Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 25:1-39

1 i Samuelit 25:1-39 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Samueli vdiq. Mbarë Izraeli u mblodh dhe e vajtoi. E varrosën në vendlindjen e tij, në Ramah. Atëherë Davidi u ngrit e shkoi në shkretëtirën e Paranit. Në Maon jetonte një burrë shumë i pasur që punonte në Karmel. Ai kishte tre mijë dhen dhe një mijë dhi. Në atë kohë gjendej në Karmel për qethjen e dhenve. Ai quhej Nabal dhe e shoqja quhej Abigajlë. Ajo ishte e mençur dhe e bukur, ndërsa i shoqi i vrazhdë e i lig. Ai ishte prej familjes së Kalebit. Kur Davidi dëgjoi në shkretëtirë se Nabali po qethte dhentë, dërgoi dhjetë djelmosha e u tha: «Shkoni te Nabali në Karmel, përshëndeteni në emrin tim e thuajini: “Të paça me jetë! Paqja qoftë me ty, me shtëpinë tënde e me gjithçka që të përket. Dëgjova se po qeth dhentë. Ti e di se ne nuk i ngacmuam barinjtë e tu kur ishin me ne. Nuk u humbi as një qengj gjatë gjithë kohës që ishin në Karmel. Pyeti djelmoshat e ata do të të tregojnë. Prandaj, priti mirë djelmoshat e mi. Të kemi ardhur në ditë të mirë. Jepu shërbëtorëve të tu dhe birit tënd, Davidit, ç'të të gjendet”». Djelmoshat e Davidit shkuan te Nabali, ia thanë të gjitha këto fjalë në emër të Davidit dhe pritën. Atëherë Nabali iu përgjigj shërbëtorëve të Davidit e u tha: «Kush është Davidi? E kush është biri i Jeseut? Sot ka shumë shërbëtorë që u ikin zotërinjve të tyre! Pse, u dashka ta marr bukën time, ujin tim e flinë time, që kushtova për qethtarët e mi, e t'ua jap disa njerëzve që nuk e di as nga vijnë?». Djelmoshat e Davidit u kthyen e i treguan Davidit gjithçka. Atëherë Davidi u tha njerëzve të tij: «Ngjishni shpatat!». Të gjithë bashkë me Davidin ngjeshën shpatat dhe katërqind burra shkuan pas tij. Dyqind të tjerë ndenjën me pajisjet. Njëri nga djelmoshat foli me Abigajlën, të shoqen e Nabalit, e i tha: «Davidi i dërgoi zotërisë sonë lajmëtarë nga shkretëtira për ta uruar, por ai iu hakërrye. Këta njerëz janë treguar të mirë me ne, nuk na kanë ngacmuar e nuk na ka humbur asgjë kur endeshim me ta nëpër ara. Na u bënë mur mbrojtës natë e ditë gjatë gjithë kohës që kullotnim tufat me ta. Tani, mendohu mirë se çfarë do të bësh, se ka për ta zënë e keqja zotërinë tonë e shtëpinë e tij. Ai është i poshtër e askush nuk i flet dot». Atëherë Abigajla mori me nxitim dyqind bukë, dy kacekë verë, pesë dele të gatuara, pesë masa drithi të pjekur, njëqind vile rrush të thatë e dyqind bukëfiqe e i ngarkoi mbi gomarë. Pastaj u tha shërbëtorëve të vet: «Shkoni para, se unë do të vij pas jush», pa i treguar asgjë Nabalit, të shoqit. Kur ajo po zbriste, hipur mbi gomar, nën hijen e malit, i dolën para Davidi e njerëzit e tij dhe ajo i takoi. Ndërkohë Davidi