Përse i ngurtësoni zemrat më kot, siç i ngurtësoi Egjipti e faraoni? A nuk i lanë ata izraelitët të shkojnë, pasi ZOTI u soll ashpër me ta? Prandaj bëni një qerre të re, merrni dy lopë qumështore që nuk janë vënë kurrë në zgjedhë e mbrehini në qerre, ndërsa viçat e tyre mbajini në stallë. Merreni pastaj arkën e ZOTIT dhe vendoseni mbi qerre bashkë me sendet e arta që do t'i sillni si fli faji. Ato vendosini në një kuti përbri. Niseni qerren për udhë. Nëse vini re se ngjitet udhës për Bet Shemesh, atëherë paska qenë Perëndia ai që na ka goditur me këtë fatkeqësi të madhe. Nëse jo, dijeni se nuk ishte dora e tij, por ishte rastësi». Kështu vepruan. Morën dy lopë qumështore, i mbrehën në qerre, ndërsa viçat e tyre i mbajtën në stallë. E vendosën arkën e ZOTIT në qerre bashkë me kutinë, me minjtë e artë e me shëmbëlltyrat e lythave të tyre. Lopët filluan të ecnin drejt udhës për në Bet Shemesh. Ecnin drejt duke pëllitur e nuk shmangeshin as majtas, as djathtas, dhe prijësit e filistinëve i ndiqnin pas derisa mbërritën në kufi të Bet Shemeshit. Ndërkohë në Bet Shemesh korrësit po korrnin grurin nëpër luginë. Kur ngritën sytë e panë arkën, u gëzuan. Qerrja mbërriti e qëndroi tek ara e Jozuehut. Aty ndodhej një gur i madh. Atëherë i thyen drutë e qerres e ia kushtuan lopët ZOTIT si fli shkrumbimi. Levitët e ulën arkën e ZOTIT bashkë me kutinë që mbante orenditë e arta e i vunë mbi gurin e madh. Atë ditë populli i Bet Shemeshit i kushtoi ZOTIT fli shkrumbimi e flijime. Pesë prijësit e filistinëve e panë dhe u kthyen po atë ditë në Ekron. Këto janë lythat e artë që çuan filistinët si fli faji për ZOTIN: një për Ashdodin, një për Gazën, një për Ashkelonin, një për Gatin e një për Ekronin. Edhe pesë minjtë e artë ishin sipas numrit të qyteteve filistine që u përkisnin pesë prijësve, duke përfshirë qytetet e fortifikuara dhe fshatrat e parrethuara. Guri i madh mbi të cilin u vendos arka e ZOTIT gjendet edhe sot e kësaj dite në fushën e Jozuehut, në Bet Shemesh. Perëndia goditi disa banorë të Bet Shemeshit, sepse vështruan arkën e ZOTIT. Ai goditi shtatëdhjetë vetë prej pesëdhjetë mijë banorëve dhe populli vajtoi, se ZOTI i kishte goditur rëndë. Atëherë banorët e Bet Shemeshit thanë: «Kush mund të qëndrojë para ZOTIT, këtij Perëndie të shenjtë? E kujt do t'ia çojmë?». Ata u çuan fjalë banorëve të Kirjat Jearimit e u thanë: «Filistinët na e kthyen arkën e ZOTIT. Ejani e merreni!».

