Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 2:1-36

1 i Samuelit 2:1-36 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Ana u lut: «Zemra ime ngazëllohet në ZOTIN, ZOTI ma ngriti ballin lart. Kam gojë të flas para armiqve të mi, se në shpëtimin tënd gjej gëzim. S'ka të shenjtë si ZOTI, përveç teje s'ka tjetër. Nuk ka shkëmb përveç Perëndisë tonë. Mjaft me mburrjet e me buzët krenare, se ZOTI është Perëndi i urtë, çdo vepër ai e peshon. Harku i trimave thyhet, të këputurit ngjishen me fuqi. Të ngopurit shesin veten për një copë bukë, ndërsa skamnorët s'kanë më uri. Lind beronja shtatë fëmijë, por shuhet gruaja me shumë bij. ZOTI vret e sjell në jetë, plandos në skëterrë e ngre që andej. ZOTI varfëron e pasuron, përul e lartëson. Ngre nga pluhuri të vobektin, prej hedhurinave të varfrin, që ta ulë me fisnikët e t'i japë për trashëgimi fronin e nderit, se ZOTIT i përkasin shtyllat e tokës, mbi to botën e vendosi ai. Ai ruan këmbët e besnikëve të tij, të paudhët do të heshtin në terr, se prej forcës s'do të ngadhënjejë njeri. Kundërshtarët e ZOTIT do të dërrmohen, kur prej qiellit ai të shkreptijë. Do ta gjykojë ZOTI çdo skaj të tokës e fuqi do t'i japë mbretit të tij, do t'ia ngrejë kokën lart të vajosurit të vet». Elkanahu u kthye në shtëpinë e vet në Ramah. Djaloshi ndenji për t'i shërbyer ZOTIT në prani të priftit Eli. Bijtë e Eliut ishin fëmijë të pahijshëm. Ata nuk donin t'ia dinin për ZOTIN. Kështu e kishin zakon priftërinjtë të silleshin me popullin. Kur ndokush flijonte fli, dilte djali i priftit me sfurk tredhëmbësh në dorë, ndërsa ziente mishi, e zhyste në legen, në kazan, në tavë, apo në kusi dhe çfarëdo që kapte sfurku e merrte për priftin. Ata vepronin kështu me tërë izraelitët që vinin në Shiloh. Madje ndodhte që para se të digjej dhjami, vinte djali i priftit e u thoshte atyre që kushtonin fli: «Më jepni mish që ta pjek për priftin, sepse ai do mish të gjallë e jo të zier». Edhe pse njerëzit i përgjigjeshin: «Merr ç'të duash, por na lër të djegim dhjamin», ai u përgjigjej: «Jo, ma jepni tani, përndryshe do t'jua marr me forcë!». Mëkati i djemve ishte shumë i rëndë para ZOTIT, sepse po përbuznin flinë e ZOTIT. Djaloshi Samuel shërbente në prani të ZOTIT veshur me efod prej liri. E ëma i punonte një gunëz që ia sillte për vit sa herë që vinte bashkë me të shoqin për flinë vjetore. Eliu bekonte Elkanahun e të shoqen: «ZOTI të dhëntë trashëgimtarë të tjerë përmes kësaj gruaje, në vend të djalit që ajo ia fali ZOTIT». Atëherë ata ktheheshin në vendin e vet. ZOTI e pa me sy të mirë Anën, ajo mbeti shtatzënë dhe lindi tre djem e dy vajza. Ndërkohë djaloshi Samuel rritej në prani të ZOTIT. Eliu, në moshë të thyer, mori vesh për gjithçka që bijtë e tij u bënin izraelitëve dhe se ata flinin me gratë që shërbenin në të hyrë të tendës së takimit. Ai u tha: «Përse silleni kështu? Po dëgjoj fjalë të këqija prej gjithë popullit. Mos, bijtë e mi! Nuk po dëgjoj fjalë të mira nga populli i ZOTIT. Nëse dikush mëkaton kundër njeriut, Perëndia është ai që ndërmjetëson, por nëse mëkaton kundër ZOTIT, kush do të ndërmjetësojë për të?». Megjithatë, ata nuk ia dëgjuan fjalën të atit, se ZOTI kishte vendosur t'i vriste. Ndërkohë djaloshi Samuel rritej në shtat. Njerëzit dhe ZOTI e kishin për zemër. Një njeri i Perëndisë erdhi tek Eliu e i tha se kështu thotë ZOTI: «Unë iu dëftova shtëpisë së atit tënd kur ishte ende në Egjipt, nën shtëpinë e faraonit. E zgjodha për prift nga tërë fiset e Izraelit që të dalë para altarit tim për të djegur temjan e për të veshur efodin në praninë time. Tërë flitë e zjarrit që kushtojnë izraelitët ia dhashë shtëpisë së atit tënd. Përse, pra, lakmoni edhe flitë e kushtimet e mia që i urdhërova plot zell? Përse i nderon bijtë e tu më shumë se mua? U majmët duke ngrënë pjesët më të mira të çdo flije që kushton Izraeli, populli im, prandaj, kumton ZOTI, Perëndia i Izraelit: ja, po vijnë ditët kur do të t'i pres krahët ty dhe shtëpisë së atit tënd, që askush prej shtëpisë sate të mos arrijë ditët e pleqërisë. Do t'i shohësh me smirë të mirat e Izraelit, se askush prej shtëpisë sate nuk do t'i arrijë ditët e pleqërisë. Vetëm njërin prej të tuve nuk do ta heq prej altarit tim, por edhe atij do t'i mpaken sytë e do t'i pikëllohet shpirti, ndërsa shumica e familjes tënde do të vdesë në moshën e burrërisë. Kjo do të shërbejë si shenjë për ty: të dy bijtë e tu, Hofniu e Finehasi, do të vdesin në të njëjtën ditë. Do të ngre për vete një prift besnik që do të bëjë ç'kam në zemër e në shpirt. Atij do t'i ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme dhe ai do të shërbejë gjatë gjithë jetës në prani të të vajosurit tim. E, kush të mbetet prej familjes sate do t'i përgjërohet për një kacidhe argjendi apo për një fetë buke e do t'i thotë: “Më lejo, të lutem, të shërbej si prift që të kem një kafshatë bukë!”».

