1 i Samuelit 17:40-45
1 i Samuelit 17:40-45 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj mori shkopin, zgjodhi pesë gurë të lëmuar prej përroit, i futi në trastën e bariut, që kishte me vete, dhe me hobe në dorë iu afrua filistinit. Edhe filistini filloi të afrohej me shqytarin që i printe. Kur e pa Davidin, filloi ta përbuzte, sepse ishte djalosh kuqalosh e i pashëm. Filistini i tha Davidit: «Mos të dukem qen, që më vjen me shkop?». Dhe e mallkoi Davidin në emër të perëndive të vet. Filistini vijoi: «Eja! Kufomën tënde do t'ua hedh shpendëve të qiellit e kafshëve të egra». Davidi i tha filistinit: «Ti vjen me shpatë, heshtë e shtizë, ndërsa unë vij në emër të ZOTIT të ushtrive, Perëndisë së aradheve të Izraelit, që ti po nguc.
1 i Samuelit 17:40-45 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj mori në dorë shkopin e tij, zgjodhi pesë gurë të lëmuar në përrua, i vuri në torbën e bariut, në një thes të vogël që kishte me vete; pastaj me hobenë në dorë u nis kundër filisteut. Edhe filisteu përparoi duke iu afruar gjithnjë e më tepër Davidit, ndërsa shqytari i tij e paraprinte. Filisteu shikonte me kujdes dhe, me të parë Davidin, e përçmoi sepse ishte vetëm një i ri, kuqalash dhe i hijshëm. Filisteu i tha Davidit: "Mos jam vallë një qen që po del kundër meje me shkop në dorë?". Dhe filisteu e mallkoi Davidin në emër të perëndive të tij. Pastaj filisteu i tha Davidit: "Eja këtu, dhe unë do t'ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të fushave". Atëherë Davidi iu përgjigj filisteut: "Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer.