1 i Samuelit 19:1-7
1 i Samuelit 19:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Sauli i tha Jonatanit, birit të vet, dhe të gjithë shërbëtorëve ta vrisnin Davidin. Jonatani, biri i Saulit, e donte shumë Davidin. Ai i tregoi Davidit e i tha: «Sauli, im atë, kërkon të të vrasë, prandaj ki kujdes në mëngjes. Fshihu e mos dil! Unë do të shkoj tek im atë e do të qëndroj pranë tij në arën ku do të fshihesh. Do t'i flas për ty e, nëse vërej gjë, do të të them». Jonatani i foli mirë për Davidin, Saulit, atit të vet, e i tha: «Të mos mëkatojë mbreti kundër Davidit, shërbëtorit të vet, se as ai nuk ka mëkatuar kundër teje. Ai ka bërë vepra të dobishme për ty, ka vënë jetën në rrezik, vrau filistinin e ZOTI i dha fitoren mbarë Izraelit. Ti e pe dhe u ngazëllove. Përse mëkaton kundër gjakut të pafajshëm e kërkon ta vrasësh Davidin pa shkak?». Sauli ia dëgjoi fjalën Jonatanit e u betua: «Pasha ZOTIN nuk do të vritet!». Atëherë Jonatani e thirri Davidin e i tregoi gjithçka. E solli Davidin tek Sauli dhe ai u vu në shërbim të tij si më parë.
1 i Samuelit 19:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Sauli i foli birit të tij Jonathan dhe të gjithë shërbëtorëve të tij që të vritej Davidi. Por Jonathani, bir i Saulit, ndiente një dashuri të madhe për Davidin. Kështu Jonathani e informoi Davidin, duke i thënë: "Sauli, ati im, kërkon të shkaktojë vdekjen tënde; prandaj nesër në mëngjes ruhu, rri në një vend të fshehtë dhe fshiu. Unë do të dal dhe do të qëndroj pranë atit tim në fushën ku ndodhesh ti, dhe do t'i flas për ty atit tim. Do të shoh ç'ka për të ndodhur dhe do të njoftoj". Kështu Jonathani i foli Saulit, atit të tij, në favor të Davidit dhe i tha: "Mbreti të mos bëj mëkat në dëm të shërbëtorit të tij, në dëm të Davidit, sepse ai nuk ka kryer mëkate kundër teje, dhe veprat e tij kanë qenë shumë të vlefshme. Ai ka vënë në rrezik jetën e tij, kur vrau filisteun, dhe Zoti ka kryer një çlirim të madh për gjithë Izraelin. Ti e ke parë dhe je gëzuar; pse duhet të mëkatosh kundër gjakut të pafajshëm, duke shkaktuar vdekjen e Davidit pa shkak?". Sauli dëgjoi zërin e Jonathanit dhe u betua: "Siç është e vërtetë që Zoti rron, ai nuk ka për të vdekur!". Atëherë Jonathani thirri Davidin dhe i njoftoi tërë këto gjëra. Pastaj Jonathani e shpuri përsëri Davidin te Sauli dhe ai qëndroi në shërbim të tij si më parë.