1 i Samuelit 6:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Arka e Zotit mbeti shtatë muaj në vendin e filistenjve. Pastaj filistenjtë mblodhën priftërinjtë dhe shortarët dhe thanë: "Ç'duhet të bëjmë me arkën e Zotit? Na trego mënyrën që duhet të përdorim për ta kthyer përsëri në vendin e saj". Atëherë ata u përgjigjën: "Në qoftë se e ktheni arkën e Perëndisë së Izraelit, mos e ktheni bosh, por dërgoni me të të paktën një ofertë zhdëmtimi; atëherë do të shëroheni dhe do të mësoni pse dora e tij nuk ju ndahej". Ata pyetën: "Çfarë oferte zhdëmtimi do t'i dërgojmë neve?". Ata u përgjigjën: "Pesë hemorroide ari dhe pesë minj ari sipas numrit të princave të filistenjve, sepse e njëjta plagë ka goditur ju dhe princat tuaj. Bëni, pra, disa figura të hemorroideve dhe të minjve tuaj që shkatërrojnë vendin, dhe i thurni lavdi Perëndisë së Izraelit; ndofta ai do ta zbusë dorën e tij mbi ju, mbi perënditë tuaj dhe mbi vendin tuaj. Pse, vallë, e ngurtësoni zemrën tuaj ashtu si egjiptasit dhe Faraoni ngurtësuan zemrën e tyre? Kur kreu gjëra të fuqishme midis tyre, nuk i lanë të shkojnë, dhe kështu ata mundën të shkojnë? Bëni, pra, një qerre të re, pastaj merrni dy lopë qumështore mbi të cilat nuk është vënë kurrë zgjedha dhe i mbrehni lopët në qerre, por i çoni viçat e tyre në stallë larg tyre. Pastaj merrni arkën e Zotit dhe vendoseni mbi qerre; dhe punimet prej ari që i çoni Zotit si ofertë zhdëmtimi i vini në një shportë pranë saj. Dhe rrini e shikoni, në rast se ngjitet nëpër rrugën që të çon në territorin e tij, në Beth-Shemesh, është Zoti që na ka bërë këtë të keqe të madhe; ndryshe do të të mësojmë që nuk ka qenë dora e tij që na ka goditur, por kjo ka ndodhur rastësisht". Ata, pra, vepruan kështu: morën dy lopë qumështore, i mbrehën në qerre dhe mbyllën viçat në stallë. Pastaj vendosën mbi qerre arkën e Zotit dhe shportën me minjtë prej ari dhe figurat e hemorroideve. Atëherë lopët u nisën pikërisht në drejtim të Beth-Shemeshit, duke ndjekur gjithnjë atë rrugë dhe duke pëllitur ndërsa po ecnin, pa u kthyer as djathtas, as majtas. Princat e filistenjve i ndoqën deri në kufirin e Beth-Shemeshit. Banorët e Beth-Shemeshit ishin duke korrur grurin në luginë; duke ngritur sytë, panë arkën dhe u gëzuan qe e panë. Qerrja, pasi arriti në kampin e Jozueut në Beth-Shemesh, u ndal aty. Aty kishte një gur të madh; kështu ata çanë lëndën e drurit të qerres dhe i ofruan lopët si holokauste të Zotit. Levitët hoqën arkën e Zotit dhe shportën që i rrinte pranë dhe në të cilën gjendeshin sendet prej ari, dhe i vendosëm mbi një gur të madh. Po atë ditë njerëzit e Beth-Shemeshit ofruan dhe i bënë flijime Zotit. Mbasi pesë princat e filistenjve panë këtë gjë, po atë ditë u kthyen në Ekron. Këto janë hemorroidet prej ari që filistenjtë i dërguan Zotit si ofertë zhdëmtimi; një për Ashdodin, një për Gazën, një për Askalonin, një për Gathin, një për Ekronin; dhe minjtë prej ari sipas numrit të të gjitha qyteteve të filistenjve që u përkisnin pesë princave, nga qytetet e fortifikuara deri në fshatrat e fushës, deri në gurin e madh e mbi të cilin u vendos arka e Zotit dhe që qëndron deri në ditën e sotme në fushën e Jozueut, bethshemitit. Zoti goditi disa njerëz të Beth-Shemeshit, sepse kishin shikuar brenda arkës së Zotit; ai goditi shtatëdhjetë njerëz të popullit. Populli mbajti zi për ta, sepse Zoti e kishte prekur me një fatkeqësi të madhe. Njerëzit e Beth-Shemeshit thanë: "Kush mund të rezistojë përpara Zotit, këtij Perëndie të shenjtë? Nga kush do të ngjitet arka, kur të niset nga ne?". Kështu u dërguan lajmëtarë banorëve të Kiriath-Jearimit për t'u thënë: "Filistenjtë e kanë kthyer arkën e Zotit; zbrisni dhe çojeni lart te ju".