1 i Samuelit 18:5-16
1 i Samuelit 18:5-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Davidit i printe e mbara kudo që e dërgonte Sauli, prandaj ky e vuri në krye të ushtarëve. Populli e shërbëtorët e Saulit e patën për zemër Davidin. Pasi Davidi vrau filistinin, trupat u kthyen dhe gratë nga të gjitha qytetet e Izraelit dolën me këngë e valle për të takuar mbretin Saul, duke u rënë dajreve e qesteve plot hare. Dhe kënduan: «Sauli vrau me mijëra, Davidi me dhjetëra mijëra!». Sauli u zemërua shumë e nuk i pëlqeu kjo, sepse mendoi: «Davidit i numëruan dhjetëra mijëra, ndërsa mua vetëm mijëra. U mbetet vetëm ta bëjnë mbret!». Që prej asaj dite Sauli e shihte me sy të keq Davidin. Të nesërmen shpirti i lig i dërguar prej Perëndisë e pushtoi Saulin e ai u përçart në shtëpi. Davidi po i binte lirës siç bënte përditë, ndërsa Sauli mbante një heshtë në dorë. Sauli e qëlloi me heshtë, se mendoi ta mbërthente Davidin pas murit, por Davidi iu shmang dy herë. Sauli e druante Davidin, se ZOTI ishte larguar prej tij dhe ishte me Davidin. Sauli e largoi prej vetes dhe e bëri kryemijës. Ai i printe popullit e i shkonte mbarë në çdo gjë, sepse ZOTI ishte me të. Sauli e vuri re se Davidit i shkonte shumë mbarë, prandaj filloi ta kishte frikë. Tërë Izraeli e Juda e donte Davidin, se ai i udhëhiqte.
1 i Samuelit 18:5-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Davidi shkonte kudo që Sauli e dërgonte dhe dilte me sukses. Kështu Sauli e vuri në krye të luftëtarëve dhe shihej me sy të mirë nga gjithë populli, madje edhe nga shërbëtorët e Saulit. Gjatë kthimit të tyre, kur Davidi po kthehej nga vrasja e filisteut, gratë e të gjitha qyteteve të Izraelit i dolën para mbretit Saul, duke kënduar dhe hedhur valle me dajre, me thirrje gëzimi dhe me vegla muzikore. Kështu gratë u përgjigjeshin njëra-tjetrës duke kënduar, dhe thoshin: "Sauli vrau mijëshen e tij dhe Davidi dhjetëmijëshen e tij. Kjo gjë e pezmatoi shumë Saulin dhe këto fjalë nuk i pëlqyen; ai tha: "Davidit i njohin dhjetë mijë dhe mua vetëm një mijë. Tani nuk i mungon veçse mbretëria!". Kështu nga ajo ditë Sauli e shikoi me zili Davidin. Të nesërmen një frymë e keqe nga ana e Perëndisë e zotëroi Saulin që sillej si një i marrë në mes të shtëpisë, kurse Davidi i binte harpës me dorën e tij si ditët e tjera dhe Sauli mbante në dorë shtizën. Kështu Sauli e vërtiti shtizën, duke thënë: "Do ta gozhdoj Davidin në mur!". Por Davidi iu shmang goditjes dy herë. Sauli kishte frikë nga Davidi, sepse Zoti ishte me të dhe e kishte braktisur Saulin. Prandaj Sauli e largoi nga vetja dhe e bëri komandant të një mijë njerëzve; dhe ai shkonte e vinte në krye të popullit. Davidit i shkonin mbarë të gjitha veprat, dhe Zoti ishte me të. Sauli, duke parë që atij i shkonte shumë mbarë çdo gjë, kishte frikë prej tij; por tërë Izraeli dhe Juda e donin Davidin, sepse shkonte e vinte në krye të tyre.