Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 17:1-11

1 i Samuelit 17:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Filistenjtë i mblodhën trupat e tyre për luftë; u mblodhën në Sokoh, që është pronë e Judës, dhe e ngritën kampin e tyre në Efes-Damim midis Sokohut dhe Azekahut. Edhe Sauli dhe njerëzit e Izraelit u mblodhën dhe e ngritën kampin e tyre në luginën e Terebintos, dhe u rreshtuan për betejë kundër filistenjve. Filistenjtë ndodheshin në mal nga një anë dhe Izraeli ishte në mal nga ana tjetër, dhe midis tyre ndodhej lugina. Nga kampi i filistenjve doli një kampion i quajtur Goliath, nga Gathi, i lartë gjashtë kubitë dhe një pëllëmbë. Kishte në kokë një helmetë prej bronzi, ishte veshur me një parzmore, pesha e të cilit ishte pesë mijë sikla bronzi; në këmbë kishte këmbore prej bronzi dhe mbi sup mbante një ushtë prej hekuri. Maja e ushtës së tij ishte si shuli i një endësi dhe peshonte gjashtë qind sikla argjendi: para tij ecte shqytari i tij. Ai u ndal dhe u thirri grupeve të ushtarëve të Izraelit: "Pse keni dalë për t'u radhitur në formacion beteje? A nuk jam unë një filiste dhe ju shërbëtorë të Saulit? Zgjidhni një burrë që të dalë kundër meje. Në rast se do të jetë në gjendje të luftojë me mua dhe të më vrasë, ne do të jemi shërbëtorët tuaj; por në rast se dal unë fitues dhe e vras, atëherë ju do të jeni shërbëtorët tanë dhe do të na shërbeni". Pastaj filisteu shtoi: "Unë sot po sfidoj trupat e Izraelit: "Më jepni një burrë dhe do të luftojmë!". Kur Sauli dhe tërë Izraeli dëgjuan këto fjalë të filisteut, mbetën të shtangur dhe u hyri një frikë e madhe.