Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 17:4-50

1 i Samuelit 17:4-50 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Nga radhët e filistinëve doli një luftëtar me emrin Goliat, prej Gatit. Ai ishte rreth tri metra i gjatë. Në kokë kishte një përkrenare bronzi e mbante veshur një parzmore me luspa bronzi që peshonte rreth pesëdhjetë e shtatë kilogramë. Ishte i mbathur me bronz deri në ijë dhe mbante krahaqafë një heshtë bronzi. Shtiza e drunjtë e heshtës ishte sa shuli i tezgjahut dhe tehu i hekurt i heshtës i peshonte shtatë kilogramë. Përpara i shkonte shqytari. Ai zuri vend e u thirri aradheve të Izraelit: «Përse keni dalë në luftë? A nuk jam unë filistin dhe a nuk jeni ju shërbëtorë të Saulit? Zgjidhni, pra, njërin prej jush të zbresë tek unë. Nëse fiton kundër meje e më vret, ne do të bëhemi skllevërit tuaj, por, nëse fitoj unë dhe e vras, ju do të bëheni skllevërit tanë e do të na shërbeni». Filistini u tha: «Sot po i nguc aradhet e Izraelit! Më çoni dikë për dyluftim!». Kur Sauli e mbarë Izraeli i dëgjuan fjalët e filistinit, u tmerruan dhe i kapi një frikë e madhe. Davidi ishte djali i një efratiti nga Betlehemi që quhej Jese. Ky kishte tetë djem. Në kohën e Saulit ai ishte plak dhe i thyer në moshë. Tre djemtë e mëdhenj të Jeseut kishin ndjekur Saulin në luftë. Ata ishin Eliabi, i parëlinduri, Abinadabi i dyti e Shamahu, i treti. Davidi ishte më i vogli. Tre djemtë e mëdhenj kishin shkuar pas Saulit, ndërsa Davidi shkonte e vinte te Sauli, sepse kulloste dhentë e të atit në Betlehem. Filistini doli për dyzet ditë çdo mëngjes e çdo mbrëmje. Jeseu i tha Davidit, të birit: «Merre këtë thes me misër të pjekur e këto dhjetë bukë e nxito te vëllezërit në luftë. Merr edhe dhjetë copa djathë për kryemijësin. Shih a janë shëndoshë e mirë vëllezërit e më sill një shenjë prej tyre». Ata ishin me Saulin e me tërë izraelitët në luginën e Elahut në luftë me filistinët. Davidi u ngrit herët në mëngjes, i la dhentë në kujdesin e një rojeje dhe u nis siç e kishte urdhëruar Jeseu. Ai mbërriti në fushim kur ushtria po renditej në fushëbetejë e po lëshonte kushtrimin. Ndërkohë izraelitët dhe filistinët po rreshtoheshin për luftë. Davidi i la gjërat te roja i sendeve e vrapoi te vija e frontit për të përshëndetur vëllezërit. Teksa po fliste me ta, nga radhët e filistinëve ia behu luftëtari filistin, Goliati prej Gatit. Ai filloi të fliste si përherë dhe Davidi e dëgjoi. Kur e panë, izraelitët u zmbrapsën para tij nga frika e madhe. Izraelitët thanë: «A e patë atë që doli për të ngucur Izraelin? Kush e vret ka për të marrë pasuri të mëdha si shpërblim prej mbretit. Do t'i japë për grua bijën e vet dhe shtëpinë e atit të tij do ta lirojë prej detyrimeve në Izrael». Davidi i pyeti burrat që ishin me të: «Çfarë do të ndodhë me atë që e vret këtë filistin dhe ia heq turpin Izraelit? Kush është ky filistin i parrethprerë që i nguc aradhet e Perëndisë së gjallë?». Njerëzit i treguan me radhë çfarë do t'i ndodhte atij që do ta vriste. Eliabi, vëllai