po thoshte me vete: «Kot ia ruajta gjënë këtij në shkretëtirë pa i humbur asgjë. Ai po ma kthen të mirën me të keqe. Më zi ma bëftë Perëndia nëse deri nesër në të gdhirë i lë gjallë ndonjë mashkull». Kur e pa Davidin, Abigajla zbriti me të shpejtë prej gomarit e ra përdhe para tij me nderim. Ra te këmbët e tij e i tha: «Faji është i imi, imzot, vetëm i imi. Të lutem lëre shërbëtoren tënde të flasë! Dëgjoje fjalën e shërbëtores sate! Të mos shqetësohet imzot për Nabalin, për këtë njeri të poshtër, sepse siç ka emrin, ashtu është, Nabal quhet e i marrë është. Por unë, shërbëtorja jote, nuk i pashë djelmoshat që kishte dërguar imzot. E tani, imzot, pasha ZOTIN e pasha jetën tënde, ZOTI nuk të la të derdhje gjak e të merrje hak me dorën tënde. U bëfshin si Nabali të gjithë armiqtë e tu e të gjithë ata që i duan të keqen timzoti. Prandaj, pranoje këtë dhuratë që shërbëtorja jote i solli timzoti e jepua djelmoshave që ndjekin timzot. Falja shkeljen shërbëtores sate, se ZOTI me të vërtetë do t'i japë timzoti një mbretëri të përhershme. Imzot po lufton betejat e ZOTIT dhe asnjë mbrapshti nuk do të gjendet në ty gjatë gjithë jetës tënde. Edhe nëse ngrihet dikush të të përndjekë e të të marrë jetën, jeta e timzoti do të jetë në shtjellën e të gjallëve pranë ZOTIT, Perëndisë tënd, ndërsa shpirti i armiqve do të vërtitet si guri me hobe. E kur ZOTI t'i përmbushë të gjitha mirësitë që i premtoi timzoti e të të caktojë prijës mbi Izraelin, timzot nuk do ta brejë ndërgjegjja për gjakun që do të derdhte kot apo se do të merrte vetë hak. E kur ZOTI t'i sjellë mirësi timzoti, kujtohu për shërbëtoren tënde». Atëherë Davidi i tha Abigajlës: «Bekuar qoftë ZOTI, Perëndia i Izraelit, që të dërgoi sot për të më takuar. Bekuar qofsh për urtinë që tregove, se sot nuk më le të derdhja gjak e të merrja vetë hak. Pasha Perëndinë e Izraelit, që nuk më la të të bëja keq, po të mos kishe nxituar për të më takuar, Nabalit nuk do t'i kishte mbetur në mëngjes asnjë mashkull». Atëherë Davidi mori prej saj çfarë i kishte sjellë e i tha: «Kthehu e qetë në shtëpi. Ta dëgjova fjalën e po ta plotësoj kërkesën». Abigajla u kthye te Nabali. Ai po festonte në shtëpi si në një gosti mbreti. Ishte i gëzuar e shumë i dehur. Abigajla nuk i tregoi asgjë deri në të gdhirë. Të nesërmen në mëngjes, pasi i doli pija, Abigajla, e shoqja, i tregoi gjithçka. Nabalit i ngriu zemra në kraharor e shtangu si gur. Pas dhjetë ditëve, ZOTI e goditi Nabalin e ai vdiq. Kur mori vesh se Nabali kishte vdekur, Davidi tha: «Bekuar qoftë ZOTI që e shpagoi fyerjen që më bëri Nabali, ai nuk e la shërbëtorin e tij të bënte keq e Nabalit i ra mbi kokë e keqja e vet». Atëherë Davidi dërgoi disa njerëz të flisnin me Abigajlën që ta merrte për grua.

