Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 15:10-35

1 i Samuelit 15:10-35 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë fjala e ZOTIT iu drejtua Samuelit: «Jam penduar që e bëra mbret Saulin, se më ka kthyer shpinën e nuk i zbaton fjalët e mia». Samueli u trishtua e i thirri ZOTIT gjithë natën. Samueli u ngrit në të gdhirë për ta takuar Saulin që herët dhe e lajmëruan se Sauli, pasi kishte mbërritur në Karmel, ku kishte ngritur një përmendore për vete, ishte kthyer dhe kishte kaluar për në Gilgal. Samueli shkoi tek ai dhe kur Sauli e takoi, i tha: «Të bekoftë ZOTI! Ia mbajta fjalën ZOTIT». Por Samueli iu përgjigj: «Ç'është kjo blegërimë qengjash që po më kapin veshët? Ç'është kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?». Sauli i tha: «I sollëm prej Amalekut. Populli i kurseu dhentë e qetë më të mira për t'ia kushtuar ZOTIT, Perëndisë tënd, ndërsa pjesën tjetër e shfarosëm». Samueli i tha Saulit: «Hesht! Do të të tregoj se çfarë më tha ZOTI mbrëmë». Sauli i tha: «Fol!». Samueli i tha: «Edhe pse të duket vetja i vogël, je kreu i fiseve të Izraelit. ZOTI të vajosi mbret mbi Izraelin. ZOTI të dërgoi e të tha: “Shfarosi amalekitët, ata mëkatarë. Lufto kundër tyre derisa t'i shkatërrosh”. Përse, pra, nuk e dëgjove zërin e ZOTIT, por iu vërsule plaçkës duke bërë ligësi në sytë e ZOTIT?». Sauli iu përgjigj Samuelit: «E kam dëgjuar zërin e ZOTIT. Shkova siç më dërgoi ZOTI dhe e kapa Agagun, mbretin e amalekitëve, ndërsa amalekitët i shfarosa. Populli mori për plaçkë dhentë e qetë më të mira, që ishin caktuar për t'u shfarosur, për t'ia kushtuar në Gilgal ZOTIT, Perëndisë tënd». Atëherë Samueli i tha: «Pse, a i pëlqejnë ZOTIT flitë e shkrumbimit e flitë e tjera më shumë se t'i dëgjohet fjala? Ja, më mirë është dëgjesa, se flitë, më mirë vëmendja, se dhjami i deshve. Kundërshtimi është si mëkati i shortarisë, kokëfortësia si ligësia e idhujtarisë. Ngaqë e përbuze fjalën e ZOTIT, ai e përbuzi sundimin tënd». Atëherë Sauli i tha Samuelit: «Mëkatova, sepse shkela fjalën e ZOTIT dhe fjalët e tua. Pata frikë popullin dhe dëgjova fjalën e tij. Tani, pra, ma fal mëkatin e kthehu bashkë me mua që të adhuroj ZOTIN». Samueli i tha: «Jo, nuk do të kthehem me ty, se ti e përbuze fjalën e ZOTIT e ZOTI të përbuzi si mbret të Izraelit». Samueli bëri të largohej, por Sauli e kapi prej fundit të petkut e ia shqeu. Samueli i tha: «Sot, ZOTI e shqeu mbretërinë e Izraelit prej teje e ia dhuroi një tjetri që është më i mirë se ti. Për më tepër ai që është lavdia e Izraelit nuk gënjen e nuk pendohet, se nuk është njeri që të pendohet». Sauli i tha: «Kam mëkatuar, por të lutem më ndero para pleqësisë së popullit e para Izraelit e kthehu me mua që të adhuroj ZOTIN, Perëndinë tënd». Samueli u kthye me të dhe Sauli adhuroi ZOTIN. Samueli tha: «Ma sillni Agagun, mbretin e Amalekut». Agagu erdhi në pranga dhe mendonte se nuk i kanosej më vdekja. Por Samueli tha: «Siç la shpata jote gra pa fëmijë, ashtu do të mbetet edhe nëna jote pa fëmijë». Dhe Samueli e theri Agagun para ZOTIT, në Gilgal. Samueli shkoi në Ramah, ndërsa Sauli shkoi në shtëpinë e vet në Gibeahun e Saulit. Samueli nuk e pa më Saulin gjatë gjithë jetës së vet, por vajtoi për të, se ZOTI ishte penduar që e kishte bërë mbret mbi Izraelin.

1 i Samuelit 15:10-35 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Samuelit, duke i thënë: "Unë jam penduar që e kam bërë Saulin mbret, sepse ai është larguar nga unë dhe nuk ka zbatuar urdhrat e mia". Samueli u trishtua dhe i klithi tërë natën Zotit. Në mëngjes herët Samueli u ngrit për t'i dalë përpara Saulit; por erdhën t'i thonë Samuelit: "Sauli ka shkuar në Karmel, dhe i ka ngritur vetes një monument; pastaj është kthyer duke kaluar tutje dhe ka zbritur në Gilgal". Atëherë Samueli shkoi te Sauli dhe ky i tha: "Qofsha i bekuar nga Zoti! Unë e kam zbatuar urdhrin e Zotit". Por Samueli tha: "Ç'është kjo blegërimë dhensh që më vjen në vesh dhe kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?". Sauli u përgjigj: "Këto janë kafshë që ua kemi marrë amalekitëve, sepse populli kurseu pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve për t'i ofruar si flijime Zotit, Perëndisë tënd; por pjesën tjetër e kemi caktuar të shfaroset". Atëherë Samueli i tha Saulit: "Mjaft! Unë do të të tregoj atë që më tha Zoti sonte!". Sauli i tha "Fol". Kështu Samueli tha: "A nuk është vallë e vërtetë që kur ishe i vogël në sytë e tu ishe bërë kreu i fiseve të Izraelit, dhe që Zoti të ka vajosur mbret të Izraelit? Zoti të kishte ngarkuar një mision, duke thënë: "Shko, vendos shfarosjen e mëkatarëve amalekitë dhe lufto kundër tyre derisa të shfarosen". Pse, pra, nuk iu binde zërit të Zotit, por u hodhe mbi plaçkën dhe bëre atë që është e keqe në sytë e Zotit?". Sauli i tha Samuelit: "Por unë iu binda zërit të Zotit, plotësova misionin që Zoti më kishte ngarkuar, solla Agagun, mbretin e Amalekut, dhe caktova për shfarosje amalekitët. Por populli mori gjërat më të mira që duhet të ishin shfarosur, për t'i bërë flijime Zotit, Perëndisë tënd, në Gilgal". Samueli i tha: "Ndoshta i pëlqejnë Zotit holokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve. Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake. Duke qenë se ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, edhe ai të ka hedhur poshtë si mbret". Atëherë Sauli i tha Samuelit: "Kam mëkatuar sepse kam shkelur urdhrin e Zotit dhe fjalët e tua, dhe kjo sepse kisha frikë nga populli dhe dëgjova zërin e tij. Por tani, të lutem, falma mëkatin tim dhe kthehu me mua, që unë të mund të bie përmbys para Zotit". Por Samueli iu përgjigj Saulit: "Unë nuk do të kthehem me ty, sepse ke hedhur poshtë fjalën e Zotit dhe Zoti të ka hedhur poshtë ty, që ti të mos jesh më mbret mbi Izraelin". Ndërsa Samueli po kthehej për të ikur, Sauli i kapi skajin e mantelit të tij që u gris. Atëherë Samueli i tha: "Zoti hoqi sot nga duart e tua mbretërinë e Izraelit dhe ia dha një tjetri, që është më i mirë se ti. Lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë, dhe nuk do të pendohet, sepse ai nuk është njeri që pendohet". Atëherë Sauli tha: "Kam mëkatuar, por tani më ndero, të lutem, para pleqve të popullit tim dhe përpara Izraelit; kthehu me mua, që të bie përmbys përpara Zotit, Perëndisë tënd". Kështu Samueli u kthye me Saulin, dhe Sauli ra përmbys përpara Zotit. Pastaj Samueli tha: "Më sillni Agagun, mbretin e amalekitëve". Agagu shkoi tek ai me qejf. Agagu thoshte: "Me siguri hidhërimi i vdekjes ka kaluar". Samueli i tha: "Ashtu si shpata i la pa fëmijë gratë, kështu edhe nëna jote do të mbetet pa të birin midis grave". Pastaj Samueli e preu copë-copë Agagun përpara Zotit në Gilgal. Pastaj Samueli shkoi në Ramah dhe Sauli shkoi në shtëpinë e tij, në Gibeahun e tij. Samueli nuk shkoi për ta parë më Saulin deri ditën e vdekjes së tij, sepse Samueli mbante zi për Saulin; dhe Zoti u pendua që e kishte bërë Saulin mbret të Izraelit.