i madh, e dëgjoi kur po fliste me njerëzit, u zemërua e i tha: «Përse erdhe? Me kë i le ato pak dhen në shkretëtirë? Të njoh mirë, je mendjemadh e zemërzi! Erdhe vetëm për të parë betejën». Davidi iu përgjigj: «Çfarë bëra tani? Vetëm një fjalë thashë!». Pastaj Davidi iu drejtua edhe dikujt tjetër dhe i bëri të njëjtën pyetje. Populli i ktheu të njëjtën përgjigje si më parë. Saulit i treguan se ç'kishte thënë Davidi dhe dërgoi njerëz ta thërrisnin. Atëherë Davidi i tha Saulit: «Të mos e lëshojë zemra asnjërin për shkak të tij. Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë filistin!». Sauli i tha: «Nuk ia del dot të luftosh kundër këtij filistini, se ti je djalosh e ai është luftëtar i regjur». Davidi i tha Saulit: «Shërbëtori yt i ka shërbyer të atit si bari dhensh. Kur vinte ndonjë luan apo ari dhe grabiste ndonjë dele prej kullotës unë e ndiqja pas, e godisja dhe e shpëtoja delen prej gojës së grabitqarit. Kur më sulej, e kapja për krife, e godisja dhe e vrisja. Shërbëtori yt ka vrarë luanë e arinj dhe ky filistin i parrethprerë do të përfundojë si ata, sepse nguci aradhet e Perëndisë së gjallë». Davidi tha: «ZOTI, që më shpëtoi prej kthetrave të luanit e të ariut, do të më shpëtojë prej dorës së këtij filistini». Sauli iu përgjigj: «Shko, ZOTI qoftë me ty». Sauli i dha Davidit armatimin e vet, i vuri në krye një përkrenare prej bronzi dhe e veshi me parzmore. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën, por nuk ecte dot, sepse nuk ishte mësuar me to. Atëherë i tha Saulit: «Nuk eci dot me gjithë këto, se nuk jam mësuar», prandaj i hoqi. Pastaj mori shkopin, zgjodhi pesë gurë të lëmuar prej përroit, i futi në trastën e bariut, që kishte me vete, dhe me hobe në dorë iu afrua filistinit. Edhe filistini filloi të afrohej me shqytarin që i printe. Kur e pa Davidin, filloi ta përbuzte, sepse ishte djalosh kuqalosh e i pashëm. Filistini i tha Davidit: «Mos të dukem qen, që më vjen me shkop?». Dhe e mallkoi Davidin në emër të perëndive të vet. Filistini vijoi: «Eja! Kufomën tënde do t'ua hedh shpendëve të qiellit e kafshëve të egra». Davidi i tha filistinit: «Ti vjen me shpatë, heshtë e shtizë, ndërsa unë vij në emër të ZOTIT të ushtrive, Perëndisë së aradheve të Izraelit, që ti po nguc. Sot, ZOTI do të të lërë në dorën time e unë do të të vras e do të ta pres kokën. Kufomat e ushtarëve filistinë do t'ua hedh sot shpendëve të qiellit e kafshëve të egra, që ta dijë mbarë toka se ka Perëndi në Izrael. Ta marrë vesh gjithë kjo turmë se ZOTI shpëton pa shpatë e pa heshtë. ZOTI e fiton betejën dhe ai do t'ju lërë në dorën tonë». Kur filistini u ngrit e iu afrua, Davidi nxitoi e doli me vrap në fushëbetejë që të ndeshej me të. Futi dorën në trastë, mori që andej një gur, e vërviti me hobe, e qëlloi filistinin në lule të ballit e guri iu ngul në ballë. Filistini u shemb me fytyrë përdhe. Davidi fitoi kundër filistinit vetëm me një hobe e me një gur. E qëlloi filistinin dhe e vrau, edhe pse Davidi nuk kishte shpatë në dorë.

