Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 17:31-50

1 i Samuelit 17:31-50 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Saulit i treguan se ç'kishte thënë Davidi dhe dërgoi njerëz ta thërrisnin. Atëherë Davidi i tha Saulit: «Të mos e lëshojë zemra asnjërin për shkak të tij. Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë filistin!». Sauli i tha: «Nuk ia del dot të luftosh kundër këtij filistini, se ti je djalosh e ai është luftëtar i regjur». Davidi i tha Saulit: «Shërbëtori yt i ka shërbyer të atit si bari dhensh. Kur vinte ndonjë luan apo ari dhe grabiste ndonjë dele prej kullotës unë e ndiqja pas, e godisja dhe e shpëtoja delen prej gojës së grabitqarit. Kur më sulej, e kapja për krife, e godisja dhe e vrisja. Shërbëtori yt ka vrarë luanë e arinj dhe ky filistin i parrethprerë do të përfundojë si ata, sepse nguci aradhet e Perëndisë së gjallë». Davidi tha: «ZOTI, që më shpëtoi prej kthetrave të luanit e të ariut, do të më shpëtojë prej dorës së këtij filistini». Sauli iu përgjigj: «Shko, ZOTI qoftë me ty». Sauli i dha Davidit armatimin e vet, i vuri në krye një përkrenare prej bronzi dhe e veshi me parzmore. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën, por nuk ecte dot, sepse nuk ishte mësuar me to. Atëherë i tha Saulit: «Nuk eci dot me gjithë këto, se nuk jam mësuar», prandaj i hoqi. Pastaj mori shkopin, zgjodhi pesë gurë të lëmuar prej përroit, i futi në trastën e bariut, që kishte me vete, dhe me hobe në dorë iu afrua filistinit. Edhe filistini filloi të afrohej me shqytarin që i printe. Kur e pa Davidin, filloi ta përbuzte, sepse ishte djalosh kuqalosh e i pashëm. Filistini i tha Davidit: «Mos të dukem qen, që më vjen me shkop?». Dhe e mallkoi Davidin në emër të perëndive të vet. Filistini vijoi: «Eja! Kufomën tënde do t'ua hedh shpendëve të qiellit e kafshëve të egra». Davidi i tha filistinit: «Ti vjen me shpatë, heshtë e shtizë, ndërsa unë vij në emër të ZOTIT të ushtrive, Perëndisë së aradheve të Izraelit, që ti po nguc. Sot, ZOTI do të të lërë në dorën time e unë do të të vras e do të ta pres kokën. Kufomat e ushtarëve filistinë do t'ua hedh sot shpendëve të qiellit e kafshëve të egra, që ta dijë mbarë toka se ka Perëndi në Izrael. Ta marrë vesh gjithë kjo turmë se ZOTI shpëton pa shpatë e pa heshtë. ZOTI e fiton betejën dhe ai do t'ju lërë në dorën tonë». Kur filistini u ngrit e iu afrua, Davidi nxitoi e doli me vrap në fushëbetejë që të ndeshej me të. Futi dorën në trastë, mori që andej një gur, e vërviti me hobe, e qëlloi filistinin në lule të ballit e guri iu ngul në ballë. Filistini u shemb me fytyrë përdhe. Davidi fitoi kundër filistinit vetëm me një hobe e me një gur. E qëlloi filistinin dhe e vrau, edhe pse Davidi nuk kishte shpatë në dorë.

1 i Samuelit 17:31-50 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Sa dëgjuan fjalët që Davidi kishte thënë, ia treguan Saulit dhe ky dërgoi njerëz që ta thërresin. Davidi i tha Saulit: "Asnjeri të mos ligështohet për shkak të tij! Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë Filiste". Sauli i tha Davidit: "Ti nuk mund të shkosh të luftosh kundër këtij filisteu, sepse ti je akoma djalosh, ndërsa ai është një luftëtar qysh në të ritë e tij". Por Davidi iu përgjigj Saulit: "Shërbëtori yt kulloste kopenë e atit të tij; kur një luan ose një ari vinte për të rrëmbyer një dele nga kopeja, unë e ndiqja, e godisja dhe ia rrëmbeja nga goja; në qoftë se ai kthehej kundër meje, unë e kapja nga krifa, e godisja dhe e vrisja. Po, shërbëtori yt ka vrarë luanin dhe ariun; dhe ky filiste i parrethprerë do të pësojë të njëjtin fat, sepse ka fyer ushtrinë e Perëndisë të gjallë". Davidi shtoi: "Zoti që më shpëtoi nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më shpëtojë edhe nga dora e këtij filisteu". Atëherë Sauli i tha Davidit: "Shko dhe Zoti qoftë me ty". Pastaj Sauli e veshi Davidin me armaturën e tij, i vuri në kokë një përkrenare prej bronzi dhe i veshi parzmoren. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën e Saulit mbi armaturën dhe u përpoq të ecë, sepse nuk ishte mësuar. Por Davidi i tha Saulit: "Unë nuk mund të eci me këtë armaturë, sepse nuk jam mësuar me të". Dhe kështu Davidi e hoqi nga trupi i tij. Pastaj mori në dorë shkopin e tij, zgjodhi pesë gurë të lëmuar në përrua, i vuri në torbën e bariut, në një thes të vogël që kishte me vete; pastaj me hobenë në dorë u nis kundër filisteut. Edhe filisteu përparoi duke iu afruar gjithnjë e më tepër Davidit, ndërsa shqytari i tij e paraprinte. Filisteu shikonte me kujdes dhe, me të parë Davidin, e përçmoi sepse ishte vetëm një i ri, kuqalash dhe i hijshëm. Filisteu i tha Davidit: "Mos jam vallë një qen që po del kundër meje me shkop në dorë?". Dhe filisteu e mallkoi Davidin në emër të perëndive të tij. Pastaj filisteu i tha Davidit: "Eja këtu, dhe unë do t'ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të fushave". Atëherë Davidi iu përgjigj filisteut: "Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer. Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia; dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde dhe do t'u jap pikërisht sot kufomat e ushtrisë së filistenjve shpendëve të qiellit dhe bishave të tokës, me qëllim që gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael. Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t'ju dorëzojë në duart tona". Kur filisteu lëvizi dhe shkoi përpara për t'u ndeshur me Davidin, edhe Davidi nxitoi menjëherë drejt mejdanit, ballë filisteut; vuri dorën në thes, nxori prej tij një gur, e hodhi me hobenë dhe e goditi në ballë filisteun; guri iu fut në ballë dhe ai ra me fytyrë për tokë. Kështu Davidi me një hobe dhe një gur mundi filisteun; e goditi dhe e vrau, megjithëse Davidi nuk kishte asnjë shpatë në dorë.