1 i Samuelit 18:1-7
1 i Samuelit 18:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Sapo mbaroi së foluri me Saulin, Jonatani u lidh me gjithë shpirt me Davidin. Ai e deshi Davidin si veten. Sauli e mori atë ditë Davidin e nuk e la të kthehej te shtëpia e të atit. Jonatani e Davidi lidhën besën, sepse ai e donte si veten. Jonatani e hoqi petkun e ia dha Davidit. I dha edhe tunikën, shpatën, harkun e brezin e vet. Davidit i printe e mbara kudo që e dërgonte Sauli, prandaj ky e vuri në krye të ushtarëve. Populli e shërbëtorët e Saulit e patën për zemër Davidin. Pasi Davidi vrau filistinin, trupat u kthyen dhe gratë nga të gjitha qytetet e Izraelit dolën me këngë e valle për të takuar mbretin Saul, duke u rënë dajreve e qesteve plot hare. Dhe kënduan: «Sauli vrau me mijëra, Davidi me dhjetëra mijëra!».
1 i Samuelit 18:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur mbaroi së foluri me Saulin, shpirti i Jonathanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit, dhe Jonathani e deshi si shpirtin e vet. Po atë ditë Sauli e mori me vete dhe nuk e lejoi të kthehet në shtëpinë e atit të tij. Kështu Jonathani lidhi një besëlidhje me Davidin, sepse e donte si shpirtin e vet. Pastaj Jonathani hoqi mantelin që kishte veshur dhe ia dha Davidit, dhe i shtoi gjithashtu rrobat, shpatën, harkun dhe brezin e tij. Davidi shkonte kudo që Sauli e dërgonte dhe dilte me sukses. Kështu Sauli e vuri në krye të luftëtarëve dhe shihej me sy të mirë nga gjithë populli, madje edhe nga shërbëtorët e Saulit. Gjatë kthimit të tyre, kur Davidi po kthehej nga vrasja e filisteut, gratë e të gjitha qyteteve të Izraelit i dolën para mbretit Saul, duke kënduar dhe hedhur valle me dajre, me thirrje gëzimi dhe me vegla muzikore. Kështu gratë u përgjigjeshin njëra-tjetrës duke kënduar, dhe thoshin: "Sauli vrau mijëshen e tij dhe Davidi dhjetëmijëshen e tij.