1 i Samuelit 17:4-50 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Nga kampi i filistenjve doli një kampion i quajtur Goliath, nga Gathi, i lartë gjashtë kubitë dhe një pëllëmbë. Kishte në kokë një helmetë prej bronzi, ishte veshur me një parzmore, pesha e të cilit ishte pesë mijë sikla bronzi; në këmbë kishte këmbore prej bronzi dhe mbi sup mbante një ushtë prej hekuri. Maja e ushtës së tij ishte si shuli i një endësi dhe peshonte gjashtë qind sikla argjendi: para tij ecte shqytari i tij. Ai u ndal dhe u thirri grupeve të ushtarëve të Izraelit: "Pse keni dalë për t'u radhitur në formacion beteje? A nuk jam unë një filiste dhe ju shërbëtorë të Saulit? Zgjidhni një burrë që të dalë kundër meje. Në rast se do të jetë në gjendje të luftojë me mua dhe të më vrasë, ne do të jemi shërbëtorët tuaj; por në rast se dal unë fitues dhe e vras, atëherë ju do të jeni shërbëtorët tanë dhe do të na shërbeni". Pastaj filisteu shtoi: "Unë sot po sfidoj trupat e Izraelit: "Më jepni një burrë dhe do të luftojmë!". Kur Sauli dhe tërë Izraeli dëgjuan këto fjalë të filisteut, mbetën të shtangur dhe u hyri një frikë e madhe. Davidi ishte biri i atij efrateut të Betlemit të Judës, që mbante emrin Isai dhe kishte tetë bij. Në kohën e Saulit, ky njeri ishte i plakur dhe i shtyrë në moshë. Tre bijtë më të mëdhenj të Isait kishin shkuar në luftë me Saulin: emrat e tre bijve të tij që kishin shkuar në luftë ishin: Eliabi, i parëlinduri, Abinadabi i dyti dhe Shamahu i treti. Davidi ishte më i riu dhe tre më të mëdhenjtë kishin shkuar pas Saulit. Davidi përkundrazi shkonte dhe vinte nga Sauli për të kullotur kopenë e atit të tij në Betlem. Filisteu u dilte përpara në mëngjes dhe në mbrëmje, dhe vazhdoi të dalë dyzet ditë me radhë. Isai i tha Davidit, birit të tij: "Merr për vëllezërit e tu një efë nga ky grurë i pjekur dhe dhjetë bukë dhe çoji shpejt vëllezërve të tu në kamp. Dërgo edhe këto dhjetë forma djathi komandantit të mijëshes së tyre; shiko si janë vëllezërit e tu dhe më sill një peng nga ana e tyre. Sauli me gjithë vëllezërit e tu dhe gjithë burrat e Izraelit janë në luginën e Terebintit për të luftuar filistenjtë". Kështu Davidi u ngrit herët në mëngjes, ia la delet e tij një rojtari, mori ngarkesën e tij dhe u nis ashtu siç e kishte urdhëruar Isai. Arriti në kampin e qerreve, kur ushtria po dilte për t'u radhitur në formacion beteje dhe lëshonte britma lufte. izraelitët dhe filistenjtë ishin radhitur për betejë, një ushtri kundër tjetrës. Davidi, pasi la ngarkesën e tij në duart e rojtarit të bagazheve, vrapoi në drejtim të grupimeve të betejës; me të arritur në vend, pyeti vëllezërit e tij si ishin. Ndërsa po fliste me ata, ja ku doli nga radhët e filistenjve ai kampion, filisteu i Gathit, që mbante emrin Goliath dhe përsëriti po ato fjalë; dhe Davidi i dëgjoi. Tërë njerëzit e Izraelit, me ta parë atë njeri, ikën para tij dhe u hyri një frikë e madhe. Njerëzit e Izraelit thoshin: "E keni parë këtë njeri që shkon përpara? Ai shkon përpara për të vënë në provë sedrën e Izraelit. Ai që do ta vrasë, kushdo qoftë, do të shpërblehet me pasuri të mëdha nga mbreti, ky do t'i japë për grua të bijën dhe do të përjashtojë nga çdo haraç shtëpinë e atit të tij në Izrael". Atëherë Davidi, duke iu drejtuar njerëzve që ishin pranë tij, tha: "Çfarë do t'i bëjnë atij burri që do të vrasë këtë filiste dhe do ta largojë turpin nga Izraeli? Po kush është ky Filiste, i parrethprerë, që guxon të poshtërojë ushtrinë e Perëndisë të gjallë?". Njerëzit iu