1 i Samuelit 2:1-36 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Ana u lut dhe tha: "Zemra ime ngazëllohet në Zotin, forca ime ngrihet tek i Zoti; goja ime hapet kundër armiqve të mi, sepse gëzohem nga shpëtimi yt. Nuk ka asnjë të shenjtë si Zoti, sepse nuk ka asnjë tjetër veç teje, nuk ka asnjë shkëmb si Perëndia ynë. Mos vazhdoni të flisni me aq mburrje; të mos dalin fjalë arrogante nga goja juaj, sepse Zoti është Perëndia i njohjes dhe ai i peshon veprimet. Dhe harqet e të fuqishmëve thyhen, ndërsa të dobëtit janë pajisur me forcë. Ata që ishin të ngopur shkojnë si punëtorë ditorë për një copë bukë, ndërsa ata që ishin të uritur nuk vuajnë më nga uria. Madje edhe ajo që ishte shterpë, ka pjellë shtatë herë, ndërsa ajo që ka shumë fëmijë është dobësuar. Zoti të bën të vdesësh dhe të bën të jetosh; të zbret në Sheol dhe të ngjit që andej. Zoti të varfëron dhe të pasuron, ai të poshtëron dhe ai të lartëson. Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe e heq të varfrin nga plehrat, në mënyrë që të ulet me princat dhe të trashëgojnë një fron lavdie; sepse shtyllat e dheut i përkasin Zotit, dhe mbi to ai ka mbështetur botën. Ai ruan rrugën që bëjnë shenjtorët e tij, por të pafetë do të vdesin në errësirë, sepse njeriu nuk do të mbizotërojë me anë të forcës. Kundërshtarët e Zotit do të copëtohen; ai do të gjëmojë kundër tyre nga qielli. Zoti do të gjykojë popujt deri në skajet e tokës, do t'i japë forcë mbretit të tij dhe do ta lartojë forcën e të vajosurit të tij". Pastaj Elkanahu u kthye në shtëpinë e tij në Ramah, dhe fëmija qëndroi që t'i shërbejë Zotit në prani të priftit Eli. Bijtë e Elit ishin njerëz të këqij; nuk e njihnin Zotin. Dhe ja si silleshin këta priftërinj me popullin; kur dikush ofronte një flijim, shërbëtori i priftit vinte, kur mishi ziente, me një pirun me tri maja në dorë, dhe e fuste në tenxhere, në kazan apo në kusi, dhe tërë atë që piruni i madh tërhiqte sipër prifti e mbante për vete. Kështu vepronin me tërë izraelitët që shkonin në Shiloh. Edhe para se të digjnin dhjamin, shërbëtori i priftit vinte dhe i thoshte atij që bënte flijimin: "Më jep mish për ta pjekur për priftin, sepse ai nuk do të pranojë prej teje mish të pjekur, por mish të gjallë". Dhe në qoftë se njeriu i thoshte: "Më parë të tymoset dhjami, pastaj të marrësh sa të duash", ai përgjigjej: "Jo, duhet të ma japësh tani; përndryshe do ta marr me forcë". Prandaj mëkati i dy të rinjve ishte shumë i madh përpara Zotit, sepse ata përçmonin ofertat që i bëheshin Zotit. Por Samueli kryente shërbimin para Zotit, megjithëse akoma fëmijë, dhe ishte mbështjellë me një efod prej liri. E ëma i përgatiste një veshje të vogël dhe ia çonte çdo vit kur ngjitej me burrin e saj për të ofruar flijimin vjetor. Atëherë Eli bekonte Elkanahun dhe bashkëshorten e tij, duke thënë: "Zoti të dhëntë fëmijë të tjerë nga kjo grua, me kërkesën që ajo i ka bërë Zotit!". Pastaj ata ktheheshin në shtëpinë e tyre. Kështu Zoti vizitoi Anën, dhe kjo mbeti me barrë dhe lindi tre djem dhe