Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 17:41-50

1 i Samuelit 17:41-50 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Edhe filisteu përparoi duke iu afruar gjithnjë e më tepër Davidit, ndërsa shqytari i tij e paraprinte. Filisteu shikonte me kujdes dhe, me të parë Davidin, e përçmoi sepse ishte vetëm një i ri, kuqalash dhe i hijshëm. Filisteu i tha Davidit: "Mos jam vallë një qen që po del kundër meje me shkop në dorë?". Dhe filisteu e mallkoi Davidin në emër të perëndive të tij. Pastaj filisteu i tha Davidit: "Eja këtu, dhe unë do t'ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të fushave". Atëherë Davidi iu përgjigj filisteut: "Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer. Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia; dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde dhe do t'u jap pikërisht sot kufomat e ushtrisë së filistenjve shpendëve të qiellit dhe bishave të tokës, me qëllim që gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael. Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t'ju dorëzojë në duart tona". Kur filisteu lëvizi dhe shkoi përpara për t'u ndeshur me Davidin, edhe Davidi nxitoi menjëherë drejt mejdanit, ballë filisteut; vuri dorën në thes, nxori prej tij një gur, e hodhi me hobenë dhe e goditi në ballë filisteun; guri iu fut në ballë dhe ai ra me fytyrë për tokë. Kështu Davidi me një hobe dhe një gur mundi filisteun; e goditi dhe e vrau, megjithëse Davidi nuk kishte asnjë shpatë në dorë.