përgjigjën me po ato fjalë, duke thënë: "Kështu do të bëhet me atë që do ta vrasë". Eliabi, vëllai i tij më i madh, e dëgjoi ndërsa fliste me ata njerëz; kështu Eliabi u zemërua me Davidin dhe tha: "Pse erdhe këtu? Kujt ia le ato pak dele në shkretëtirë? Unë e njoh krenarinë tënde dhe ligësinë e zemrës sate, ke zbritur këtu për të parë betejën?". Davidi u përgjigj: "Ç'kam bërë unë tani?. Nuk ishte veçse një pyetje e thjeshtë!". Duke u larguar prej tij, iu drejtua një tjetri dhe i bëri po atë pyetje; dhe njerëzit i dhanë po atë përgjigje të mëparshme. Sa dëgjuan fjalët që Davidi kishte thënë, ia treguan Saulit dhe ky dërgoi njerëz që ta thërresin. Davidi i tha Saulit: "Asnjeri të mos ligështohet për shkak të tij! Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë Filiste". Sauli i tha Davidit: "Ti nuk mund të shkosh të luftosh kundër këtij filisteu, sepse ti je akoma djalosh, ndërsa ai është një luftëtar qysh në të ritë e tij". Por Davidi iu përgjigj Saulit: "Shërbëtori yt kulloste kopenë e atit të tij; kur një luan ose një ari vinte për të rrëmbyer një dele nga kopeja, unë e ndiqja, e godisja dhe ia rrëmbeja nga goja; në qoftë se ai kthehej kundër meje, unë e kapja nga krifa, e godisja dhe e vrisja. Po, shërbëtori yt ka vrarë luanin dhe ariun; dhe ky filiste i parrethprerë do të pësojë të njëjtin fat, sepse ka fyer ushtrinë e Perëndisë të gjallë". Davidi shtoi: "Zoti që më shpëtoi nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më shpëtojë edhe nga dora e këtij filisteu". Atëherë Sauli i tha Davidit: "Shko dhe Zoti qoftë me ty". Pastaj Sauli e veshi Davidin me armaturën e tij, i vuri në kokë një përkrenare prej bronzi dhe i veshi parzmoren. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën e Saulit mbi armaturën dhe u përpoq të ecë, sepse nuk ishte mësuar. Por Davidi i tha Saulit: "Unë nuk mund të eci me këtë armaturë, sepse nuk jam mësuar me të". Dhe kështu Davidi e hoqi nga trupi i tij. Pastaj mori në dorë shkopin e tij, zgjodhi pesë gurë të lëmuar në përrua, i vuri në torbën e bariut, në një thes të vogël që kishte me vete; pastaj me hobenë në dorë u nis kundër filisteut. Edhe filisteu përparoi duke iu afruar gjithnjë e më tepër Davidit, ndërsa shqytari i tij e paraprinte. Filisteu shikonte me kujdes dhe, me të parë Davidin, e përçmoi sepse ishte vetëm një i ri, kuqalash dhe i hijshëm. Filisteu i tha Davidit: "Mos jam vallë një qen që po del kundër meje me shkop në dorë?". Dhe filisteu e mallkoi Davidin në emër të perëndive të tij. Pastaj filisteu i tha Davidit: "Eja këtu, dhe unë do t'ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të fushave". Atëherë Davidi iu përgjigj filisteut: "Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer. Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia; dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde dhe do t'u jap pikërisht sot kufomat e ushtrisë së filistenjve shpendëve të qiellit dhe bishave të tokës, me qëllim që gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael. Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t'ju dorëzojë në duart tona". Kur filisteu lëvizi dhe shkoi përpara për t'u ndeshur me Davidin, edhe Davidi nxitoi menjëherë drejt mejdanit, ballë filisteut; vuri dorën në thes, nxori prej tij një gur, e hodhi me hobenë dhe e goditi në ballë filisteun; guri iu fut në ballë dhe ai ra me fytyrë për tokë. Kështu Davidi me një hobe dhe një gur mundi filisteun; e goditi dhe e vrau, megjithëse Davidi nuk kishte asnjë shpatë në dorë.