1 i Samuelit 16:5-13
1 i Samuelit 16:5-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ai u tha: «Në paqe. Erdha për t'i kushtuar fli ZOTIT. Shenjtërohuni dhe ejani me mua në kushtimin e flisë». Samueli shenjtëroi Jeseun e bijtë e tij dhe i ftoi në kushtimin e flisë. Kur ata erdhën, Samueli vuri re Eliabin e mendoi: «Para ZOTIT qëndron vërtet i vajosuri i tij». Por ZOTI i tha: «Mos i shih pamjen e shtatin, se nuk e kam pranuar. Perëndia nuk gjykon siç gjykon njeriu. Njeriu sheh pamjen, ndërsa ZOTI sheh zemrën». Atëherë Jeseu thirri Abinadabin që të dilte para Samuelit. Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Pastaj Jeseu solli Shamahun, por Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Jeseu solli para Samuelit të shtatë bijtë e vet, por Samueli i tha për secilin: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Atëherë Samueli e pyeti: «Kaq djem ke?». Jeseu iu përgjigj: «Kam edhe një djalë të vogël që po kullot dhentë». Samueli i tha: «Dërgo njerëz ta thërrasin, se nuk do të kthehem pa ardhur ai». Dërguan njerëz dhe e sollën. Ai ishte kuqalosh, me sy të bukur e i pashëm. ZOTI tha: «Çohu e vajose. Ky është». Samueli mori bririn me vaj dhe e vajosi mes vëllezërve. Shpirti i ZOTIT vërshoi mbi Davidin që nga ajo ditë e tutje. Pastaj Samueli u ngrit e shkoi në Ramah.
1 i Samuelit 16:5-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ai u përgjigj "Vij në mënyrë paqësore; kam ardhur për t'i ofruar një flijim Zotit; pastrohuni dhe ejani me mua në flijim". Vuri të pastrohen edhe Isain dhe bijtë e tij dhe i ftoi në flijim. Kur ata arritën, ai ia vuri syrin Eliabit dhe tha: "Me siguri i vajosuri i Zotit është para tij". Por Zoti i tha Samuelit: "Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën". Atëherë Isai thirri Abinadabin dhe e bëri të kalojë përpara Samuelit; por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë". Pastaj Isai bëri të kalojë Shamahu, por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë". Kështu Isai bëri të kalojnë shtatë nga bijtë e tij përpara Samuelit; por Samueli i tha Isait: "Zoti nuk zgjodhi asnjë prej tyre". Pastaj Samueli i tha Isait: "A janë këtu tërë bijtë e tu?". Ai u përgjigj: "Mungon më i riu që tani është duke kullotur delet". Samueli i tha Isait: "Dërgo ta sjellin, sepse nuk do të shtrohemi në tryezë para se ai të vijë këtu". Atëherë ai dërgoi njerëz ta marrin. Davidi ishte kuqalash, me sy të bukur dhe pamje të hijshme. Dhe Zoti tha: "Ngrihu, vajose se ai është". Atëherë Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve të tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi. Pastaj Samueli u ngrit dhe shkoi në Ramah.