1 i Samuelit 25:1-39 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Samueli vdiq, dhe tërë Izraeli u mblodh dhe e qau, e varrosën në shtëpinë e tij në Ramah. Atëherë Davidi u ngrit dhe zbriti në shkretëtirën e Paranit. Në Maon jetonte një njeri pronat e të cilit ndodheshin në Karmel; ky njeri ishte shumë i pasur; kishte tre mijë dele dhe një mijë dhi, dhe ndodhej në Karmel për të qethur delet e tij. Ky njeri quhej Nabal dhe gruaja e tij Abigail; ajo ishte një grua me gjykim të shëndoshë dhe e hijshme, por burri i saj ishte i ashpër dhe i keq në veprimet e tij; ai rridhte nga Kalebi. Kur Davidi mësoi në shkretëtirë që Nabali ishte duke qethur delet e tij, dërgoi dhjetë të rinj; Davidi u tha të rinjve: "Ngjituni në Karmel, shkoni tek Nabali dhe pyeteni nga ana ime në se është mirë, dhe i thoni kështu: "Shëndet! Paqe ty, paqe shtëpisë sate dhe paqe çdo gjëje që të përket! Mësova që te ti ndodhen qethësit; kur barinjtë e tu ndodheshin te ne, nuk u kemi bërë asnjë të keqe, dhe nuk u ka munguar gjë gjatë kohës që kanë qenë në Karmel. Pyet shërbëtorët e tu dhe do të ta thonë. Paçin hirin tënd këta të rinj, sepse kemi ardhur në një ditë gëzimi; jepu, të lutem, shërbëtorëve të tu dhe birit tënd David ç'të kesh mundësi"". Kështu të rinjtë e Davidit shkuan dhe i njoftuan Nabalit tërë këto fjalë në emër të Davidit, pastaj pritën. Por Nabali iu përgjigj shërbëtorëve të Davidit, duke thënë: "Kush është Davidi dhe kush është biri i Isait? Sot ka shumë shërbëtorë që largohen nga zotërinjtë e tyre. Do të marr, pra, bukën time, ujin tim dhe mishin e kafshëve që kam vrarë për qethësit e mi, për t'ua dhënë njerëzve që unë nuk di se nga vijnë?". Kështu të rinjtë e Davidit morën përsëri rrugën e tyre, u kthyen dhe shkuan të njoftojnë tërë këto fjalë. Atëherë Davidi u tha njerëzve të tij: "Secili do të ngjesh shpatën". Kështu secili ngjeshi shpatën e tij dhe Davidi ngjeshi të vetën; rreth katërqind veta shkuan pas Davidit dhe dyqind mbetën me plaçkat. Por një nga shërbëtorët e lajmëroi Abigailin, gruan e Nabalit, duke thënë: "Ja, Davidi ka dërguar lajmëtarë nga shkretëtira për të përshëndetur zotin tonë, por ai i ka fyer. Mirëpo këta njerëz janë sjellë shumë mirë me ne, nuk na kanë bërë asnjë të keqe dhe nuk ka munguar asgjë në kohën që kemi bredhur bashkë me ta nëpër fusha. Ata kanë qenë për ne një mur mbrojtjeje natën e ditën për gjithë kohën që kemi kullotur bashkë me ta kopenë tonë. Dije dhe shiko atë që duhet të bësh, sepse ka për t'i ngjarë ndonjë fatkeqësi zotit tonë dhe tërë shtëpisë së tij; ai është një njeri aq i keq, sa nuk mund t'i flasësh". Atëherë Abigaili mori me nxitim dyqind bukë, dy calikë verë, pesë dele të gatuara, pesë masa gruri të pjekur, njëqind vile rrush të thatë dhe dyqind bukë fiku dhe i ngarkoi mbi gomarë. Pastaj u tha shërbëtorëve të saj: "Shkoni para meje, unë do t'ju ndjek". Por nuk i tha asgjë Nabalit, burrit të saj. Ndërsa ajo po zbriste hipur mbi gomar nëpër një shteg të fshehur nga mali, Davidi dhe njerëzit e tij zbrisnin në drejtim të saj, dhe ajo i ndeshi ata. Davidi kishte thënë: "Kam ruajtur më kot tërë ato që ai njeri kishte në shkretëtirë. Nuk i ka dalë mangët kurrë asgjë nga tërë ato që kishte, por ai ma ktheu të mirën me të keqe. Kështu ua bëftë Perëndia armiqve të Davidit, madje edhe më keq, në rast se nga të gjitha ato që ai zotëron kam për të lënë të gjallë një mashkull të vetëm deri në mëngjes". Kur Abigaili pa Davidin, zbriti shpejt nga gomari dhe ra përmbys me fytyrën për tokë përpara Davidit. Kështu u shtri në këmbët e tij dhe tha: "O imzot, mbi mua, vetëm mbi mua bie faji! Por lejo shërbëtoren tënde të të flasë, dhe ti dëgjo fjalët e saj. Të lutem, mos ia vër re atij njeriu të neveritshëm, Nabalit, sepse ai është pikërisht ashtu si e ka emrin, ai quhet Nabal dhe karakterizohet nga budallallëku; por unë, shërbëtorja jote, nuk i kam parë të rinjtë e dërguar nga zotëria im. Kështu, pra, imzot, ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që shpirti yt jeton, Zoti të ka penguar të derdhësh gjak dhe të vendosësh drejtësi me duart e tua. Armiqtë e tu dhe ata që duan t'i bëjnë keq zotërisë sime qofshin si Nabali! Dhe tani kjo dhuratë që shërbyesja jote i ka sjellë zotërisë sime, t'u jepet të rinjve që ndjekin zotërinë tim. Por falja fajin shërbëtores sate; me siguri Zoti do ta bëjë të qëndrueshme shtëpinë e zotërisë tim, sepse zotëria im lufton në betejat e Zotit, dhe gjatë tërë kohës së jetës sate nuk është gjetur asnjë e keqe te ti. Në rast se del dikush që të të persekutojë dhe të kërkojë jetën tënde, jeta e zotërisë tim do të ruhet në peshtafin e jetës pranë Zotit, Perëndisë tënd, ndërsa jetën e armiqve të tu Zoti do ta flakë si nga zgavra e një hobeje. Kështu, kur Zoti t'i ketë bërë zotërisë tim të mirat që i ka premtuar dhe të të ketë vënë në krye të Izraelit, kjo gjë nuk do të jetë dhembje për ty, as edhe një brejtje e ndërgjegjes së zotërisë tim; domethënë të ketë derdhur gjak pa shkak dhe të ketë marrë hak me vetëgjyqësi. Por kur Zoti do t'i bëjë të mira zotërisë tim, kujto shërbëtoren tënde". Atëherë Davidi i tha Abigailit: "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot të dërgoi ballë meje! E bekuar qoftë këshilla jote dhe e bekuar qofsh ti që më pengove sot të derdh gjak dhe të vendos drejtësinë me duart e mia! Sepse, sigurisht, ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia i Izraelit, që më ka penguar të të bëjë të keqen, po të mos ishe nxituar të më dilje përpara, në të gdhirë të ditës Nabalit nuk do t'i kishte mbetur asnjë njeri i gjallë". Kështu Davidi mori nga duart e saj ato që ajo kishte sjellë dhe i tha: "Kthehu në paqe në shtëpinë tënde; shiko, unë dëgjova zërin tënd dhe pata respekt për personin tënd". Abigaili u kthye pastaj te Nabali; ai kishte shtruar banket në shtëpinë e tij, një banket prej mbreti. Nabali e kishte zemrën të gëzuar, ishte i dehur xurxull; prandaj ajo nuk i tha asgjë, as pak as shumë, derisa gdhiu. Por të nesërmen në mëngjes, kur efekti i verës kishte kaluar, gruaja i tregoi Nabalit këto gjëra; atëherë zemra iu ligështua dhe ai mbeti si një gur. Rreth dhjetë ditë më vonë Zoti e goditi Nabalin dhe ai vdiq. Kur mësoi që Nabali kishte vdekur, Davidi tha: "Qoftë i bekuar Zoti, që më dha hak për fyerjen e rëndë të Nabalit dhe nuk e lejoi shërbëtorin e tij të kryejë ndonjë të keqe! Zoti bëri që të bjerë mbi kokën e tij ligësia e Nabalit". Pastaj Davidi dërgoi një njeri të flasë me Abigailin, me qëllim që ajo të bëhej bashkëshortja e tij.