dy vajza. Ndërkaq djali Samuel po rritej pranë Zotit. Por Eli ishte shumë plak dhe dëgjoi të gjitha ato që bijtë e tij i bënin gjithë Izraelit dhe si ata binin në shtrat me gratë që kryenin shërbimin në hyrje të çadrës së mbledhjes; dhe u tha atyre: "Pse bëni gjëra të tilla? Sepse dëgjoj nga tërë populli për veprimet tuaja të këqija. Mos, bijtë e mi, sepse zërat që dëgjoj për ju nuk janë aspak të mira; ju e shtyni popullin e Zotit të mëkatojë. Në rast se një njeri mëkaton kundër një njeriu tjetër, Perëndia e gjykon, por në rast se një njeri mëkaton kundër Zotit, kush do të ndërhyjë për të?". Por ata nuk e dëgjuan zërin e atit të tyre, sepse Zoti dëshironte të vdisnin. Ndërkaq fëmija Samuel po rritej në shtat dhe në mirëdashjen e Zotit dhe të njerëzve. Një njeri i Perëndisë erdhi tek Eli dhe i tha: "Kështu flet Zoti: A nuk u shfaqa në shtëpinë e atit tënd, kur në Egjipt ata ishin skllevër të shtëpisë së Faraonit? Nuk e kam zgjedhur unë midis gjithë fiseve të Izraelit, që të jetë prifti im, të ngjitet te altari im, të djegë temjanin dhe të veshë efodin para meje? Dhe a nuk kam qenë unë ai që i dha shtëpisë së atit tënd tërë flijimet e djegura të bijve të Izraelit të bëra me zjarr? Pse pra i përçmoni flijimet dhe blatimet e mia që kam urdhëruar të bëhen në banesën time, dhe pse nderoni më tepër fëmijët tuaj se mua, duke u trashur me pjesën më të mirë të blatimeve të Izraelit, të popullit tim? Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë kisha shpallur që shtëpia jote dhe shtëpia e atit tënd do të kishin ecur gjithnjë para meje, por tani Zoti thotë: Qoftë larg meje kjo gjë; sepse unë nderoj ata që më nderojnë, por ata që më përçmojnë do të përçmohen gjithashtu nga ana ime. Ja, po vijnë ditët kur unë do të shkatërroj forcën tënde dhe forcën e shtëpisë së atit tënd në mënyrë që të mos ketë më asnjë plak në shtëpinë tënde. Dhe ke për të parë mjerimin e banesës sime, ndonëse dhe Perëndia i ka bërë aq të mira Izraelit, nuk do të ketë kurrë më asnjë plak në shtëpinë tënde. Por ai nga të tutë që nuk kam për të hequr nga altari im do të konsumojë sytë e tu dhe do ta mbushë me trishtim zemrën tënde; dhe tërë pasardhësit e shtëpisë sate do të vdesin në lulen e rinisë. Do të të shërbejë si shenjë ajo që ka për t'u ndodhur dy bijve të tu, Hofnit dhe Finehasit; që të dy do të vdesin në të njëjtën ditë. Por unë do të zgjedh për vete një prift besnik, që ka për të vepruar sipas asaj që ndiej në zemrën dhe në shpirtin tim; unë do t'i ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme, dhe ai ka për të ecur gjithmonë para të vajosurit tim. Dhe kushdo që ka për të mbetur në shtëpinë tënde do të vijë të përulet para tij për një monedhë argjendi dhe një copë buke, dhe do të thotë: "Më prano, të lutem, në një nga detyrat priftërore, që të mund të ha një copë bukë"".

1 i Samuelit 2:1-36

1 i Samuelit 2:1-36 ALBB1 i Samuelit 2:1-36 ALBB1 i Samuelit 2:1-36 ALBB1 i Samuelit 2:1-36 ALBB1 i Samuelit 2:1-36 ALBB

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë