Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 16:1-23

1 i Samuelit 16:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

ZOTI i tha Samuelit: «Për sa kohë do ta vajtosh Saulin? Unë e përbuza sundimin e tij në Izrael. Mbushe bririn me vaj dhe eja të të dërgoj te Jeseu, betlehemasi, sepse ndër bijtë e tij kam gjetur një mbret për vete». Samueli i tha: «Si të shkoj? Do ta dëgjojë Sauli e do të më vrasë». ZOTI i tha: «Merr një mëshqerrë me vete e thuaji se ke shkuar për t'i kushtuar fli ZOTIT. Ftoje Jeseun të marrë pjesë në kushtimin e flisë. Unë do të të tregoj se çfarë do të bësh e kë do të vajosësh». Samueli bëri siç i tha ZOTI dhe mbërriti në Betlehem. Pleqësia e qytetit pati frikë dhe, kur e takuan, e pyetën: «A vjen në paqe?». Ai u tha: «Në paqe. Erdha për t'i kushtuar fli ZOTIT. Shenjtërohuni dhe ejani me mua në kushtimin e flisë». Samueli shenjtëroi Jeseun e bijtë e tij dhe i ftoi në kushtimin e flisë. Kur ata erdhën, Samueli vuri re Eliabin e mendoi: «Para ZOTIT qëndron vërtet i vajosuri i tij». Por ZOTI i tha: «Mos i shih pamjen e shtatin, se nuk e kam pranuar. Perëndia nuk gjykon siç gjykon njeriu. Njeriu sheh pamjen, ndërsa ZOTI sheh zemrën». Atëherë Jeseu thirri Abinadabin që të dilte para Samuelit. Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Pastaj Jeseu solli Shamahun, por Samueli tha: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Jeseu solli para Samuelit të shtatë bijtë e vet, por Samueli i tha për secilin: «As këtë nuk e ka zgjedhur ZOTI». Atëherë Samueli e pyeti: «Kaq djem ke?». Jeseu iu përgjigj: «Kam edhe një djalë të vogël që po kullot dhentë». Samueli i tha: «Dërgo njerëz ta thërrasin, se nuk do të kthehem pa ardhur ai». Dërguan njerëz dhe e sollën. Ai ishte kuqalosh, me sy të bukur e i pashëm. ZOTI tha: «Çohu e vajose. Ky është». Samueli mori bririn me vaj dhe e vajosi mes vëllezërve. Shpirti i ZOTIT vërshoi mbi Davidin që nga ajo ditë e tutje. Pastaj Samueli u ngrit e shkoi në Ramah. Shpirti i ZOTIT u largua nga Sauli dhe filloi ta mundonte një shpirt i lig dërguar prej ZOTIT. Atëherë një shërbëtor i tha: «Ja, një shpirt i lig i Perëndisë po të mundon. T'i urdhërojë zotëria ynë shërbëtorët e tij të gjejnë dikë që di t'i bjerë lirës. Sa herë të të pushtojë shpirti i lig i Perëndisë, ai do t'i bjerë lirës e ti do të ndihesh më mirë». Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve: «Më gjeni dikë që i bie mirë lirës dhe silleni tek unë». Një nga shërbëtorët u përgjigj: «Ja, kam vënë re se biri i Jeseut, betlehemasit, di t'i bjerë lirës. Ai është fisnik, trim, njeri i fjalës e i pashëm. ZOTI është me të». Sauli dërgoi lajmëtarë te Jeseu për t'i thënë: «Nise tek unë Davidin, birin tënd, që kullot dhentë». Jeseu mori një gomar, e ngarkoi me bukë, me një kacek vere e me një kec dhe ia dërgoi Saulit me anë të Davidit, birit të vet. Davidi mbërriti te Sauli e u vu në shërbim të tij. Sauli e deshi shumë dhe e bëri armëmbajtësin e vet. Sauli dërgoi njerëz te Jeseu për t'i thënë: «Lëre Davidin në shërbimin tim, sepse jam i kënaqur me të». Sa herë që shpirti i lig i Perëndisë e pushtonte Saulin, Davidi merrte lirën dhe i binte. Sauli qetësohej, ndihej më mirë e shpirti i lig largohej prej tij.

1 i Samuelit 16:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Zoti i tha Samuelit: "Deri kur do të mbash zi për Saulin, kurse unë e kam hedhur poshtë që mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe me vaj bririn tënd dhe nisu; po të dërgoj tek Isai, Betlemiti, sepse kam zgjedhur një mbret midis bijve të tij". Samueli u përgjigj: "Si mund të shkoj? Sauli ka për ta mësuar dhe do të më vrasë". Zoti tha: "Do të marrësh me vete një mëshqerre dhe do të thuash: "Kam ardhur për t'i ofruar një flijim Zotit". Do të ftosh Isain në ceremoninë e flijimit, unë do të të tregoj atë që duhet të bësh, dhe ti ke për të vajosur atë që do të të them unë". Kështu Samueli bëri atë që i kishte thënë Zoti dhe shkoi në Betlem; pleqtë e qytetit i dolën përpara duke u dridhur dhe i thanë: "Po na vjen në mënyrë paqësore?". Ai u përgjigj "Vij në mënyrë paqësore; kam ardhur për t'i ofruar një flijim Zotit; pastrohuni dhe ejani me mua në flijim". Vuri të pastrohen edhe Isain dhe bijtë e tij dhe i ftoi në flijim. Kur ata arritën, ai ia vuri syrin Eliabit dhe tha: "Me siguri i vajosuri i Zotit është para tij". Por Zoti i tha Samuelit: "Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën". Atëherë Isai thirri Abinadabin dhe e bëri të kalojë përpara Samuelit; por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë". Pastaj Isai bëri të kalojë Shamahu, por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë". Kështu Isai bëri të kalojnë shtatë nga bijtë e tij përpara Samuelit; por Samueli i tha Isait: "Zoti nuk zgjodhi asnjë prej tyre". Pastaj Samueli i tha Isait: "A janë këtu tërë bijtë e tu?". Ai u përgjigj: "Mungon më i riu që tani është duke kullotur delet". Samueli i tha Isait: "Dërgo ta sjellin, sepse nuk do të shtrohemi në tryezë para se ai të vijë këtu". Atëherë ai dërgoi njerëz ta marrin. Davidi ishte kuqalash, me sy të bukur dhe pamje të hijshme. Dhe Zoti tha: "Ngrihu, vajose se ai është". Atëherë Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve të tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi. Pastaj Samueli u ngrit dhe shkoi në Ramah. Fryma e Zotit ishte larguar nga Sauli dhe një frymë e keqe e terrorizonte nga ana e Zotit. Shërbëtorët e Saulit i thanë "Ja, një frymë e keqe të shqetëson nga ana e Perëndisë. Zoti ynë të urdhërojë, pra, që shërbëtorët e tu që rrinë përpara teje të gjejnë një njeri që i bie mirë harpës; kur pastaj fryma e keq nga ana e Perëndisë do të të zotërojë, ai do t'i bjerë harpës dhe ti do ta ndjesh veten mirë". Sauli u tha shërbëtorëve të tij: "Më gjeni një njeri që i bie mirë dhe ma sillni". Atëherë një nga shërbëtorët filloi të thotë: Ja, unë pashë një nga bijtë e Isait, Betlemitit, që i bie mirë dhe që është një njeri i fortë dhe trim, i shkathët në luftim, gojëtar i hijshëm; dhe Zoti është me të". Sauli, pra, i dërgoi lajmëtarë Isait për t'i thënë: "Më dërgo birin tënd Davidin, që është me kopenë". Atëherë Isai mori një gomar të ngarkuar me bukë, një calik me verë, një kec dhe ia dërgoi Saulit me anë të Davidit, birit të tij. Davidi arriti te Sauli dhe hyri në shërbim të tij; Saulit i hyri në zemër dhe e bëri shqyrtar të tij. Sauli dërgoi pastaj t'i thonë Isait: "Të lutem, lëre Davidin në shërbimin tim, sepse ai gëzon hirin tim". Kur fryma e keq nga ana e Perëndisë sundonte mbi Saulin, Davidi merrte harpën dhe i binte; atëherë Sauli e ndjente veten të qetësuar dhe më mirë dhe fryma e keqe largohej prej tij.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë